
Komisioni i Ligjeve shtyu për ditën e hënë diskutimin për ndryshimet në Kodin Civil, që kanë të bëjnë me dekriminalizimin e shpifjes. Në mbledhjen e djeshme, ku ishin të pranishëm edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, drejtori i Institutit të Medias, Remzi Lani, si dhe përfaqësues nga EURALIUS, opozita kërkoi që neni i shpifjes dhe fyerjes të mos hiqet nga Kodi Penal, por të shfuqizohet dënimi me burg. “Po e bëj paraprakisht me dije për të qenë korrekt, kemi vullnetin e mirë. Ne jemi për depenalizimin e shpifjes dhe të fyerjes, që do të thotë që jemi për mbajtjen në Kodin Penal të dispozitave të shpifjes dhe fyerjes duke hequr dënimin me heqje lirie. Duke vendosur dënimin me gjobë, natyrisht, duke përcaktuar një tavan të pranueshëm në kushtet shqiptare”, u shpreh nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, ka mbrojtur variantin se shpifja duhet të hiqet nga Kodi Penal dhe të qëndrojë vetëm në Kodin Civil. “Nga diskutimet dëgjova se të gjithë kolegët janë në favor të progresit, sepse askush nuk thotë të ruajmë statuskuonë, dhe ky është një fillim shumë i mirë. Por ne duhet të guxojmë pak më shumë, të paktën Komisioni i Ligjeve. Kryeministri Berisha ka qenë i pari politikan shqiptar që ka thënë se ne duhet të heqim kontaktin e së drejtës penale në këtë çështje. Njerëzit, konfliktet që kanë me abuzimin, duhet t’i zgjidhin nëpërmjet metodës civile. Pse të mos e bëjmë edhe ne këtë arsyetim?”. Në fund u vendos që Kodi Penal dhe Kodi Civil të shqyrtohen së bashku ditën e hënë.
Debati në Komisionin e Ligjeve
Fatmir Xhafaj: Po e bëj paraprakisht me dije për të qenë korrekt, kemi vullnetin e mirë. Ne jemi për depenalizimin e shpifjes dhe të fyerjes, që do të thotë që ne jemi për mbajtjen në Kodin Penal të dispozitave të shpifjes dhe fyerjes, duke hequr dënimin me heqje lirie. Duke vendosur dënimin me gjobë, natyrisht, duke përcaktuar një tavan të pranueshëm në kushtet shqiptare.
Edi Paloka: Me sa dëgjova dhe për relatoren, ishte në të njëjtin qëndrim me ne, por nga Xhafaj dëgjova se PS ishte për ta mbajtur në Kodin Penal, por të hiqet dënimi me burg. Edhe kërkesa e KiE-së flet tepër qartë. Mendoj se nuk na sjell ndonjë dëm shumë të madh kalimi nga Kodi Penal në atë Civil. Nuk e di pse duhet të shohim një variant tjetër për ta mbajtur në Kodin Penal.
Ilir Rusmali: Debati rreth kësaj çështjeje nuk është kurrë debat personal, nuk është frikë personale, nuk është shembull personal, është debat vizioni. Ne në këtë diskutim për Kodin Civil, në këtë ndryshim që i bëjmë Kodit Civil, praktikisht përcaktojmë rrugën tonë drejt së ardhmes. Kodi Civil është ligj shumë i qëndrueshëm. Ne kemi arritur në një pikë kur duam t’i themi vetes duam modelin e shekullit 19, apo të shekullit 21. Nga diskutimet dëgjova se të gjithë kolegët janë në favor të progresit, sepse askush nuk thotë të ruajmë statuskuonë, dhe ky është një fillim shumë i mirë. Por ne duhet të guxojmë pak më shumë, të paktën Komisioni i Ligjeve.
Fatmir Xhafaj: Meqenëse ne do të ndajmë qëndrime dhe vizione, mirë është që ju ta ndani me Kryeministrin. Si e ka: me apo pa Kod Penal?
Ilir Rusmali: Kryeministri e ka të qartë pozicionin e tij. Ai është në hapin e shoqërisë civile dhe Kryeministri është një hap përpara kohës gjithmonë. Nuk ia mohoni dot këtë.











