“Shqipëria, i vetmi vend ku vidhet autori”- Artistët denoncojnë në Vetting, Kapidani: S’kam asnjë fije fitimi! Gjergj Leka: Pagesat e AlbAutorit janë ofenduese! S’është vetëm tek paraja, por respekti e dinjiteti

Nov 20, 2025 | 20:25

 EMISIONI VETTING

Në fillim të shtatorit 2025, startup-i i inteligjencës artificiale “Anthropic” do të pranonte të paguante 1.5 miliardë dollarë për padinë për pirateri librash. Ndaj kompanisë së inteligjencës artificiale ishte ngritur një padi kolektive nga autorë librash, të cilët e akuzonin kompaninë se u kishte përdorur kopje të piratuara të veprave të tyre për të trajnuar sistemet e tyre.

Marrëveshja historike, për të cilën Gjykata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dhënë një miratim paraprak që shuma t’u paguhet autorëve, mund të shënojë një pikë kthese në betejat ligjore mes kompanive të AI-së dhe shkrimtarëve, artistëve vizualë dhe profesionistëve të tjerë krijues. Në këtë rast, kompania ka pranuar t’u paguajë autorëve rreth 3 mijë dollarë për secilin nga rreth 500 mijë librat e përfshirë në marrëveshje.

Por teksa në SHBA lëvizin miliarda dollarë për abuzimet me të drejtat e autorit, në Shqipëri nëpër koncerte, bare dhe televizione vendosen në mënyrë të paligjshme veprat e artistëve pambarimisht dhe janë po artistët, që në fund marrin vetëm 10 mijë lekë ose 100 euro në vit nga Agjencitë e Administrimit Kolektiv.

“Në Shqipëri luajmë nëpër skena, në teatër, në festivale dhe jemi të pranishëm në televizion. Publiku na do sepse i përkasim këtij vendi ndërkohë që ligji nuk na do, ne jemi të pambrojtur nga ligji. Ekziston Albautori, ekzistojnë ligjet, por unë nuk kam asnjë fije fitimi nga transmetimet e pjesëve të mia, orkestracioneve të mia, të cilat bëhen në mediat shqiptare. Pra, kjo gjë është më të vërtet preokopuese”, u shpreh për “Vetting” kompozitori Markelian Kapidani.

Në redaksinë e emisionit “Vetting” ka ardhur denoncimi nga një grup artistësh, këngëtarësh, kompozitorësh dhe dirigjentësh për faktin se nuk po u paguhet e drejta e autorit. Ata kanë denoncuar subjektet që përdorin veprat e tyre si rastin me koncertet, baret, lokalet, televizionet dhe një ndër shqetësimet kryesore ishin dhe Agjencitë e Administrimit Kolektiv.

Sipas kompozitorit Gjergj Leka, institucionet publike dhe agjencitë që merren me të drejtën e autorit kanë përfituar pamasë nga kjo situatë.

“Shumë herë na thonë duke u justifikuar që kemi pak para, nuk kemi paguar agjencitë e tjera të na i shpërndanin ne e shumë e shumë, nga këto kantilena që kam vite që i dëgjoj. Pastaj kur konkretisht kemi hulumtuar, gjërat na kanë dalë ndryshe”, shprehet i zhgënjyer kompozitori Leka.

Natyrisht problemi nuk është vetëm te agjencitë, pasi vetë agjencitë duhet të kenë të ardhura që të shpërndajnë, por edhe te ligji, konkretisht te zbatimi i ligjit për të Drejtën e Autorit.

Sipas ekspertes të së  drejtës së autorit Mirlinda Çollaku, ky ligj nuk po zbatohet në vendin tonë.

“Produkti është që autorët dhe artistët janë ndër më të varfërit në Europë, përfitojnë jashtëzakonisht shumë pak pagesa për shkak se këtu të ardhurat nuk mblidhen dhe sepse pse ky ligji i pazbatueshëm. Këtu sigurisht përgjegjësinë e kanë institucionet shtetërore që kanë për detyrë ta monitorojnë këtë treg, gjë të cilën nuk e bëjnë”, tha për “Vetting” ekspertja Çollaku.

E drejta e autorit është po aq e rëndësishme sa kapitujt e tjerë që Shqipëria duhet të plotësojë për integrimin në Bashkimin Europian, pasi ka kapitullin nr.7 totalisht të dedikuar për këtë çështje.

Në një nga nenet më të rëndësishme në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut shkruhet se “gjithkush ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale që rrjedhin nga çdo krijimtari artistike, shkencore dhe letrare, autor i të cilave është ai vetë”.

Shqipëria ka shumë probleme në mbrojtjen e së drejtës së autorit dhe një problematikë të theksuar me institucionet që duhet t’i mbrojnë dhe organizatat jofitimprurëse ose ndryshe agjencitë e administrimit kolektiv për të drejtat e autorit. Këto të fundit kanë qenë në qendër të vëmendjes për shkak të denoncimeve të shumta që kanë bërë këngëtarët dhe kompozitorët që janë të zhgënjyer nga të ardhurat që kanë marrë.

“E drejta e autorit nuk është thjesht para, është respekt, është dinjitet dhe shpërndarja e këtyre parave nga AlbAutori është ofenduese”, shprehet i indinjuar  kompozitori Gjergj Leka.

Nga deklaratat e autorëve kupton se problemi shtrihet në disa fusha duke filluar me zbatimin e ligjit të Për të Drejtën e Autorit, problemet nga Drejtoria e së Drejtës së Autorit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si edhe mungesa e transparencës nga agjencitë e administrimit kolektiv.

Shqipëria pa strategji kombëtare për të drejtën e autorit

Disa vite pas krijimit të ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit në 2016, Shqipëria do të gjendej pa një strategji kombëtare për mbrojtjen e së drejtës së autorit. Konkretisht në periudhën 2019-2022 vendi ynë nuk do të kishte  një strategji veprimi për të zbatuar këtë ligj dhe për të siguruar të ardhurat për autorët që kanë një krijimtari artistike, e cila është e kërkuar nga publiku.

Institucioni që ka rolin kryesor në këtë drejtim është Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila vepron nëpërmjet Drejtorisë të së Drejtës së Autorit. Një institucion tjetër i rëndësishëm është Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila në fushën e vet të përgjegjësisë ka Pronësinë Industriale dhe mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale.

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit shkruhet se në mungesë të një strategjie të dedikuar për të drejtën e autorit, si dhe mosparashikimin e saj në Strategjinë Kombëtare për Kulturën 2019-2025, mungon vizioni nga Ministria e Kulturës për të drejtën e autorit pasi nuk ka realizuar objektivatë në  këtë drejtim.

© Panorama.al

Te lidhura