“Shqipëria nuk është pronë private”- Emigranti nga Gjermania: Protesta kundër korrupsionit, qeveria palë me krimin! Vendi s’ka nevojë për Ramën, shqiptarët s’e duan

Jun 9, 2026 | 19:44

Mijëra shqiptarë u mblodhën sot në bulevardin para kryeministrisë për ditën e dhjetë të protestës.

Folësit apeluan për rezistencë dhe bënë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Mes folësve ishte edhe një djalë i ri emigrant i ardhur posaçërisht nga Gjermania në mbështetje të protestës. Ai i kujtoi kreut të qeverisë se Shqipëria nuk ishte pronë private dhe se shqiptarët nuk e donin më në krye.

Ai vuri në dukje se protesta nuk bëhej vetëm për Zvërnecin, por edhe për korrupsionin dhe skandalet qeveritare.

“Shqipëria nuk është pronë private, por është atdheu i të gjithë shqiptarëve. Unë e kam lënë vendin kur isha i vogël dhe jam kthyer këtu sepse vendi ynë ka nevojë për ne, për ne dhe të gjithë sa jemi këtu e të gjithë shqiptarët e diasporës. I bëjmë thirrje Diasporës të vijë këtu bashkë me ne. Protesta nisi për Zvërnecin por ajo është kundër varfërisë, korrupsionit dhe qeverisë që është bërë palë me krimin, ndaj jemi mbledhur këtu”, tha ai.

protesta tirane dita e 10 qeveria edi rama (3)

Më tej emigranti i bëri thirrje edhe intelektualëve që t’i bashkoheshin sheshit, ndërsa dha një mesazh për kryeministrin Rama, duke rikujtuar kërkesën kryesore të protestuesve; Dorëheqjen e tij.

“I bëj thirrje të gjithë intelektualëve të Shqipërisë, dilni kundër kësaj qeverie. Shqipërisë s’i mungojnë intelektualët, mjafton t’u jepet zë, të mblidhemi këtu. Poshtë qeveria. Kërkesat tona janë të thjeshta, shfuqizoni ligjet e investimeve strategjike, qeveri teknike, paketën e maleve, portet turistike dhe më e rëndësishmja, ky këtu të dorëhiqet. I bëjmë thirrje Ramës se Shqipëria nuk ka nevojë për ty dhe shqiptarë nuk të duan”, përfundoi ai.

protesta tirane dita e 10 qeveria edi rama (2)

© Panorama.al

Te lidhura