KRUJE – Burg pa afat ka vendosur Gjykata e Krujës për Ylli Zallën, duke e akuzuar për atentatet e ndodhura në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, si dhe posedimin e arsenalit të municioneve luftarake. I arrestuari i gjashtë për këto ngjarje ka mohuar akuzat, duke u shprehur se eksplozivi nuk është gjetur në banesën apo tokën në pronësi të tij. Ai është vetëdeklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk ka gisht në vendosjen e eksplozivit në urat dhe në murin rrethues të fabrikës së çimentos. Por, prokuroria ka deklaruar se municioni i sekuestruar pak ditë më parë i përkiste 36-vjeçarit Zalla, fakt i vërtetuar me shenjat e gishtërinjve pas ekspertizës së kryer. Madje, sipas prokurorisë, provat janë të pakontestueshme dhe të vërtetuara plotësisht. Ylli Zalla u arrestua katër ditë më parë nga ana e policisë së Krujës, pas një kontrolli në banesën e tij dhe përreth saj, duke u arritur kështu të zbulohet një sasi e konsiderueshme municioni luftarak. Sipas organit të akuzës, Ylli Zalla akuzohet si posedues i lëndëve plasëse, një pjesë e të cilave ishte përgatitur për shpërthim. Nga kontrollet e policisë ushtruar pak ditë më parë u gjetën 75 kg tritol, arka me fishekë, mina antitank etj. Për policinë, Ylli Zalla, ashtu si dhe 5 personat e kapur më parë, është përgjegjës për shpërthimet me tritol. r.n











