SHKUP- Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në Bankën Popullore të Maqedonisë. Prania e tyre është simbolike dhe e niveleve të ulta.
Në hierarkine e lartë të këtij institucioni qendror financiar është vetëm një shqiptar, Fadil Bajrami, i cili dje rifitoi mandatin e dytë shtatëvjeçar, pasi mori votat e maxhorancës, pas shumë kritikave të opozitës shqiptare.
Bajrami është një nga tre zv/guvernatorët që ka BPM, të cilët udhëheqin sektorët më të rëndësishëm që ndahen më pas në disa drejtori.
Në kabinetin e guvernatorit të Bankës, Dimitar Bogoev nuk është asnjë kuadër shqiptar, përfshirë shërbimin për informim, njësinë për marrëdhënie ndërkombëtare dhe drejtorinë për revizion të brendshëm.
Tre postet tjera të larta në BPM si Drejtori i përgjithshëm, Ekonomisti kryesor dhe Sekretar i përgjithshëm udhëhiqen nga kuadro maqedonase.
Në më shumë se 13 drejtori të BPM nuk ka asnjë drejtor shqiptar, ndërsa në mesin e drejtorëve sërish hasen kuadro me përkatësi etnike serbe.
Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionin që zhvillon politikat monetare të vendit vazhdimisht ka qenë një temë e trajtuar në mediat shqiptare, mirëpo që asnjëherë nuk ka gjetur zgjidhjen. Janë me dhjetëra kuadro të mirëfillta shqiptare që mund të inkuadrohen në këtë institucion të lartë shtetëror. Partitë politike shqiptare deri tani nuk kanë arritur që të zhbllokojnë situatën e diskriminimit. (INA)
© Panorama.al











