Mbi 20 persona, banorë të fshatit Zallë, u shoqëruan në polici në lidhje me shpërthimin e fundit të eksplozivit në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Kjo e fundit u trondit mbrëmjen e së shtunës nga një shpërthim i fuqishëm që ishte vendosur pranë portës hyrëse të fabrikës. Burime nga Policia e Durrësit thanë se shpërthimi është dëgjuar të shtunën rreth orës 23:30, ndërsa sasia e lëndës eksplozive është vendosur në linjën që lidh fabrikën e çimentos me linjën hekurudhore kombëtare. Si rezultat i këtij shpërthimi u dëmtua porta e jashtme e derës së fabrikës dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar. Ekspertët anti-eksploziv dhe grupi hetimor që kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë përcaktuar se për të realizuar këtë shpërthim autorët kanë përdorur rreth 200 gramë lëndë eksplozive. Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të vendosjes së lëndës plasëse pranë fabrikës, ndërsa qëllimi ishte dëmtimi i saj. Nga hetimet e para, policia dyshon se ngjarja ka lidhje me dëshminë që aksioneri kryesor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë dha dy ditë më parë për hetuesit që po kryejnë verifikime lidhur me vrasjen e shtetasit palestinez, Anuar Rizik. Gjatë marrjes në pyetje, kryeaksioneri londinez, Charles Bouri, akuzoi anëtarët e fisit Zalla, të cilët sipas tij i kanë kërcënuar pronarët e fabrikës së çimentos herë pas herë me jetë. Sipas Bourit, i cili për gati dy orë me radhë ka dhënë shpjegime përpara dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, në lidhje me vrasjen e zv.administratorit palestinez, Anuar Rizik, është shprehur se mes tij dhe aksionerëve të tjerë nuk ka pasur asnjë konflikt. Ai tha se për këtë çështje ka dyshime të forta se mund të jenë përfshirë anëtarë të fisit Zalla. Menjëherë pas shpërthimit, Policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Fushë-Krujës nisën shoqërimet. Policia tha se janë shoqëruar mbi 20 persona, mes tyre të dyshuar si autorë të ngjarjes, por edhe në cilësinë e dëshmitarit. Nga të njëjtat struktura mësohet se do të vijojë puna për shoqërimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje apo dijeni mbi ngjarjen. Kjo ngjarje vjen pas një serie shpërthimesh të ndodhura në këtë fabrikë. Ky është sulmi i dhjetë me eksploziv në dy vitet e fundit, me qëllim dëmtimin e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Linja hekurudhore, shtylla të tensionit të lartë, ura, si edhe muret rrethuese të saj kanë qenë objektivi i shpërthimeve të eksplozivit në seri. Sulmet arritën kulmin, kur një muaj më parë, një prej drejtuesve të lartë të fabrikës u vra në shtëpinë e tij në Tiranë. Anuar Rizik humbi jetën më 9 maj, si pasojë e një atentati me lëndë plasëse, të vendosur në derën e banesës së tij. Ende nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e palestinezit, ndërsa policia po punon për zbardhjen e saj.
Ekzekutimi me eksploziv i palestinezit
Anwar Rizik
Më 9 maj, fiks një muaj para shpërthimit të fundit, u ekzekutua me lëndë plasëse zëvendësdrejtori i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, Anuar Rizik, 43 vjeç. Ngjarja ndodhi në mëngjes, në banesën ku Rizik jetonte me qira, pranë Ambasadës Amerikane. Shtetasi i huaj kishte dalë për të çuar në kopsht djalin 5 vjeç e më pas do të nisej drejt Fushë-Krujës. Por, sapo ka tërhequr dorezën e portës prej hekuri në oborrin e shtëpisë dykatëshe, një shpërthim i fuqishëm e la të vdekur në vend. Ekspertët e Ambasadës Amerikanë, që kryen ekzaminimin, arritën në përfundimin se eksplozivi ishte vetëm tritol. Anuar Rizik punonte dhe jetonte prej rreth 14 vitesh në Shqipëri. Prej një muaji, me gjithë dyshimet, nuk është identifikuar autori dhe shkaqet e ekzekutimit të 43-vjeçarit. Grupi hetimor ka ngritur dy pista: atë të konfliktit mes aksionerëve, ose një reagim për shkak të pakënaqësisë së krijuar me banorët e zonës ku është ndërtuar fabrika.