Shqipëria e arkivit nga 1911-2009

May 16, 2012 | 15:16
Dasëm malësore në fillim të shekullit XX

Muzika në sfond të kujton filmat e Çaplinit. Edhe shpejtësia, me të cilën lëvizin figurat, po ashtu. Tingujt e pianos shoqërojnë këmbët që zhyten në baltë të ca fëmijëve të leckosur, burrave me rroba të pista dhe kopeve të bagëtive. Është Shkodra e vitit 1911, pamje të dhuruara nga Arkiva e Malit të Zi, që hapin një film-montazh prej 40 minutash, që u shfaq dje në 65-vjetorin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Pas një ceremonie, e cila u pre në mes nga shkëputja e energjisë elektrike, fjalës përshëndetëse të drejtoreshës Elvira Diamanti, e cila nuk ngurroi të tregonte problemet e institucionit, fjalës së ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi dhe kujtimeve të regjisorit Pirro Milkani, të pranishmit ndoqën një material filmik që niste nga viti 1911 deri në vitin 2009, me futjen e Shqipërisë në NATO. “Nuk duam të bëjmë historianët, por të tregojmë se çfarë disponojmë”, thotë Diamanti, duke ua lënë fjalën pamjeve filmike, të cilat vijnë bruto, pa komente të shtuara, veç tingujve të pianos.

Shqipëria e baltës
Pamjet e Shkodrës së ‘11-s i ndjek ardhja e princ Vidit në vitin 1914. Princi i veshur me uniformë ushtarake, i shoqëruar nga zonja me kapele me pendë, përshëndetet me shoqëruesit e hipën në barkën që do ta zbresë në Portin e Durrësit. Më tej, pamje nga Shqipëria e viteve ’14-’20. Fshatarë me tirqe, fëmijë këmbëzbathur që u kërkojnë para kalimtarëve, çingie që dredhin belin, qerre me buaj, burra këmbëkryq e tek-tuk ndonjë qejfli kamere që rri-rri, e nxjerr kokën para objektivit. Interesante pamjet nga vizita e Mbretit Zog në Shkodër. Makina e Mretit paraprihet nga kalorës dhe “eskorta” e biçikletave, të cilat i ngasin ca burra të veshur me kostume popullore. Gati shokuese janë pamjet e viteve ’27-’37, të cilat fokusohen tek ritet. Dasma është tronditëse. Nusja nxirret e mbuluar dhe mbahet nga dy krahët si të ishte peng. E tërheqin të mos bjerë nga shkallët dhe pastaj hipet mbi një mushkë, ku qëndron jo vetëm e mbuluar, por edhe shtrirë mbi kafshë. Pas vjen paja e nuses. Kur mbërrin tek shtëpia e dhëndrit, gratë përpiqen të fusin kokën nën duvak e të shohin nusen. Dhe kur e zbulojnë, nusja i ka sytë e mbyllur. Periudha e Zogut paraqitet me pamje më optimiste. Kryeqyteti ka nisur të ndërtohet, festa, parada, princesha, dasma e Mbretit e pasuar menjëherë nga pushtimi italian, zbarkimi i tankeve, ushtarëve me biçikleta. Në vitin 1943 zbarkojnë trupat gjermanë, në 1944 ata angleze dhe pastaj çlirimi i Shqipërisë.
Diktatura
Periudha pas çlirimit vjen me dy anët e medaljes. Nga njëra anë ndërtimi i vendit, ngritja e hekurudhave, urave, aksionet vullnetare dhe nga ana tjetër terrori komunist, i cili vjen përmes pamjeve nga gjyqet famëkeqe të “spiunëve”, “diversantëve” dhe “bashkëpunëtorëve” të imperialistëve anglezë. Ekzekutime në “Emër të popullit”. Nuk mund të mungojë miqësia me rusët, vizita e Hrushovit që kërcen valle popullore dhe Enver Hoxha i krekosur dhe prej buzëqeshjes i rrëzëllen dhëmbi i florinjtë. Pastaj dashuria me kinezët, dollitë me krahë të kryqëzuar me udhëheqësit kinezë dhe kërcimet tradicionale kineze, ku përfshihet edhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Manush Myftiu. Në vitin 1967 nis “revolucioni ideologjik”. Njerëz të ekzaltuar, që u vënë kazmën kishave, xhamive e tyrbeve. Fëmijë fare të vegjël këndojnë “Moj partia jonë trime dhe moj/ ç’i bëre armiqtë thërrime dhe moj”. Ushtrime gjimnastikore, zbore…. Në 1985 vdes Enver Hoxha. Fundi i viteve ’80 i ka zhytur shqiptarët në një krizë urie. Nga njëra anë, radhë të gjata para dyqaneve, nga ana tjetër Piramida e udhëheqësit të vdekur, bunkerët dhe Blloku i ruajtur me ushtarë.
Pas viteve ‘90
Dhjetëvjeçari i ri do të pagëzohej nga eksodi drejt vendit matanë. Njerëz me fëmijë në krah që rendin të kapin trenin, të tjerë që përpiqen të hipin në anije prej litarëve. Pamje rrëqethëse, që të merr të qarët. Më tej ardhja e demokracisë, protestat e studentëve, rënia e bustit, të cilat janë kaluar shumë shpejt, për të mos i dhënë shumë ngjyra politike. Në vitin 1993, tokën shqiptare e bekon vetë Papa Gjon Pali II dhe Nënë Tereza. Në vitin 1999, shqiptarët do përballeshin me një tjetër krizë, atë kosovare. Montazhi filmik mbyllet me një pamje optimiste. Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s më 4 prill 2009.

© Panorama.al

Te lidhura