Shpërthimet, presion ndaj fabrikës

Jun 18, 2011 | 10:16
Materialet eksplozive të gjetura në fshatin Zallë

Fshati Zallë në Fushë-Krujë do të jetë gjatë 24 orëve nën vëzhgimin e policisë, pas stacionimit me efektiva të plotë në zonë për të ndëshkuar aktet kriminale ndaj fabrikës së çimentos.Kryekomisari i Durrësit, Aleks Hajdari, ka bërë të qartë se krerët më të lartë të Policisë së qarkut do të bëjnë shërbim të pandërprerë derisa të kthejnë sigurinë në këtë fshat të përfshirë në konflikt me drejtuesit e fabrikës. Vetëm dy ditë më parë në këtë fshat u zbulua një arsenal i madh me armatime e municione luftarake, të cilat përdoreshin në rastet e shpërthimeve me eksploziv si mjet për të kërcënuar administratorët për të nxjerrë përfitime të paligjshme. Kryekomisari Hajdari ka pohuar se janë arrestuar disa nga autorët e dyshuar për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe se të tjerë janë nën vëzhgim. Në mesin e tyre thuhet se ka edhe gra e vajza, të cilat e bëjnë të vështirë ndërmarrjen e një “ofensive” në këtë zonë për t’i dhënë fund gjobëvënies. Një natë pasi në Zallë janë arrestuar 5 persona me akuzën e shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake, ura e fshatit është hedhur në erë, ndërsa tri ditë më pas është vënë në pranga shtetasi Ylli Zalla, 34 vjeç. Policia thotë se këtij personi i janë gjetur në gishtërinj shenja baruti, ndërsa ai do të dalë para gjykatës për të mësuar masën e sigurisë. Zalla ka refuzuar të pohojë lidhur me sa është pyetur, duke e justifikuar heshtjen me të drejtën e tij, ndërsa mbrojtja do të bëhet me avokat të zgjedhur nga pala e akuzuar. Fshati tani gjendet thuajse në shtetrrethim, pasi policia ka të dhëna se brenda në fshat ka armatime e municione në sasi të mëdha. Sipas burimeve të sigurta policore, disa nga të arrestuarit kanë marrë paga deri në 5 milionë lekë në muaj nga administratorët e fabrikës, të cilëve u është premtuar se u garantojnë qetësi në zonë. Pikërisht heqja e këtij shpërblimi për të fortët e fshatit ka shtyrë një pjesë të tyre të vënë në përdorim kërcënimin. “Kemi të bëjmë me shantazhe të njëpasnjëshme”, ka thënë drejtues Aleks Hajdari, i cili bën të ditur se janë një numër jo i vogël personash të implikuar në veprimet e dhunshme. Banesat e fshatit janë thuajse ngjitur me murin rrethues të fabrikës dhe çdo familje jo vetëm ka persona të punësuar në të, por dhe merrte para për dëmin ekologjik që i shkakton fabrika. Deri para disa kohësh fabrika ka paguar lekë në dorë për të pasur siguri, ndërsa tani që objekti brenda e jashtë është nën vëzhgimin e përgjuesve elektronikë me anë të kamerave dhe sallës operative të fabrikës së çimentos, ka nxjerrë kokë presioni. Arrestimi i shtetasit Ylli Zalla e ka çuar në gjashtë numrin e personave të vënë para drejtësisë, por kryekomisari i Durrësit ka të dhëna se ka edhe disa eksponentë të tjerë, të cilët do të akuzohen shumë shpejt. “Po bëjmë përpjekje për të veçuar njerëzit e gënjyer, të cilët fatkeqësisht janë të shumtë në numër dhe më pas do të bëjmë të tjera operacione për të çarmatosur çdo banesë që posedon armë e municione të ndaluara”, ka deklaruar drejtues Aleks Hajdari. Dy ditë më parë, në dy guva natyrale është gjetur një sasi e madhe armësh e municioni luftarak që provon dyshimet e policisë se personat e përfshirë në aktivitet kriminal janë armatosur prej kohësh.

Atentati i radhës

Policia e Durrësit bëri të ditur dje se ka gjetur mes arsenalit të municioneve luftarake dhe 2 masa shpërthyese të bëra gati, çka tregonin për një atentat të radhës. Masa e parë ishte e përgatitur me 8 kallëpe tritoli, ndërsa e dyta me 2 të tilla, të pajisura me fitil zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.

© Panorama.al

Te lidhura