Shqipëria rrezikon gjobë të majme

Sep 13, 2012 | 15:36

Sendet e hedhura në fushë nga tifozët gjatë ndeshjes Zvicër-Shqipëri pritet t’i kushtojnë jo pak institucionit të futbollit shqiptar. FSHF rrezikon të marrë një gjobë të majme nga FIFA, për shkak se ndeshja u ndërpre për pak çaste, si pasojë e hedhjes së sendeve të forta në fushë nga tribuna ku ishin të vendosur ultrasit shqiptarë. Ka qenë pikërisht një moment, i cili si për ironi është reklamuar nga kosovari Valon Behrami. Ky i fundit ka marrë në dorë sendin e hedhur në fushë dhe ia ka treguar gjyqtarit rumun. Kaq ka mjaftuar për tifozët kuqezi të shpërthejnë, duke mos u mjaftuar me ofendimet në kor. Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, mendohet se FIFA mund të dënojë FSHF-në me 80 mijë dollarë gjobë për sjelljen e tifozëve në Zvicër. Gjithsesi, nëse zyrtarizohet diçka e tillë, nuk përbën ndonjë risi, pasi thuajse në çdo edicion Federata ka marrë një faturë të majme në fund për shkak të sendeve të hedhura në fushë, kryesisht në ndeshjet që janë zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa”. “Ju lutem mos qëndroni te bordurat afër fushës, rrezikoni jetën tuaj. Nëse nuk largoheni që aty, atëherë forcat e rendit do të veprojnë”. Ishte ky reagimi i parë nëpërmjet qendrës së zërit në stadiumin “Suissporarena”. Mirëpo, tifozët shqiptarë ishin të ekzaltuar dhe sigurisht që nuk e pritën mirë këtë qëndrim. Gjatë ndeshjes, nga fonia e stadiumit është folur të paktën 4 herë në gjuhën shqipe për paralajmërimin që u bëhej tifozëve.

© Panorama.al

Te lidhura