
Maqedonia në prag të destabilizimit, valë protestash dhe antiprotestash.
Mesazhe fyese në rrjetet sociale. Jankullovska: Po i monitorojmë, do të marrim masa për sundimin e së drejtës.
Vala e protestave dhe kundërprotestave nga shqiptarë dhe maqedonas që do të përfshijnë të premten dhe të shtunën Maqe-doninë në lidhje me operacionin policor “Monstra”, ka ngritur shqetësimin për përshkallëzimin e mundshëm të situatës.
Protesta mund të kthehet në një konfrontim etnik që do të shkonte në favor të përfitimeve politike. Fushata për zhvillimin e protestave u zhvillua në rrjetet sociale. Pas protestës së paralajmëruar nga besimtarët myslimanë menjëherë pas përfundimit të ritualit të faljes në xhami, të cilët janë kryesisht shqiptarë, janë shfaqur edhe njoftime nga grupe maqedonase, të cilat pritet që të protestojnë të shtunën përpara Qeverisë. Protesta e myslimanëve u paralajmërua për sot në mesditë, me moton “Stop rasteve të montuara”. Ndërsa në njoftimet e grupeve maqedonase në internet thuhet se do të protestojnë për të parandaluar përhapjen e radikalizmit islam në Maqedoni. “Kur ata munden që të protestojnë për radikalizmin islam dhe për të mbështetur vrasësit, edhe ne mund të protestojmë kundër. Tani ose kurrë”, thuhet ndër të tjera në apelin për t’iu bashkëngjitur kundrëprotestës. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ka pohuar se autoritetet po ndjekin të gjitha mesazhet që po shfaqen në rrjetet sociale lidhur me organizimin e këtyre aktiviteteve të paralajmëruara. Për Jankullovskën, vokabulari që po përdoret është i pahijshëm dhe ka bërë me dije se MPB do të ndërmarrë të gjitha masat për të mbrojtur sundimin e së drejtës. “Do të reagojmë ndaj çdokujt që do të shkelë rendin dhe ligjin”, ka thënë ministrja.
Apeli që protestat të jenë brenda kufijve të mirësjelljes publike vjen edhe nga Presidenti Gjorgje Ivanov. Ai ka thënë se, edhe pse të protestosh është një e drejtë demokratike, për çështjet që i përkasin gjykatës nuk mund të veprohet në këtë mënyrë. “Ka çështje për të cilat nuk mund të tregohet revoltë dhe një qëndrim i tillë, pasi kjo është punë që i takon gjykatës”, ka thënë Presidenti.
Përveç Shkupit, protestat do të shtrihen edhe në qytete, si Tetova, Gostivari, Struga, Kërçova, Dibra, Kumanova. Sipas paralajmërimeve, në Tetovë protestuesit do të protestojnë edhe përpara selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Reçicë të Vogël. Por, pavarësisht faktit se pikënisja e protestave është pas daljes nga xhamitë, Bashkësia Islame thotë se nuk është në dijeni për zhvillimin e tyre. Nuk i mbështesin, por as kanë ndër mend që të predikojnë kundër tyre në faljen e së premtes. Këtë qëndrim mbajtën myftinjtë. Një prej tyre, myftiu i Strugës, Ferat Polisi, që disa muaj më parë ishte në krye të organizimit të protestës kundër Karnavalit të Vevçanit, ku fyheshin simbolet fetare islame, në këtë rast thotë se në vend të protestave ka edhe mekanizma të tjerë për të shprehur revoltën për situatën e krijuar.
Sipas analistëve vendas, Maqedonia gjendet përballë një sfide serioze për sigurinë nacionale, e cila mund të sjellë edhe pasoja fatale. Për Vladimir Pivovarovin, ekspert i sigurisë, më intrigues është fakti se deri tani protestat nuk kanë asnjë lloj organizatori formal që do të merrte përgjegjësinë, gjë që krijon hapësirë për dyshime se janë duke u përgatitur incidente. Ndërsa Mirjana Najçevska, aktiviste e të drejtave të njeriut, thotë se që të dyja grupet e demonstruesve kanë të drejtë të protestojnë, por njëherazi janë nën një errësirë të plotë të manipulimit politik.
Gruevski: Ne jetojmë dhe do të vazhdojmë të jetojmë bashkë
Kryeministri Nikolla Gruevski u ka apeluar protestuesve që të kenë parasysh bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare. Sipas kreu të Ekzekutivit, çdokush që proteston duhet të ketë kujdes për përgjegjësinë që bart, pasi jeton në një shoqëri demokratike dhe duhet të ketë kujdes që të mos bjerë pre e manipulimeve ose edhe e ndonjë axhende të huaj. “Maqedonia është shtet multietnik, multifetar, multikonfeksional, jetojmë bashkë dhe do të vazhdojmë të jetojmë bashkë. Duhet të mendohet edhe për ditën pas, kështu që u bëj apel protestuesve, që duke shprehur mendimin e tyre për atë që protestojnë, të tregojnë kujdes e të shfaqin përgjegjësinë e tyre personale”, ka deklaruar Kryeministri maqedonas.Ambasada Amerikane: Ruani qetësinë
Pas paralajmërimeve në rrjetet sociale për organizimin e protestave, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Maqedoni ka apeluar që të ruhet gjakftohtësia. Në një komunikatë për mediat, ndër të tjera, thuhet se “derisa e drejta për t’u grumbulluar dhe për të shprehur mendimin në mënyrë të qetë duhet respektuar, ne edhe më tej i ftojmë qytetarët që të shprehin mendimin e tyre në mënyrë paqësore, të qetë, si dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor për këtë çështje në pajtim me ligjet dhe procedurat ligjore të Maqedonisë”.
Avokati Raufi: Mediat trillojnë, Haki Aziri s’e ka pranuar akuzën

Avokati i Haki Azirit, rastit më kontradiktor të operacionit policor “Monstra”, i cili vuri në pranga mbi 20 persona të dyshuar për vrasjen e ndodhur në liqenin Smilkovcë në Shkup, ka përgënjeshtruar informacionet e publikuara në mediat maqedonase, se klienti i tij ka pranuar fajësinë dhe përfshirjen në vrasjen e pesëfishtë. Për përfaqësuesin ligjor të të akuzuarit, lajmi i publikuar në të përditshmen “Fokus” është shpifje, pasi gjatë marrjes në pyetje të klientit të tij, avokati Naser Raufi ka qenë prezent dhe në asnjë moment nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij nga policia.
“Nuk është e vërtetë se Hakiu e ka pranuar akuzën me të cilën ngarkohet. Nuk është e vërtetë as ajo që shkruhet në disa media maqedonase. Haki Haziri nuk ka pranuar ndonjë faj, as ka pranuar që ka parë se ndonjë person ka bërë ndonjë vrasje apo akt terrorizmi e as që ka parë persona të maskuar ose të armatosur”, tha Raufi. Avokati, i cili është paraqitur dje në Gjykatën Themelore “Shkupi 1”, ku i është thënë gjithashtu se shkrimet janë të pavërteta, ka ngritur dyshime për sa u takon burimeve, të cilave u janë referuar mediat që publikuan një lajm të tillë. Sipas avokatit, edhe kryetari i Gjykatës kishte shprehur habinë për publikimin në media të këtyre informacioneve që nuk janë të vërteta, për vetë faktin se edhe hetimi, por edhe marrja në pyetje e Haki Hazirit, janë cilësuar si “masa të veçanta”.
“Mendoj që edhe një herë vërtetohet se është degraduar opsioni i pafajësisë, është nxjerrë nga konteksti deklarata e vërtetë e Hakiut. Sipas deklaratës së deponuar prej tij, nuk ka pasur as armë, që në ato shkrime përmenden armë, dhe as uniforma. Haki Haziri nuk ka faj, jam i bindur për këtë”, ka thënë avokati i tij.
Në numrin e djeshëm të së përditshmes në gjuhën maqedonase, “Fokus”, ndër të tjera shkruhej se Haki Haziri ka përshkruar në detaje përfshirjen e tij në vrasjen e pesëfishtë dhe ka kërkuar nga policia të ishte dëshmitar i mbrojtur, por është penduar disa ditë më pas duke kërkuar që t’i hiqej ky status. Sipas “Fokus”, Haziri ka pohuar se nuk e ka ditur që përgatitet vrasje dhe nuk ka parë që vrasësit të kenë armë. Ai ka qenë duke pritur në veturë, ndërsa ka filluar të dyshojë në qëllimin e tyre kur ka parë se janë duke vendosur maska dhe kur janë armatosur. Më tej, sipas këtij versioni të dëshmisë, vrasësit e kishin braktisur veturën që më pas u gjet nga policia, ndërsa me një tjetër automjet janë drejtuar nga fshatrat e Kumanovës ku xhaxhai i Hazirit u ka ndihmuar që të kalojnë kufirin me Kosovën në mënyrë ilegale. Haki Haziri u arrestua më 1 maj, në aksionin policor “Monstra”, por që nga 2 maji ai u zhduk në mënyrë misterioze dhe familjarët nuk dinin asgjë për të, deri më 8 maj, kur u soll para gjykatës po nga policia. Hazirit iu caktua masa e paraburgimit 30-ditor dhe gjendet në burgun e Prilepit. Nën akuzën për përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasjen e pesëfishtë në Smilkovcë gjenden tre persona, ndërsa dy të tjerë janë të akuzuar se kanë ndihmuar për kryerjen e krimit.
Nga korrespondentja
jone ne shkup/ Evis HALILI











