Shqipja në shkolla mbledh albanologët nga gjithë bota

Aug 16, 2011 | 11:01
Dje nga hapja e seminarit në Prishtinë

Gjuha shqipe në tekstet shkollore dhe garantimi i së ardhmes së albanologjisë do të jenë temat kryesore, mbi të cilat do të debatohet përgjatë dy javëve mes albanologësh nga e gjithë bota.Plot 120 syresh janë mbledhur në edicionin e 30-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili nisi dje punimet në Prishtinë. Emra të njohur të albanologjisë nga e gjithë bota, si Polonia, Rusia, Italia, Kina, Turqia, Greqia, Amerika, Gjermania, Japonia, Austria etj., kanë bujtur në kryeqendrën kosovare e do të referojnë mbi tematikën e përcaktuar deri në datën 27 gusht. Sigurisht, në këtë aktivitet nuk mungojnë albanologët nga Shqipëria. Mes tyre, edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prof.dr. Shezai Rrokaj, i cili ishte pjesë e panelit drejtues të seminarit. Në ceremoninë e hapjes, ku morën pjesë edhe drejtues të lartë të Kosovës, si ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ministri i Arsimit, Ramë Buja etj., kjo konferencë, e cila ka edhe përvjetorin e 30-të, u konsiderua më së shumti edhe si një simbol mbijetese. “Organizimi i këtij Seminari, në një kohë dhe sistem që synonte të shtypte vlerat e një kombi, shfaqi fitoren e intelektuales dhe të qytetares së këtij vendi”, është shprehur në fjalën e hapjes organizatori i këtij seminari, Bardh Rugova. “Prej themelimit (1974) seminari u bë log diskutimesh të pjesëmarrësve e studiuesve më të njohur të albanologjike e të kulturës shqiptare në gjithë botën dhe nëpër këtë seminar morën nxitje shumë studentë që tash janë me emër”, ka thënë akademiku Rexhep Ismaili. Siç raportojnë mediat kosovare, drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, ka folur për historikun e kësaj ngjarjeje të madhe kulturore e shkencore dhe ndikimet e saj në arenën ndërkombëtare, duke e quajtur si një epokë më vete. Megjithatë, fokusi i sivjetmë sipas Rugovës do të jenë studiuesit e rinj të albanologjisë dhe punimet shkencore.
Gjuha në shkolla
Që gjuha të mbetet gjallë, nuk mjafton që ajo të përcillet nga njëri brez në tjetrin. Shkolla gjithashtu ka një peshë të madhe në këtë drejtim. Është e trishtueshme të mendosh që shqiptarët të mos dinë ta flasin e ta shkruajnë saktë dhe bukur gjuhën e tyre. Është edhe më e trishtueshme kur konstaton se tanimë ky është një fakt. Deformime të shqipes nuk vihen re vetëm në komunikimin e përditshëm, por në gjuhën mediatike, në literaturën artistike, madje edhe në vetë tekstet shkollore, ku jo rrallë ndeshen gabime drejtshkrimore. “Edhe sivjet, ashtu si herët e tjera, presim shumë nga pjesa shkencore e Seminarit, ligjëratat, referimet dhe kumtesat të cilat tradicionalisht janë të ndara në dy sesione. Sesioni i gjuhësisë sivjet do të ketë temën bosht “Gramatika e shqipes në tekstet shkollore, ndërsa sesioni i letërsisë, temën “Letërsia shqipe e diasporës”, u shpreh drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që po zhvillohet në Prishtinë, Bardh Rugova. Problemet që hasen dhe domosdoshmëria për siguruar një të ardhme të shëndoshë të gjuhës, ka çuar organizatorët e seminarit të vendosin se një nga çështjet për të cilën ia vlen të diskutohet mes albanologësh është pikërisht gjuha shqipe në tekstet shkollore, më konkretisht gramatika e saj. Jo rrallë gjuhëtarët e kanë ngritur këtë problem. Vetëm pak kohë më parë, gjatë prezantimit të Fjalorit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, gjuhëtari Rami Memushaj u shpreh për gazetën “Panorama” se “Dhjetë vjet më parë ne kemi folur për shtypin, për televizionin, por po shikojmë që shtypi i shkruar po tregon një vëmendje për t’u përgëzuar në zbatimin e normave të gjuhës standarde. Ndonëse shtypi ka një ngarkesë shumë të madhe, ka arritur t’i kushtojë kujdesin dhe vëmendjen e duhur. Kurse shkolla ka mbetur shumë mbrapa, së pari sepse nuk kemi mësues të kualifikuar dhe nuk punohet për kualifikimin e tyre. Mësuesit janë të detyruar të bëjnë mastera e lloj-lloj gjërash, por nuk bëhen kurse kualifikuese të zakonshme, ku trajtohen këto probleme dhe jo thjesht dhënie provimesh e kopjimi i ndonjë teme. Problemi tjetër lidhur me shkollën është që tekstet shkollore kanë shumë gabime. Të gjithë ata që kanë fëmijë në shkollë e vërejnë këtë. Ka gabime të panumërta, sepse nëpër shtëpitë botuese mungojnë korrektoret”.

Letersia e diaspores

Diktatura e gjatë në Shqipëri, pastaj ndryshimi i sistemeve, periudha e vështirë në Kosovë, kanë sjellë domosdoshmërinë e rishikimit të vlerave të letërsisë shqipe. Vazhdimisht studiuesit e letërsisë kanë shprehur nevojën e këtij procesi, i cili do të vërë në vendin që u takon shkrimtarët dhe veprat me vlera reale dhe jo të pompuara politikisht. Pjesë e këtij procesi është edhe përfshirja në antologji e tekste shkollore të letërsisë shqipe të krijuar në diasporë. Një letërsi që ka ekzistuar hershëm dhe që po njeh përmasa të reja në kushtet e globalizimit dhe të lëvizjeve migratore.

© Panorama.al

Te lidhura