Kosova po mbron prodhimet vendase duke vendosur taksa të larta mbi importin. Qeveria shqiptare hesht për problemin.
Kërkesat e importuesve të çimentos në Kosovë për heqjen e taksës në nivelin 35% ndaj produkteve të importit, përfshirë edhe Shqipërinë, ka rindezur një debat, i cili fokusohet në investimet e huaja në vend, rëndësinë e tyre në ekonomi, por edhe në punësim. Mbështetja që disa deputetë të parlamentit të Kosovës i dhanë importuesve të çimentos nuk mjaftoi për të ndryshuar situatën dhe qeveria e Thaçit vendosi të mbajë taksën e importit në mënyrë që të mbrojë prodhimet vendase.
Strategjia që po vihet në zbatim nga Thaçi dhe Kusari-Lila ka shkaktuar pakënaqësi tek importuesit, por nga ana tjetër i ka siguruar Kosovës të ardhura të konsiderueshme. Prania e investitorëve të huaj, sidomos në fushën e industrisë ku vlerat e investimit janë në disa qindra mijëra euro, është një ndihmë e madhe për shtetin kosovar. Investime të tilla krijojnë edhe vende pune në zona industriale dhe qyteza të vogla ku punësimi është i vështirë.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Shqipëri, por ndryshe nga Thaçi, qeveria jonë nuk ka reaguar në lidhje me çështjen. Investitorët e huaj ndihen tepër të rrezikuar dhe paralajmërojnë edhe largimin e tyre nga Shqipëria, në një kohë kur kryeministri ka deklaruar se brenda vitit do arrijë të mbledhë dy miliardë euro investime të huaja. “Fakt është se në Shqipëri, vitin e kaluar u investua mbi një miliardë dollarë dhe konvertojini ato në vende pune, në paga. Kjo përbën edhe një nga faktorët kryesorë përse kjo ekonomi ka rritje. Unë gjykoj se në ambicion tonë, ne duhet të synojmë të kapim sa më shpejt dy miliardë dhe pasi të arrijmë në këtë stacion, të mund të përcaktojmë e të themi jo pa realizëm se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme”,- tha kryeministri Berisha në daljen e fundit përpara medias. Ndryshe nga çfarë thotë kryeministri, vetë industria e çimentos ka ngritur një shqetësim madhor dhe ka shpjeguar me detaje se cilat janë rreziqet që i kanosen.
Shqetësimi i industrisë shqiptare të çimentos, e cila ka investuar ne vend më shumë se gjysmë miliardi euro, lidhet me importet kryesisht nga Italia dhe Greqia, të cilat shesin nën kosto vetëm e vetëm që të mbajnë pozitat në treg. Bazuar në ligjin nr. 9790 për vendosjen e masave mbrojtëse kundrejt importeve, industria e çimentos i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që të vendosë taksa për importet e huaja. Sipas të dhënave zyrtare, tregu në vitin 2012 ndodhet në nivel konsumi nën 1.5 milionë tonë çimento në vit dhe mbi 30 % e tij furnizohet nga importet. Kjo lë vetëm një milion ton çimento konsum për t’u ndarë midis dy kompanive vendase të çimentos. Kjo do të thotë 0.5 milion ton për secilin ose një shfrytëzim prej 33 % për konsum të brendshëm. Kjo është absolutisht e pamjaftueshme për të mbajtur të dyja kompanitë e çimentos në funksionim të vazhdueshëm, ndërkohë që mungesa e materializimit te projekteve në infrastrukturë ka çuar në rritje dramatike të kostove të prodhimit.
Prodhuesit italianë që eksportojnë drejt Shqipërisë nga Italia dhe Greqia, e kryejnë eksportin drejt Shqipëria pavarësisht rrethanave, në mënyrë që shfrytëzimi i fabrikave të tyre të çimentos në Greqi dhe Itali të mos bjerë nën 50% të kapacitetit prodhues – pasi në bazë të këtij të fundit ata prodhues kanë fituar të drejtat e CO2 – ndryshe ata do të humbnin 50% të këtyre të drejtave, që përkthehen në disa milionë euro në vit. Këta prodhues madje mund të eksportojnë edhe nën koston e tyre variabël, në mënyrë që të mos humbin të ardhurat e lartpërmendura. Me tkurrjen e tregut të tyre vendas, rritet presioni për shtimin e importit drejt Shqipërisë. Industria shqiptare e çimentos do të shkojë drejt rënies së mëtejshme dhe zhdukjes së mundshme në rast se, në parim, nuk merren masa mbrojtëse drastike në përputhje me Ligjin nr.9790. me qëllim që fabrikat e çimentos në Itali dhe Greqi të shpëtojnë të ardhurat e veta nga tregtimi i të drejtave të CO2 dhe të përballojnë krizën e tyre.
Problemet sociale që vijnë nga largimi i investimeve të huaja
Investimet e huaja dhe teknologjia e avancuar që ato sjellin me vete është një shtysë e madhe për ekonominë shqiptare. Bëhet fjalë për disa qindra miliona euro të investuara në vendin tonë, të cilat shoqërohen edhe me hapjen e shumë vendeve të punës. Ndryshe nga bizneset e vogla, të cilat punësojnë 5-10 njerëz, investimet në industri sjellin shumë më tepër vende pune. Industria e çimentos është një investim që kam vlerën e 600 milionë eurove dhe punëson më shumë se dy mijë njerëz.
Në rast se kjo industri vendos të largohet nga Shqipëria, humbja e parë dhe më e prekshme do të jetë tek punëtorët e saj të drejtpërdrejtë dhe më pas tek të tjerët. Rreth 2000 familje do të humbin të ardhurat dhe kjo nuk është pak për një vend të vogël si Shqipëria nën kërcënimin konstant të krizës ekonomike. Humbjet do të ndihen ndjeshëm edhe nga shteti shqiptar në kuadrin e taksave. Kjo do të thotë më pak të ardhura në buxhetin e shtetit dhe më pak të ardhura për të gjithë shqiptarët.











