Shpërthen Xhampaolo Pacini: Nuk do jem pjesë e Interit

Jul 10, 2012 | 15:15
Xhampaolo Pacini

Xhampaolo Pacini shpërthen kundër klubit. Në ditën e parë të përgatitjeve, sulmuesi ka thënë se ai shihej jashtë projektit të skuadrës zikaltër. “Nuk duhet të më kërkoni mua që të qëndroj. Besoj se nuk do të jem më pjesë e Interit, sepse nuk jam më pjesë e projektit. Kam qenë gjithnjë i sinqertë dhe është e drejtë t’u tregoj se shoqëria ka bërë zgjedhje të tjera. Do të bëj gjithçka është e mundur që t’ia ndryshoj mendjen ndonjërit, por do të jetë shumë e vështirë”. Kaq ka mjaftuar për të nisur polemikat, sepse situata e Pacinit ishte e qartë për të gjithë  por, deri ditën e djeshme, askush nuk kishte pasur guximin që ta thoshte me zë të lartë. Shpërthimi i Xhampaolo Pacinit në lidhje me largimin e tij të mundshëm nga Interi i ka dhënë start gjuetisë për sulmuesin nga blerësit e mundshëm. Pikërisht në këtë moment del në skenë Juventusi. Sulmuesi italian, i vënë nën shënjestër prej kohësh nga Sampdoria, mund të përfundojë në të vërtetë te bardhezinjtë. “Zonja e Vjetër” e ka braktisur Borrielon dhe mund të përfshijë në tratativën me Fiorentinën për Jovetiçin, Alesandro Matrin. Për shkak të vështirësive që ka operacioni për transferimin e malazezit në Torino, kampionët e Italisë mund të spostojnë vëmendjen tek interisti. Por, si mund të binden zikaltrit që t’ia japin Juventusit lojtarin e tyre? Ka një mënyrë. Në fakt, Marrota mund t’u ofrojë milanezëve Milos Krasiçin, për të cilin Marko Branka ka bërë disa sondazhe. Pa Borrielon, Matrin dhe Del Pieron dhe vetëm me Kualiarelën në skuadër, Antonio Konte do të ishte në emergjencë për sulmues, kështu Pacini mund të ishte zgjidhja më e duhur.

Morati: Pacini qëndron
Presidenti Morati kërkon që ta mbajë futbollistin, pavarësisht dyshimeve të mëdha që ka ky i fundit. “Shpërthimi i Pacinit? Nuk më është dukur se ka shprehur një dëshirë, mua m’u duk sikur kishte dyshime mbi mundësinë që mos të jetë pjesë e projektit. Gjithsesi, mendoj se pak a shumë të gjithë e kanë këtë frikë kohët e fundit, ndoshta edhe për shkak të gjendjes emocionale që u është krijuar”.

Lukas, zikaltër në fund të gushtit
E ardhmja e Lukasit po merr çdo ditë e më shumë trajtë zikaltër. Në fakt, deklarata të rëndësishme të vetë sulmuesit brazilian janë zbardhur ditën e djeshme. Kësaj here, pas disa dyshimeve që ka hedhur ditët e kaluara, futbollisti i San Paolos ia ka hapur totalisht dyert Interit: “Zikaltrit janë pa dyshim një skuadër e madhe. Të gjithë ëndërrojnë që një ditë të veshin fanellën e Interit dhe unë nuk jam ndryshe, – thekson Lukas, i cili zbulon edhe kontaktet e zhvilluara me shoqërinë zikaltër. – Mora vesh se babai im dhe menaxheri Vagner Ribeiro kanë diskutuar me presidentin e Interit. Të shpresojmë…”.

© Panorama.al

Te lidhura