
Trajneri Xhani de Biazi: Shqipëri ofensive, nuk do mbyllemi në mbrojtje.
Duka: Do marrin pjesë 8 kombëtare. Po negociojmë.
Shqipëria mund të luajë një ndeshje miqësore me Italinë gjatë muajve të ardhshëm (me shumë gjasë në maj). Lajmin e ka konfirmuar presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka lënë të kuptohet se ndeshja mund të zhvillohet në Palestinë. Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të jetë në negociata me Italinë dhe me Spanjën, por pavarësisht se bisedimet kanë ecur mirë, zyrtarët e FSHF-së nuk ndihen të sigurt. “Ne po punojmë intensivisht për të siguruar dy miqësore në muajin maj dhe një miqësore në gusht. Ju konfirmoj se vazhdojmë të jemi në negociata me Spanjën dhe Italinë, por ama nuk mund të them me siguri nëse do të luajmë apo jo me ndonjë nga këto ekipe. Negociatat kanë qenë të mira deri tani, por nuk kemi përfunduar asgjë zyrtarisht, ndaj nuk mund të nxitohemi”, ka thënë Duka për “Ora News”. Kreu i FSHF-së më pas ka zbuluar edhe disa nga detajet e planit të Shqipërisë për të siguruar një përballje luksi me fqinjët italianë. Në muajin maj pritet që të zhvillohet një turne miqësor në Palestinë, ku do të marrin pjesë tetë kombëtare. Qëllimi i këtij turneu është për bamirësi, por edhe një mundësi e mirë për disa skuadra që marrin pjesë në finalet e Euro 2012 që të bëjnë ndonjë ndeshje testuese. “Pritet të zhvillohet një turne në Palestinë, ku do të marrin pjesë tetë skuadra kombëtare. Jam në dijeni se njëra prej tyre do të jetë Italia, ndaj po punojmë që mes këtyre tetë skuadrave të jetë edhe Shqipëria. Megjithatë, të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Duka. Sakaq, dje ka dhënë një prononcim trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, lidhur me miqësoren ndaj Gjeorgjisë. I pranishëm në Asamblenë zgjedhore të FSHF-së, italiani ka pohuar se nuk ka ende në kokë një modul loje, por e sigurt është se nuk do të luajë në mbrojtje. “Unë nuk e di ende se si do luajë Shqipëria ime. Kam disa ide në kokë, por nuk kam zhvilluar ende një ndeshje që të shikoj me kujdes se çfarë mund të bëj me këtë skuadër. Kam bërë disa zgjedhje, por kjo nuk do të thotë që ata që nuk janë grumbulluar do jenë jashtë, aspak. Thjesht kam dashur që të shoh këtë grup lojtarësh. Lista do të shpallet në ditët në vazhdim, paçka se ju (mediat) tashmë e keni pak a shumë të qartë grupin që kam grumbulluar”, ka pohuar De Biazi. Sakaq, lidhur me lojtarët shkodranë, duke qenë se Asambleja zhvillohej në Shkodër, italiani ka pohuar se nuk bën dallime mes qyteteve. “Unë kam parë disa lojtarë në kampionatin shqiptar dhe do të shikoj me kujdes edhe shumë të tjerë. Nuk kam ndër mend të bëj dallime se nga cila skuadër apo qytet vijnë, mjaft që ta meritojnë thirrjen në Kombëtare”, ka përfunduar De Biazi.
Edgar Çani: Debutoj me gol te Shqipëria
Edgar Çani do të luajë për herë të parë me ekipin tonë përfaqësues. Sulmuesi shqiptar i rritur në Itali (ka ikur 11 muajsh nga Shqipëria), tashmë pjesë e skuadrës Polonia Varshava në kampionatin polak, ka treguar emocionet e para pasi mori ftesën e trajnerit Xhani de Biazi për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë. Çani ka zbuluar edhe një sekret të vogël, i cili i përket së shkuarës, kur ai sapo kishte shkuar te skuadra e Palermos, drejtuesit e së cilës nuk e lejuan që të udhëtonte drejt Tiranës për të luajtur një ndeshje me ekipin kuqezi. “Jam i lumtur që më në fund mora një ftesë nga Shqipëria. Kam pasur shansin në fakt që të vesh fanellën e vendit tim para disa vitesh kur isha te Peskara dhe më pas kalova te Palermo. M’u bë një ftesë nga trajneri i Shqipërisë në atë kohë, por drejtuesit e Palermos nuk pranuan që unë të shkoja në Shqipëri, pasi isha në momentet kur po kryhej transferimi nga Peskara te Palermo dhe nuk ishin firmosur të gjitha detajet e kontratës. Sigurisht nuk kam pritur ftesë nga Italia, edhe pse aty kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Familja ime emigroi nga Shqipëria drejt Italisë kur unë isha shumë i vogël dhe u rrita e studiova në Peskara. Gjithsesi, jam mjaft i kënaqur që tani do luaj për Shqipërinë”, ka thënë Çani në një intervistë për mediat polake.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











