Pas një sërë ngjarjesh problematikë me komunitetin rom, qeveria vendos të angazhohet më shumë në ndihmë të tyre. Shqipëria do të paguajë një kuotë prej 20 mijë eurosh si anëtare e “Dekadës së romëve”. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin “Për anëtarësimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në deklaratën ‘Dekada e romëve'”. Në këtë mënyrë, Shqipëria vendos anëtarësimin jo vetëm “de juro”, por edhe “de facto” nëpërmjet kuotave në “Dekadën e romëve”. Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare është e vendosur të punojë në mënyrën më serioze, të ndihmojë romët dhe egjiptianët në Shqipëri që kanë një kontribut të madh, që kanë derdhur lumenj djerse në këtë vend, për të kapërcyer pasojat e diskriminimi shekullor mbi ta.” Dekada e romëve është dhjetëvjeçari i shpallur nga OKB me mbështetje të shumë lobistëve, të cilët e kanë bërë çështjen e romëve një çështje të tyren, nxjerrjen e kësaj popullate të shpërndarë në shumë shtete të Europës, midis tyre edhe në Shqipëri, nga pasojat shekullore të diskriminimit që kanë rënë mbi to. Qeveria po punon dhe do të punojë me përparësi të madhe në drejtim të strehimit të tyre, të shkollimit të tyre, të punësimit të tyre”, tha Berisha. Ai gjithashtu shtoi se është negociuar me institucione financiare ndërkombëtare dhe tani së fundi me Bankën për Zhvillim të KE, e cila dëshmoi disponibilitet të plotë. “Guvernatori Alomar ishte plotësisht i gatshëm dhe e mirëpriti kërkesën tonë për të na financuar projekte për të ndryshuar jetën e romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri, si grupet më të skajuara dhe më të harruara të vendit”, tha Berisha











