
Intervista/ Flet kreu i PDIU: Disa sektorë duhet të ecin me shpejtësi tjetër, figurat e reja sjellin freski.
Kreu i PDIU deklaron se partisë së tij i takon një ministër në kabinet: Por nuk do jem unë.
“Jo ministra që kanë 7 vjet, të vijnë figura që sjellin freski”
Kreu i PDIU-së, Shpë-tim Idrizi, tha dje se Qeveria duhet të pësojë ndryshime dhe duhet të largohen ministrat që kanë nga shtatë vjet në ato pozicione.
Në një intervistë në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus”, ai tha se PDIU-së i takon një post ministri.
Ju keni dy zv.ministra, drejtorë drejtorie. Po tjetër?
Është çështje ditësh, Komiteti Kombëtar i Diasporës do të krijohet. Kemi studiuar modelin e disa vendeve dhe i jemi përqasur modelit italian. Ne kemi qenë gjithmonë koshientë për valencën tonë në Parlament me dy vota. Në zgjedhjet lokale morëm 65 mijë vota nga Tropoja deri në Konispol. Kemi kërkuar varrezat e Kllogjerit. Do të bëhen në qershor. Kemi kërkuar vlerësimin e disa figurave duke filluar Hasan Tahsini, që të bëhet në Markat një zonë muzeale. Pasi mbaruan zgjedhjet ne kemi dizajnuar një marrëveshje që ka të bëjë me 4 zv.ministra. Jo se kjo është e kënaqshme nga ana jonë, por pas 70 vjetësh për herë të parë shteti shqiptar do të ketë zv.ministra nga ky komunitet. Kemi marrë deri tani 3 drejtori të përgjithshme, po diskutojmë edhe 2-3 të tjera. Ne nuk e kemi kondicionuar qëndrimin tonë në maxhorancë me postin e zv.ministrit.
A jeni të kënaqur me këtë marrëveshje?
Nga mënyra se si po ecën marrëveshja ne nuk jemi të kënaqur, mund të ecte me shpejtësi shumë më të madhe. Realizimi i këtyre apo i rezolutës çame, që është një kërkesë imperative dhe shumë e rëndësishme e jona, do të kondicionojë kënaqësinë apo pakënaqësinë tonë. Nëse do të flasim për postet, nuk jemi të kënaqur. Nëse flasim për programin, bërja e Komitetit të Diasporës, varrezat e Kllogjerit, muzeu i Hasan Tahsinit, mbi të gjitha miratimi i rezolutës çame në Parlament, janë elemente shumë të rëndësishme të këtij vlerësimi.
Juve ju duhet një ministër patjetër, kur thoni që “s’jam i kënaqur nga marrëveshja”, si do të dilni nga kjo pakënaqësi? Pse nuk jeni i kënaqur?
Kur fola për një ministër tonin, na takon, nuk marrim ndonjë gjë të të tjerëve. Numri i deputetëve do të thotë që PDIU-së i takon një post ministri. Kur thashë që unë vetë nuk bëhem, nuk do të thotë që ne po lëshojmë ministrinë, sepse ne kemi shumë personazhe në partinë tonë që mund të ishin pjesë e qeverisë.
Ju do ta votoni një kandidaturë të PD-së, Jozefina Topallin, për President?
Unë nuk di që maxhoranca apo PD-ja të jenë ulur. Shpresoj që shumë shpejt të ulemi si maxhorancë, të diskutojmë kriteret e profilit që do t’u afrojmë shqiptarëve. Është shumë shpejt për të hyrë në emra konkretë.
E keni si kusht që Presidenti të mos jetë nga Kryesia e PD?
Artikulimet e mia kanë qenë publike. Ne duam të jetë një President me profil të lartë publik dhe politik, jemi kundër një Presidenti anonim. Në 2007-n, për 24 orë kishim për President një zotëri të nderuar, atasheun tonë në Bruksel, Arjan Zaimi. Askush nuk është kujtuar që para një muaji ai u lirua nga detyra dhe po bredh gjyqeve.
Luan Rama nuk e përjashtoi sot kandidimin e Metës. Cili do të jetë qëndrimi i PDIU-së?
Të mos përjashtosh zotin Meta nuk do të thotë që të ketë nxjerrë Metën. Në qoftë se Meta do të tentojë, duhet ta zgjidhë në radhë të parë me PD-në që ka 66 vota. Nëse do të ruajmë logjikën e numrave, është PD-ja e para që duhet të bisedojë me aleatët, mundësisht të afrojë një njeri të pranueshëm për ne dhe pjesën e opozitës. Nëse Meta apo dikush tjetër që nuk është i përjashtuar nga ky proces, duhet të diskutojë fillimisht me maxhorancën. Unë nuk e di këtë vokacion të zotit Meta.
Nëse Nano kandidon dhe PD nxjerr një emër që nuk ka prioritet çështjen çame, do ta votoni Nanon?
Zoti Nano ka hapur një proces, dhe ka bërë shumë mirë, për të takuar të gjithë faktorët relevantë për një aspiratë të tij për t’u bërë President, bashkë me një platformë. Është shumë mirë sepse po shohim për herë të parë pas 3 vjetësh që politika shqiptare dhe liderët politikë po dialogojnë mes tyre. Uroj që kjo të mos jetë vetëm për këtë kohë, por të vazhdojë sa më gjatë. Në të kontekst unë takova Nanon dhe Ramën. Nëse shohim takimin me Ramën, është i njëjti pozicion që unë shpreha këtu.
Mendoni se mund të ketë ndryshim të qeverisë, mund të prishet maxhoranca pas zgjedhjes së Presidentit?
Nëse pyetja është që a duhet të ketë ndryshime në qeveri, ky është atribut i Kryeministrit, por në vlerësimin tim personal duhet të kishte ndryshuar me kohë. Unë mendoj që ka shumë sektorë që mund të ecin me shpejtësi tjetër. Mendoj se nuk është ndonjë gjetje që një ministër të rrijë edhe 7 vjet. Në një ambient shumë të ngarkuar politik, në një situatë që është afektuar politikisht edhe nga kriza globale, shto edhe problemin që ne kemi me strukturimin e ekonomisë shqiptare, mendoj se freskia e qeveritarëve na bën mirë. Maxhoranca ka figura politike që mund të sjellin freski.
Ku do ta merrni ministrin? Berisha të gjithë kryetarët e partive i ka dashur në qeveri?
E kam thënë këtë gjë edhe në diskutim me maxhorancën. Kur flasim për një ministër nga PDIU-ja, nuk flasim për një dëshirë të maxhorancës. Na takon për valencën që kemi. Do të jetë Shpëtim Idrizi apo jo, kjo do jetë pjesë e Kryesisë, por unë po them që nuk do të jem. Mund t’ju jap disa emra brenda partisë sonë që mund ta bëjnë më mirë se unë ministrin.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











