Një makinë e ngarkuar me eksploziv u përplas me dy porta dhe shpërtheu në zyrat e Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin e Nigerisë të premten, duke vrarë të paktën 16 njerëz dhe duke shkatërruar pjesë të strukturës së betonit. Sulmi ndodhi kur zyrat e OKB-së ishin të populluara me stafin. Nigeria, kombi më i populluar i Afrikës, po përballet me kërcënimin në rritje të terrorizmit vendas dhe atij ndërkombëtar. Militantët nga një sekt radikal mysliman nga verilindja e Nigerisë kanë kryer vazhdimisht sulme në kryeqytetin e vendit, por asnjëherë deri tani me një objektiv të huaj. Dëshmitarët thanë për AP, se makina u përplas me të dyja portat e kompleksit të OKB-së, kur rojat u përpoqën ta ndalonin automjetin. “Sulmuesi vetëvrasës e përplasi makinën në zonën e recepsionit duke shpërthyer eksplozivët, për të shkaktuar dëmin më të madh të mundshëm”, tha një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave. Kryqi i Kuq nigerian njoftoi se të paktën 16 njerëz kanë vdekur në sulm dhe 11 të tjerë janë plagosur. Ministri nigerian i Shëndetësisë, Mohamad Ali Pate, i bërë apel publikut për të dhuruar gjak, në kanalin e shumëdëgjuar për shërbimin në gjuhën hausa të BBC-së, duke thënë se ishin të paktën 60 njerëz të plagosur në Spitalin Kombëtar në Abuja. Në ndërtesë ka rreth 400 punonjës të OKB-së në Nigeri. Autoritetet ishin ende duke u përpjekur të llogarisnin numrin e saktë të punonjësve në ndërtesë në kohën e shpërthimit. “Ende nuk kemi shifra të sakta të viktimave, por shifra ka gjasa të jetë e konsiderueshme”, tha sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun. Shpërthimi shkaktoi një vrimë të madhe në ndërtesë. Tri vinça të mëdhenj po përpiqen të tërheqin blloqet e betonit për të gjetur të mbijetuarit nën rrënoja. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.











