Shpërthimet në Zharrëz, komuna pezullon lejen e kompanisë së naftës

Sep 11, 2012 | 14:24
Protesta në Zharrëz

FIER – Këshilli i komunës Zharrëz zhvilloi dje një mbledhje të jashtëzakonshme dhe këshilltarët e saj vendosën me votë unanime pezullimin e veprimtarisë së kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Nisur nga tronditjet e tokës në zonën naftëmbajtëse, që veç panikut, u ka sjellë banorëve edhe dëme të konsiderueshme të shtëpive, 15 këshilltarët e këshillit të komunës për herë të parë kanë bashkuar votat e tyre. Jashtë ambienteve të komunës ishin mbledhur qindra banorë, të cilët kanë mbështetur këtë iniciativë, duke kërkuar pezullimin e kompanisë së naftës. Ata theksuan se iu janë shkatërruar banesat dhe se jetojnë me frikë nga tronditjet e herëpashershme të tokës si pasojë e shpërthimeve dhe veprimtarisë së kësaj kompanie. Vendimi që u nënshkrua nga të gjithë këshilltarët, do t’u dërgohet gjithë instancave shtetërore, si dhe drejtorisë së kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Me këtë vendim të pezullimit, këshilltarët do të kenë të drejtë që të ndërhyjnë tek organet drejtuese të kompanisë, për t’u bërë të qartë se po zbatojnë një kërkesë legjitime të popullit që i ka zgjedhur në këtë këshill. “Komuna, në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit, janë dy institucionet që pajisin me leje mjedisore kompanitë e naftës, duke bashkërenduar punët. Në rast se kompania ndikon në mjedis me ndotje të paparashikuara në leje, atëherë Agjencia ka të drejtë ta gjobisë. Në rastet e jashtëzakonshme, kur komuniteti i një zone rrezikohet nga aktiviteti i kompanisë, të zgjedhurit vendorë kanë të drejtë të mbrojnë interesat e votuesve të tyre me çdo mënyrë të mundshme ligjore”, u shprehën këshilltarë në komunën e Zharrëzës. Mbledhja e djeshme ka pasur edhe debate mes këshilltarëve. Duke qenë se komisioni i ngritur më parë me specialistë të fushës nuk nxori zyrtarisht asnjë shkak të këtyre tronditjeve, atëherë shumica e këshilltarëve propozuan që ky komision të ishte në radhët e tyre. Në fund u vendos ngritja e një komisioni për të verifikuar dëmet e shkaktuara nga lëkundjet e tokës. Komisioni do të përbëhet nga disa këshilltarë e, mes tyre, edhe kreu i komunës Zharrëz, ndërsa përfundimet do të jenë transparente. Këshilltarët u shprehën se nëse nuk zbatohen vendimet e këshillit komunal, ata do të dorëzojnë në mënyrë demonstrative mandatet, të fituara nga vota e popullit.              m.r

© Panorama.al

Te lidhura