Shpresa Merdani: Çerek shekulli internim, “taksa” që i paguam diktaturës

Jun 26, 2011 | 12:59
YLBER DHE SHPRESA MERDANI NE DITET E SOTME

Ajo nga dera e Ballollëve, ai nga e Merdanëve. Dy familje të mëdha korçare që i lidhi një martesë, por edhe fati i hidhur i internimeve. I ati i Shpresa Merdanit u dënua me 101 vjet burg në gjyqin famëkeq të “deputetëve” dhe familja u end kampeve të internimit. I shoqi, Ylberi, u dënua për ca poezi… Shpresa tregon kalvarin 24-vjeçar të të dyja familjeve

“Që në shkurt të vitit 1991, bashkarisht me një grup të burgosurish politikë krijuam në Korçë degën e ‘Shoqatës së të burgosurve, internuarve dhe të persekutuarve politikë’, e para degë në Shqipëri. Bashkëshorti im, anëtar i komisionit nismëtar të krijimit të ‘Shoqatës kombëtare’, u zgjodh kryetar dhe, mbas largimit të tij, unë jam sekretare e degës Korçë që nga viti 1994 dhe anëtare e kryesisë së ‘Shoqatës kombëtare të të persekutuarve politikë antikomunistë të Shqipërisë'”.
Kjo është historia e Merdanëve, që janë vendosur në Korçë 300 vjet më parë. Kishin qenë tregtarët më të dëgjuar të qytetit të Korçës. “Rexhepi, daja im,- tregon Ylber Merdani,- ishte një nga tregtarët më të njohur të Korçës. Në vitin 1919 formuan firmën tregtare “Magazina Drejtësia, Rexhep Merdani Ko”, ku ishin bashkëpronarë Fuati, Qemali dhe Reshat Merdani. Tashmë është e dokumentuar se fisi Merdani ishte bamirës i njohur i qytetit të Korçës. Paguanin prikat e vajzave të varfra, ndihmonin fëmijët jetimë. Ndërsa bënin herë pas here dhurata te familjet e varfra. Ndihmonin shkollat, spitalin, jetimoren. Nuk ngurronin asnjëherë të jepnin fonde për ndërtimin e rrugëve. Ndihmonin kolegët e tyre për të hapur dyqane, ndërsa iu jepnin mall pa pagesë, me qëllim që t’i shlyenin si të kishin shitur mallin, por edhe kur të kishin forcuar pozitat e tyre ekonomike”, përfundon tregimin e tij Ylber Merdani, autor i shumë librave me poezi, nismëtar i krijimit të “Shoqatës së të përndjekurve politikë”, ku merrte pjesë edhe bashkëshortja e tij, Shpresa, anëtare e grevës së urisë në Korçë, e cila përfundoi në shtator të vitit 1991. Tashmë, kryetar nderi i “Shoqatës së të përndjekurve

Shpresa Merdani me një nga fëmijët

politikë”. Këtyre copëza rrëfimesh që ruan me kujdes Shpresa Merdani bashkë me të shoqin, u rikthehen shpesh, sepse gjithë ç’kanë, kujtime të dhimbshme e të bukura (vetëm pas ’90-s) i kanë ndarë tok. E ata që i kanë provuar, e dinë që thuajse përherë vitet e gjata të mundimeve dominojnë mbi ato aktualet, kur në pamje të parë duket se gjithçka ka kaluar. Në fakt, duhet vetëm pak që plagët të hapen në çdo kohë. Çifti Merdani është njohur e ‘rritur’ në internim. Të dy kanë pasur të njëjtin fat që më pas i bashkoi po në të njëjtin vend. Këtë herë, ajo që rrëfen historinë është Shpresa, edhe pse historia e secilit është bërë tashmë një e tëra.
Korça njihet për “marrëdhënie” të mira me dollarët që fare herët. Si ka qenë historia e familjes suaj lidhur me këtë, që më vonë mund të shkaktonte edhe ‘rënie të dollarit”?
Mbas 13 vjetësh mërgimi në Amerikë, babai im kthehet në vendlindje me mendime perëndimore dhe me ata dollarët që thoni ju, të kursyer. Blen në Llabonicën e Trestenikut në Devoll një sipërfaqe prej 500 dynymësh, tokë bujqësore, ku ndërtoi shtëpinë, ambiente për bagëtinë (ahure dhe stalla), plevicat dhe gjithë ambientet funksionale të një çifligu (që sot e emërtojmë fermë). Fermën e tij nga kufiri shtetëror i Greqisë e ndante vetëm një lumë. Gjatë kohës së luftës, aty gjenin strehë dhe ushqim gjithkush që trokiste, grekë, shqiptarë apo maqedonas.
Deri këtu, gjithçka mirë…
Babai im ishte nacionalist i ndershëm, punëtor dhe human. Por, në vitin 1947, megjithëse komunistët kishin ende në gojë bukën e babait tim, Veli Ballollit, e arrestojnë, si të implikuar me grupin e deputetëve  dhe në po atë gjyq e dënojnë me vdekje, dënim që iu la me 101 vjet burg. Nëna ime me gjyshen dhe me gjashtë fëmijët u hodhën në rrugë, pa strehë, vetëm me teshat e trupit dhe pa bukë. Motra ime e madhe ishte 15 vjeçe, më e vogla ishte 2 vjeçe. Duke bredhur fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, nëpër kushërinjtë tanë, mbërritëm në Korçë ku u strehuam në një dhomë të shkatërruar, të braktisur. Nëna dhe motra filluan punë në fermë ndërsa vëllai 14 vjeç në Bonifikim.
Çfarë ndodhi me ju pas atij dënimi fundosës?
Ndërsa im atë nisi e vazhdonte të vuante dënimin, ne rriteshim, ashtu në varfëri, ku të ngrënë, ku të pa ngrënë. Dëshira e tij kishte qenë gjithmonë që ne, vajzat e vogla, të vazhdonin shkollë, kështu shkruante në letrat që dërgonte. Kur u lirua, mbas afërsisht 14 vjetësh burg, unë isha në vitin e fundit të shkollës Pedagogjike. U diplomova për mësuesi dhe më caktuan në fshatrat e Librazhdit. Aty ishte mësues edhe bashkëshorti im, Ylber Merdani, me të cilin kishim qenë në shkollë bashkë dhe kishim miqësi familjare. Ai kujdesej për mua si një vëlla i madh. Por, siç ndodh thuajse gjithmonë, shoqëria kthehet në miqësi dhe kjo miqësi kulmoi në dashuri. Edhe sepse të dy ne i përkisnim së njëjtës shtresë antikomuniste dhe të persekutuarish, të njëjtit gen nacionalist dhe fisnik.
Kaq vaj ju shkuan punët menjëherë?
Jua merr mendja që jo, sidomos atyre që e njohin mirë atë kohë. Në momentin që vendosëm të finalizonim ëndrrat tona, të martoheshim, mbi të dy familjet tona ra me gjithë peshën e saj të përgjakur “thundra e hekurt” e diktaturës. Të dyja familjet tona i internojnë, por në geto të ndryshme internimi. Ndërsa Ylberin e pushojnë nga arsimi dhe familjarisht e internojnë në Pulahe të Oparit, mua familjarisht më internojnë në Shtyllë të Vithkuqit. Mbas dy vjetësh, mësova se Ylberin e kishin dënuar me 8 vjet burg për poezitë e tij në dorëshkrim, ku cenonte diktaturën. Në internim punonim në punët më të rënda e të vështira dhe paguheshim më pak se të tjerët. Ne ishim “qytetarët” e dorës së tretë, ishim reaksionarët që kishim “pirë gjakun e popullit”, në ishim “brigada” që drejtoheshin nga brigadierët apo sekretarët injorantë” me katër klasë fillore. Në një moment dëshpërimi dhe lodhjeje fizike e shpirtërore, duke u përlotur i them nënës sime se “zoti do t’më japë durim dhe kurajë që të duroj këto vuajtje. Unë moj nënë do ta pres Ylberin kur të dal nga burgu”. Dhe vërtetë Zoti është i mrekullirave, destinacionin e caktuar prej tij nuk ka force në gjithësi që ta ndryshojë.
U ritakuat brenda rrezes së dënimit, apo jo?
Po, sepse familjen e Ylberit, mbasi mbaroi internimin e parë, e dënojnë përsëri dhe në vitin 1975 e sjellin të internuar në Shtyllë të Vithkuqit, së bashku me shumë familje të tjera, ndërmjet tyre dhe vëllezërit e këngëtarit Sherif Merdani, që vuante burgun së bashku me kushëririn e tij, Ylberin. Aty e sollën të internuar të gjithë fisin e nderuar të Merdanëve.
Pra, zoti donte që internimin e dytë, megjithëse në vuajtje, ta ndanit bashkë?
Po, ndodhi në ’77-n, në fillim të marsit, kur Ylberi mbasi u lirua nga burgu e sollën të internuar në Shtyllë, si dënim për pjesëmarrjen në “revoltën e lavdishme të Spaçit”. Vetëkuptohet lumturia ime. U martuam mbas dy muajsh dhe jeta familjare, me ngrohtësinë dhe optimizmin që i jepnim njëri-tjetrit, na i lehtësonte dhimbjet fizike dhe shpirtërore. Mbas një viti u bëmë prindër të një vajze me emrin simbolik Fatbardha dhe mbas tre vjetësh të tjerë u lind edhe djali, po me emër simbolik, Ermal, se lindi në erën e malit.
Tani që familja u bë më e madhe, edhe jetesa ma do mendja u vështirësua?
Shtylla e Vithkuqit ishte një geto internimi që bashkëshorti im e quante “Siberia shqiptare”, ishte 1600 metra mbi nivelin e detit. Dëbora vinte në tetor dhe largohej në maj. Ne nuk figuronim më si qytetarë të Korçës, ndonëse Merdanët janë fis autokton në Korçë, ja u hoqën edhe pasaportizimin dhe gjendjen civile. Ne figuronim vetëm në “listat e vdekjes së diktaturës” dhe në listat e “brigadave të skllavërisë”. Aty në internim vdiqën të dy prindërit e mi dhe gjyshja ime e vendin e varrit na e caktonin veçmas varrezave të fshatit, në një pjesë shkëmbore. Aty gjetën vdekjen edhe prindërit e Ylberit.
Megjithatë, i përballuam me dinjitet dhe i mposhtëm dhimbjet e lotët me besim e shpresë se një ditë do të agonte dhe do të ngrohte dhe një diell jetëdhënës i mirësisë e drejtësisë. Zoti e deshi që të dilnim të nderuar nga gjithë ai kalvar vuajtjesh e persekutimesh. Bashkëshorti im kishte siguruar një radio “Iliria” me bateri dhe nëpërmjet saj informohej mbi situatën, na mbante “gjallë” edhe ne me optimizmin e tij, me fjalët e tij shpresëdhënëse. Paradoksi me kriminal ishte se prindërve tanë ua përgjysmuan pensionin që merrnin, me një urdhër të
Kryeministrit të asaj kohe. Gjithsesi, Ylberi ndjenjat e tij i kthente në emocione dhe, si të gjithë poetët, i “derdhte” në vargje. Unë tmerrohesha kur lexoja vargjet e tij në dorëshkrim, i flisja se duhet të ndjente më shumë përgjegjësi se tani kishte gruan dhe fëmijët, nuk ishte më beqar si dikur…, por ai qeshte dhe më mbushte me optimizëm, ma largonte frikën dhe trishtimin.
Kur iu rikthyet jetesës që duhet të kishit pasur gjithnjë?
Në fillimin e proceseve demokratike dhe ne u rikthyem në Korçë në mesin e vitit 1990, mbas 24 vjetësh internimi, vuajtjeje, burgosjesh e vdekjesh, por tek e fundit edhe lindjesh, kështu që jeta vazhdon.
I ati i Ylberit, Fuat Merdani, që vdiq në internim mbas burgut dhe dy dënimeve me internim, jeton në zemrat tona, në kujtimet tona, si gjithë njerëzit tanë të nderuar. Biri im, Ermali, i cili mbaroi studimet në Turqi, djalin e tij e quajti Fuat, në kujtim të të ndjerit gjyshit të tij.
Ç’emocione a ç’ndjesi ju shkaktoi ky moment rikthimi? Jeta ndryshon tërësisht…
Në momentin që u rikthyem në Korçë, Ylberi më pëshpëriti dy vargje që i improvizoi në çast. Megjithëse kanë kaluar 21 vjet, unë i kujtoj shpesh ato dy vargje: “Qetësisht i lumtur vdekjen e pres/ se vdekja vdiq më parë se mua”. Fillimisht në Korçë u stabilizova në punë në Fabrikën e Tullave. Të dy me Ylberin u integruam që në fillim me proceset demokratike, krijuam “Shoqatën e të burgosurve politikë” dhe kam 20 vjet që i jam përkushtuar shtresës fisnike që i përkrah, në rikthimin e të drejtave të rrëmbyera nga diktatura, në integrimin dinjitoz në jetë të shtresës së persekutuar. Në 1 tetor 1991 unë dhe Ylberi u emëruam mësues. Unë në shkollën “Demokracia”, ndërsa Ylberi në shkollën “Rilindja”, të dyja me emrat e mrekullueshëm simbolike që përkonin me idealin tonë. U pensionuam në vitin 1994 që të dy. Jam dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa Ylberi u nderua me titullin “Qytetar nderi i Korçës”.
Të vegjlit që ju kanë mbushur shtëpinë duhet ta kenë ëmbëlsuar shijen e hidhur të këtyre kujtimeve të trishta…
Vërtet, ndiej një ngrohtësi shpirtërore kur mbesa dhe nipi më thonë gjyshe dhe më përqafojnë, i falënderohem Zotit që na dhuroi një pleqëri të mbarë dhe ndihem krenare që jam bijë e një antikomunisti dhe nacionalisti të ndershëm, si kundër jam krenare se jam bashkëshorte e një pinjolli të fisit të nderuar, antikomunist e nacionalist të Merdanëve. Kam vajtur disa herë në pronat e babait tim të ndjerë dhe ndiej në shpirt një boshllëk e një zhgënjim, sepse nuk kemi marrë as edhe një dynym nga 500 dynymët e trashëguar me ligj dhe dokumente nga babai. Por kemi shpresë se drejtësia do të shkojë plotësisht në vend.

Copëza nga fletorja e Ylber Merdanit

Ylber dhe Shpresa Merdani në kur kohën kur ishin të internuar

Vetëm pas disa ditësh konstatova me tmerr se prindërit e mi ishin plakur shumë. Nëna ishte thinjur mjaft. Ajo çka kisha konstatuar atë çast më la të tmerruar. Që të gjithë kishim mbetur të shokuar, por trishtim si atë të nënës nuk më kishin zënë sytë. Vetëm kur ra mbrëmja, mora një letër dhe nisa të shkruaja atë çka ndieja për nënën time: “Të shohësh lotët e nënës plakë / Të shohësh të dridhen ato thinjë / Të shohësh shtëpinë në flakë / Kur nuk ke as forcë, as ndihmë / Është tmerr, kur duart t’i kanë lidhur, / Shtrëngon grushtet, sytë gjithë lot, / S’mbahet më dhe brengë e hidhur, / Do të flasësh, por nuk flet dot…” Të tilla poezi nisa të shkruaja ato ditë të internimit, atje në Pulahë të Oparit, ku pula hante gurë. Ishim më të varfër se kurrë ndonjëherë. Përveç internimit, nuk kishim asnjë pasuri tjetër. Ditëlindjen e motrës, Jadit, e festuam me ç’na u ndodh, ndërsa unë sërish do të shkruaja një poezi: “Ne nuk kemi gota të kristalta / Tavolinës endet varfëria, / Përtypim ujë dhe ajër mali / Në zemrat tona fle liria…”. Në Pulahë kishte edhe të internuar të tjerë. Kuptohet që te ta kishim më shumë besim. Poezitë që shkruaja ia tregoja edhe një të internuari që e konsideroja mik të mirë, por nuk kishte qenë kështu. Ai me të marrë vesh se çfarë thuhej në vjershat e mia, e mbajti frymën në Degën e Punëve të Brendshme. Unë nuk e dija, por një ditë pranë këmbëve të mia u ndal gazi i degës. Isha arrestuar “në emër të popullit”. Ishte 9 qershor i vitit 1969.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura