Qeveria ka vendosur që qytetarët që kanë ndërtuar ndërtime pa leje, që preken nga shpronësimet për interesa publike, të marrin paratë e shpronësimit, por duke plotësuar disa kushte. “Përjashtimisht, për investimet në akse rrugore kombëtare, shpronësohen edhe zotëruesit privatë të objekteve/ pasurive të paluajtshme të paregjistruara në regjistrat publikë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Enti që bën shpronësimin ka të drejtë të kryejë procedurat e shpronësimit ndaj zotëruesve të këtyre pasurive, pas plotësimit të kushteve”, përcaktohet në vendim.
LEGALIZIMI
Sipas vendimit të qeverisë për të përfituar pronarët e objekteve pa lejë, edhe pse nuk e kanë objektin e ndërtuar regjistruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të paktën të kenë filluar procedura që njihen si hapa drejt legalizimit. Ndër këto hapa mund të jenë procedura të filluara pranë ALUIZNI- t për vetëdeklarim, pra është filluar paraqitja e dokumentacionit tek Agjencia e Legalizimit, Urbanizmit dhe Integrimit te Zonave/Ndërtimeve Informale. Ndërkaq, një rast tjetër që mund të përfitohet është ai kur objekti i ndërtuar pa lejë gëzon statusin i vetëdeklaruar e i kualifikuar më parë për leje legalizimi nga ALUIZNI. Rasti i tretë në fakt përfshin rastin kur zotëruesit e objektit janë në proces për t’u pajisur me leje legalizimi. Kjo vërtetohet kur “disponohet një akt i Këshillit të Ministrave, i botuar në “Fletoren zyrtare”, në zbatim të ligjit Nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, që identifikon objektin e tyre dhe këtë subjekt (person fizik/juridik) si zotërues të objektit pa leje apo shtesës pa leje në parcelën ndërtimore apo subjekti zotërues ka ngritur objektin në tokë të tij /shtetit dhe nuk është skualifikuar nga procedura e legalizimit”.
PRONARËT
Pronarët e objekteve pa lejë që shpronësohen për interes publik, në rast se përmbushin kushtet e përcaktuara në vendim, do të marrin paratë e shpronësimit sipas hartës së vlerës së tokës në fuqi. I njëjti vendim numër 138 ndryshoi edhe në fillim të këtij viti, ku u përcaktua që për raste të veçanta vlera e shpronësimit mund të rritej apo ulej në raport me çmimin statik që ka harta e vlerës së tokës. Ky rast përjashtimi ndodh vetëm në rastet ku procedura iniciohet nga ministri përgjegjës për investimin dhe merr edhe miratimin e Ministrit të Financave. Pronarët ndërkohë nga ana e tyre duhet që të zgjidhin vetë problemet që mund të ekzistojnë për pronësinë apo pretendimet e palëve të treta. ALUIZNI-t ndërkaq i lind një tjetër detyrë sipas vendimit të miratuar dje në qeveri, ku përcaktohet se ky institucion ka për detyrë që për të gjitha dosjet e subjekteve vetëdeklaruese, të kualifikuar për shpronësim, arkivon me shënim të veçantë dosjen dhe pezullon çdo veprim administrativ të mëtejshëm me marrjen e urdhërimit për pezullim nga ministria e linjës.
NDRYSHIMET NË LIGJ
1. Në vendimin nr.138, datë 23.3.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Përjashtimisht, për investimet në akse rrugore kombëtare shpronësohen edhe zotëruesit privatë të objekteve/ pasurive të paluajtshme të paregjistruara në regjistrat publikë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Enti që bën shpronësimin ka të drejtë të kryejë procedurat e shpronësimit ndaj zotëruesve të këtyre pasurive, pas plotësimit të kushteve të mëposhtme:
a) Zotëruesit e objektit janë në proces administrativ pranë ALUIZNI-t sipas ligjit Nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar;
b) Ndërtimi pa leje ose shtesa pa leje që zotëron subjekti që shpronësohet, gëzon statuset i vetëdeklaruar e i kualifikuar më parë për leje legalizimi nga ALUIZNI, sipas të gjitha kritereve të vendimit Nr.438, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, të ndryshuar;
c) Zotëruesit e objektit janë në proces për t’u pajisur me leje legalizimi pasi:
i) disponohet një akt i Këshillit të Ministrave, i botuar në “Fletoren zyrtare”, në zbatim të ligjit Nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, që identifikon objektin e tyre dhe këtë subjekt (person fizik/ juridik) si zotërues të objektit pa leje apo shtesës pa leje në parcelën ndërtimore;
ii) subjekti zotërues ka ngritur objektin në tokë të tij / shtetit dhe nuk është skualifikuar nga procedura e legalizimit.
Procedurat e mësipërme të shpronësimit quhen të kryera nga çasti kur zotëruesi i objektit pa leje apo shtesës pa leje i nënshkruan Entit që kryen shpronësimin, deklaratën sipas aneksit 1, dhe hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave.
Të gjitha detyrimet ndaj personave të tjerë dhe të tretëve, në lidhje me të drejtat e pronës, zgjidhen nga zotëruesit.
Përjashtimisht, në zbatim të detyrimeve sipas këtij akti, ALUIZNI qendror, për të gjitha dosjet e subjekteve vetëdeklaruese, të kualifikuar sipas paragrafit 1, arkivon me shënim të veçantë dosjen dhe pezullon çdo veprim administrativ të mëtejshëm me marrjen e urdhërimit për pezullim nga ministria e linjës. Këto dosje të ALUIZNI-t arkivohen si praktika të veçanta pas dërgimit nga MPPTja të listës së pasurive dhe numrit rendor të subjektit në vendimet respektive të Këshillit të Ministrave dhe janë subjekt depozitimi në Arkivin e Shtetit.”
NERTILA MAHO
© Panorama.al











