Shqipëri spektakolare, përmbysim një “Mal”

Aug 11, 2011 | 13:46
Lojtarët e Kombëtares, duke festuar shënimin e golit të parë

Shqipëria fiton sërish ndaj Malit të Zi, këtë herë duke dhuruar edhe drithërima e spektakël.Tre gola, njëri më i bukur se tjetri, sfumuan dopietën e Saviç duke i falur trajnerit Josip Kuzhe një tjetër fitore në një takim miqësor: e 6-ta në 11 ndeshje (3 barazime, 2 humbje). Bogdani, Hyka dhe në fund Salihi ngritën në peshë “Loro Boriçin”, i cili edhe pse jo në kapacitetin e tij, ishte një panoramë më vete pozitive për Kombëtaren shqiptare. Gjithsesi, përpos rezultatit pozitiv, duhet thënë se skuadra ka ende probleme në repartin e mbrojtjes, në momente të caktuara aty vërehen shushatje e hutime që na kushtojnë jo vetëm lojën e bukur, por edhe rezultatin. Për fat të mirë, mbrëmjen e djeshme gabimet e Ujkanit dhe të dyshes së qendrës Cana-Curri, në rastin e dy golave të malazezëve u zhvlerësuan nga trioja Bogdani-Hyka-Salihi.
Pjesa e parë – Në një stadium me jo shumë tifozëri, kjo edhe për faktin se sipas shkodranëve çmimi i biletave për këtë ndeshje miqësore ishte i lartë, Kuzhe bën një surprizë duke lënë Bakajn në stol dhe duke futur nga minuta e parë Muzakën. Gjetja e kroatit nuk është edhe aq e goditur, duke parë se loja e mesfushorit me tipare sulmuese të Skënderbeut nuk dha atë që pritej. Gjithsesi, në fraksionin e parë të lojës janë tanët ata që kërkojnë më shumë të shënojnë dhe Bogdani bën të pamundurën për të mbajtur gjithnjë në alarm mbrojtjen malazeze. Pas disa rasteve, vjen një kros në zonë nga ana e Agollit që preket me kokë nga Curri fillimisht, më pas në supin (ishte gati parakrahu, për hir të së vërtetës) e Bogdanit dhe përfundon në rrjetë. Ka entuziazëm te Shqipëria dhe një lloj hutimi te Mali i Zi. Gjithsesi, miqtë arrijnë të kthejnë gjithçka në një gabim fatal të Ujkanit, i cili nuk del në kohën e duhur për të grushtuar një top në zonë dhe parakalohet nga Saviç, që nuk e ka të vështirë të barazojë.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë i lojës nis me disa zëvendësime nga të dyja skuadrat, por që si fillim japin rezultat te miqtë. Një kros në zonën e Ujkanit gjen të papërgatitur Canën dhe Currin, të cilët nuk mbulojnë dot sërish Saviç dhe… kalojnë në avantazh malazezët. Pas golit të avantazhit, ka disa momente acarimi te tifozët, të cilët të provokuar edhe nga një lojtar i Malit të Zi (Batak), hodhën disa shishe plastike në fushë. Ndërkaq, Kuzhe merr masat duke hedhur në fushë Hykën dhe Bakajn, dy lëvizje këto që do të rezultonin mjaft të goditura. Futja e Bakajt i dha më shumë fantazi sulmit të skuadrës sonë duke e gjallëruar së tepërmi, por ajo që binte në sy ishte fakti se skuadra nuk u demoralizua, sikundër ndodh gjithnjë, por kërkoi golin e barazimit me të gjitha mënyrat. Kështu, një spondë e bukur e Salihit për Hykën në hyrje të zonës solli edhe një gjuajtje të bukur të këtij të fundit, që la të shtangur portierin Bozoviç. Barazim dhe që aty nis ftesa. Por kjo festë nuk do të kishte kuptim pa golin e “djalit të shtëpisë”. Një kros i Currit nga e djathta në zonë solli një rroveshatë të jashtëzakonshme të Salihit, i cili shënon një gol spektakolar për kopertinë e manual futbolli. Nga këtu, Shqipëria nisi të administrojë lojën duke mos lënë hapësira për kundërshtarin. Nga ana tjetër, Kuzhe bën të gjitha zëvendësimet (përveç Beqajt) duke fiksuar një tjetër fitore në miqësore.

Shqipëri-Mal i Zi 3-2

Shënues: Bogdani 32′, Hyka 64′, Salihi 70’/ Saviç 40′, 47′
Kartonë të verdhë: Cana 73’/ Kastelan 32′, Basha 43′, Baliç 57′
Stadiumi: “Loro Boriçi”, Shkodër
Gjyqtarë: Anton Genov/ N.Angelov dhe I.Valçev (BUL)
Shqipëria: Ujkani, Dallku, Cana, Curri, Vangjeli, Bulku (Duro 65′), Lala (Teli 59′), Agolli (Bakaj 53′), Muzaka (Hyka 54′), Bogdani (Kapllani 59′), Salihi (Lila 76′). Trajner: Josip Kuzhe.
Mali i Zi: Bozoviç, Baliç (Delibasiç 68′), Basha (Novakoviç 59′), Dudoviç (Batak 46′), Saviç, Zverotiç, Fatiç (Gërbiç 61′), V.Bozoviç, Kastelan (Çetkoviç 46′), Vukçeviç, Jovetiç. Trajner: Zllatko Krajnçar.

75 ndeshje
ka luajtur me Kombëtaren Altin Lala.
Ai është futbollisti me më shumë ndeshje në përfaqësuese, duke lënë
pas me një ndeshje më pak Klodian Duron
(74) e Foto Strakoshën (73).

Incidenti, ja pse u shkaktua

Në minutën e 50-të të pjesës së dytë, një furi me shishe plastike të hedhura në fushën e lojës bënë që takimi të ndërpritej menjëherë. Por, çfarë ndodhi me të vërtetë? Pas shënimit të golit të avantazhit, miqtë nga Mali i Zi nisën të revokonin lojtarët tanë, por edhe tifozët. Rasti më fatal ishte me mbrojtësin Batak, i cili luan me FC Mogren në kampionatin malazez (i vetmi lojtar i Kombëtares së Malit të Zi që luan në kampionatin vendës). Ky i fundit u kthye nga tifozët duke u drejtuar krahun. Ky gjest nuk është pritur aspak mirë nga tifozët, të cilët edhe nën nervat e pësimit të golit të disavantazhit nuk duruan më duke hedhur shishe në fushë.

Kuzhe: Salihi  impresionues, tani radha e Francës

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ka vlerësuar mjaft lojën e skuadrës së tij, duke vënë në pah edhe disa të meta në pësimin e dy golave. Ai ka komentuar si impresionuese lojën e Salihit, duke prekur në fund edhe temën e të rinjve, si Vajushi e Roshi. “Kjo fitore që kemi arritur është me shumë vlerë, pasi e kemi arritur përballë një kundërshtari shumë të fortë, i cili në grupin që bën pjesë, ka skuadra tejet të forta. Patëm momente të mira dhe jo të mira. Gjithsesi, jam shumë i lumtur për këtë fitore të arritur. Pas golit të tyre, ne u shthurëm dhe mund të pësonim gola të tjerë. Por, pas kalimit të minutave, e kemi marrë kontrollin e lojës në dorë. Për sa i përket Ujkanit, mund të them se është një portier shumë i mirë, pavarësisht takimit të sotëm. Kam shumë besim tek ai. Ndërsa mund të them se për të dy lojtarët këta gola do të vlejnë personalisht, për të rritur besimin për ta. Po nuk mund të them këtë për Francën. Ndërsa mund të them se ne kemi disa lojtarë të rinj, që presin të aktivizohen, si Vajushi, por edhe Roshi. Ata janë objektivi ynë jo për këtë kompeticion, por për të ardhmen, pas përfundimit të këtyre kualifikimeve. Dhe në fund, goli i Salihit ishte impresionues”, ka pohuar Kuzhe dje në konferencë për shtyp. Ndërkohë që konferenca për shtyp me trajnerin e Malit të Zi, Zllatko Krajnçar, nuk u zhvillua për mediat shqiptare, sepse mungonte përkthyesi. Nga ana tjetër, edhe vendi i konferencës ishte afër tifozëve malazezë, të cilët nuk kanë dashur ta lënë trajnerin e tyre të komunikonte me mediat.

Erjon Bogdani donte goleadë: Mund të shënonim shumë

Sulmuesi kryesor i Kombëtares shqiptare, Erion Bogdani, deklaroi ndër të tjera pas ndeshjes së mbrëmshme, se skuadra mund të kishte realizuar më shumë se tre gola kundër Malit të Zi. Lojtari 34-vjeçar është i lumtur që arriti të shënonte, teksa tashmë shpreson të bëjë një gjë të tillë edhe ndaj Francës më 2 shtator. “Mendoj se ishte një lojë e mirë për skuadrën tonë, edhe pse në fillimin e pjesës së dytë patëm një moment hutimi, i cili na kushtoi me pësimin e dy golave. Gjithsesi, pas kalimit në avantazh, nisur edhe nga rastet që krijuam, mund të kishim shënuar më shumë gola,”- është shprehur fillimisht Bogdani. I pyetur për golin e 13-të që shënoi me fanellën kuqezi, duke iu afruar rekordmenit Alban Bushi, sulmuesi shtoi: “Nuk kanë rëndësi statistikat. Megjithatë, më duhet të pranoj se ky gol vlen shumë për mua. Nuk ka filluar ende sezoni, por jam stërvitur fort gjatë kësaj periudhe te Çezena, të them të drejtën ndihem mirë fizikisht. Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm, si në ndeshjet që do luaj me Kombëtaren, ashtu edhe në kampionatin italian”. “Veterani” i Kombëtares kuqezi komentoi edhe takimin e radhës kundër Francës, i vlefshëm për eliminatoret e EURO 2012. “Përballja me francezët është krejt tjetër nga ajo që ne luajtëm sot (dje) kundër Malit të Zi. Ndryshon miqësorja nga ndeshja që do të luajmë më 2 shtator në Tiranë. Për këtë takim na duhet shumë, pasi kundërshtari është më i fortë dhe sigurisht një emër i madh. Motivimi ynë do të jetë edhe më i madh, kështu besoj se do të bëjmë më të mirën për të arritur një rezultat pozitiv. Kombëtarja ka treguar se di të luajë edhe ndaj emrave të mëdhenj të futbollit. Në fushën tonë nuk është çudi që ta mposhtim edhe Francën. Mbështetja e publikut është një faktor i rëndësishëm. Unë jam optimist për këtë ndeshje,”- ka përfunduar Bogdani.

Hamdi Salihi

“Ishte një ëndërr dhe një kënaqësi që shënova në Shkodër. Falënderoj gjithë publikun, të gjithë ata që më mbështetën gjatë ndeshjes dhe sidomos në momentet kur jam larguar nga fusha. Shpresoj që ky gol të vlejë shumë për mua edhe për sa i përket takimit me Francën. Besoj dhe shpresoj që të shënoj edhe ndaj një kundërshtari si Franca për të marrë një rezultat pozitiv”, ka pohuar dje Salihi pas përfundimit të takimit.

Lorik Cana

“Përgjithësisht ishte një lojë e mirë. Patëm luhatje gjatë pjesës së parë, por ajo që duhet vlerësuar është karakteri që tregoi ekipi. Arritëm të përmbysnin një rezultat dhe të fitonim një takim që nuk ishte i lehtë, pasi përballë kishim një kundërshtar të fortë si Mali i Zi. Mendoj se lojtarët e rinj që u aktivizuan gjatë pjesës së dytë bënë më të mirën e tyre gjatë minutave të aktivizuara. Dhe treguan se po përshtaten mirë me skuadrën”, ka pohuar Cana.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura