ITALI – Një 36-vjeçar me kombësi shqiptare është arrestuar në Itali pas akuzave për pedofili. Agjencitë italiane elektronike të lajmeve bënin të ditur arrestimin e 36-vjeçarit me iniciale H.U., person me precedentë të mëparshëm në abuzimet seksuale me të miturit. Sipas të dhënave, H.U. u arrestua në komunën e Fanos, teksa po shkonte të kryente marrëdhënie seksuale me një 15- vjeçar, me të cilin kishte rënë dakord më parë që do t’i jepte një shumë parash. Me herët, shqiptari kishte lënë të vetëm në shtëpi fëmijën e tij, më pak se 5 vjeç. Për këtë shkak, mbi shqiptarin rëndojnë akuzat e “braktisjes së të miturit”, si edhe “tentativë dhune seksuale”. Sipas raportimeve të mediave të vendit fqinj, shqiptari është arrestuar pas denoncimit të prindit të një prej miqve të 15-vjeçarit, me të cilin 36-vjeçari do të abuzonte. Një ditë më parë, ai ishte takuar me minorenin, me të cilin pasi kishte folur paksa, i kishte propozuar atij haptas të konsumonin kontakt seksual, duke i premtuar atij se do ta paguante. Adoleshenti ka “mbajtur lojën”, duke u treguar si i interesuar dhe më pas u ka rrëfyer miqve të tij kërkesën perverse të shqiptarit. Sipas mediave te vendit fqinj, ka qenë një prej prindërve të miqve të adoleshentit ai që ka bërë denoncimin. Pasi janë sinjalizuar, karabinierët e Fanos i kanë “bërë pritë” në vendin ku 36-vjeçari kishte shkuar për të takuar adoleshentin. Në momentin që është afruar, atij i janë vënë prangat. H.U., që punonte si punëtor, përkohësisht i papunë, nuk ishte i panjohur për karabinierët. Në shtator të vitit 2010 ai ishte arrestuar për dhunë seksuale në rrethana rënduese ndaj dy minorenëve rreth 12 vjeç. Por përveç tentativës për të kryer marrëdhënie seksuale me 15-vjeçarin, 36-vjeçari do të mbajë përgjegjësi ligjore edhe për lënin vetëm në shtëpi të fëmijës së tij 5-vjeçar.











