Shpërthimi në Itali, shemben 2 pallate, shpëton familja shqiptare

Jun 8, 2012 | 13:12

Një familje shqiptare i shpëtoi për mrekulli shpërthimit të gazit në ndërtesën ku banonin, i cili ishte aq i fortë sa shkaktoi rrëzimin e dy pallateve. Autoritetet kanë nxjerrë të gjallë tre anëtarët e familjes shqiptare, pa dhënë identitetin e tyre. Por një familje italo-holandeze nuk ishte kaq me fat. Çifti, një italian dhe një holandeze bashkë me foshnjën 18 muajshe humbën jetën. Shpërthimi i gazit ndodhi në qytezën e Pulias, Cenversano, pranë Barit, Itali. Viktimat që humbën jetën sapo ishin zgjuar në mëngjes dhe ishin akoma me pizhame. Ata e kishin marrë me qira këtë apartament për të kaluar pushimet aty afër dhe kishin vetëm dy ditë që kishin ardhur nga Holanda, vendi ku jetonin, pasi po kalonin pushimet aty. Mbi dhjetë persona të tjerë janë plagosur, mes tyre dhe një fëmijë. Ndërkohe forcat e shpëtimit kanë evakuuar zonën. Shpërthimi i fortë ka ndodhur rreth orës 8:45 të mëngjesit, i shkaktuar nga rrjedhja e gazit dhe një shkëndijë, e provokuar mbase nga një kontakt elektrik. Shpërthimi i fortë ka thyer edhe xhamat e vitrinave të dyqaneve aty afër. Mediat italiane quajnë fat faktin se në rrugën përpara pallateve nuk kishin dalë ende fëmijë të vegjël për të luajtur, siç bënin çdo ditë. Nuk ka dyshime për shkakun e tragjedisë, shpërthim i bombolës së gazit. Presidenti italian, Xhorxho Napolitano, tha se ishte “thellësisht i goditur nga tragjedia”, duke ngushëlluar të afërmit e viktimave.

© Panorama.al

Te lidhura