TIRANË- Shqipëria njeh njeh Këshillin Kombëtar të Tranzicionit në Libi, si përfaqësues legjitim të popullit libian. Lajmin e ka dhënë Ministria e Punëve të Jashtme përmes një deklarate për mediat. Sipas saj, qeveria shqiptare, duke vlerësuar lart aspiratat e popullit libian për demokraci e zhvillim, ka ndjekur me simpati dhe ka mbështetur veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, programin e tij për një Libi demokratike dhe e konsideron këtë Këshill si një përfaqësues legjitim të popullit libian.
Kjo, sipas njoftimit vjen pas ndjekjes me vëmendje të krizës në Libi dhe mbështetjes së përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e saj, në zbatim të Rezolutave 1970, 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Qeveria shqiptare është e gatshme të vendosë marrëdhënie me këtë Këshill dhe të japë ndihmën e saj për rivendosjen e paqes dhe ndërtimin e demokracisë në Libi. Shprehim bindjen se, duke ndërmarrë një hap të tillë, mbështesim kauzën e drejtë të popullit libian, për liri e progres”- thuhet në deklaratën e MPJ.











