
Shpërthen mina në kufirin shqiptaro-malazez, plagosen tre persona. Makina ku udhëtonin të lënduarit shkeli papritur mbi municionin luftarak, i cili dyshohet paraprakisht se mund të jetë vendosur nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, 13 vjet më parë. Në aksidentin me minë u plagosën tre shqiptarë të Malit të Zi, njëri prej të cilëve u transportua me helikopter nga zona e thellë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ngjarja e rëndë, sipas Policisë së Kukësit, ka ndodhur mesditën e djeshme në kufirin mes dy shteteve, vetëm 20 metra brenda kufirit administrativ të Malit të Zi, në rajonin e piramidës 25. Sipas dëshmive, në një mjet fuoristradë kanë qenë pesë banorë të fshatrave të Plavës që janë kufitarë dhe kanë të njëjtën bjeshkë me fshatrat e Luginës së Valbonës, atë të Çeremit. Mësohet se katër prej tyre kanë qenë duke udhëtuar nga fshati i Tropojës për në pjesën malazeze. Gjatë rrugës ata kanë takuar 24-vjeçarin Arben Muja, banor i Plavës, por që ishte martuar me një vajzë të fshatit Çerem në Tropojë. Muja mësohet se po kosiste bar në arë kur drejtuesi i fuoristradës, Smajl Prekvuka, i kërkoi që ta ndihmonte për të gjetur rrugën shkurt për të dalë matanë kufirit. Muja është ngjitur në makinë për t’i drejtuar në zonën që e njihte mirë, kur papritur ndodhi edhe shpërthimi i municionit. Tre prej udhëtarëve morën plagë, më rëndë Prekvuka, 37 vjeç, si dhe 24-vjeçari Arben Muja. Kanë qenë banorët e Çeremit këndej kufirit që kanë dëgjuar shpërthimin dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për t’u dhënë ndihmën e parë. Të plagosurit janë mjekuar në fshat, ndërkohë që Policia dhe shefi i Komisariatit të Tropojës kanë dërguar menjëherë një ambulancë në zonën e thellë, duke transportuar të plagosurit për në spitalin e qytetit të Bajram Currit nëpërmjet luginës së Valbonës. Pas dhënies së ndihmës së parë, ka mbërritur edhe helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ka transportuar për në Spitalin Ushtarak 24-vjeçarin, ndërsa të tjerët janë mbajtur nën kontroll në spitalin e Bajram Currit. Duke qenë se ngjarja ka ndodhur në territorin e një shteti tjetër, janë organet e Policisë malazeze që po hetojnë në atë anë të kufirit. Ndërkohë që për policinë tonë të plagosurit kanë deklaruar se papritur mina ka shpërthyer poshtë makinës në një rrugë pylli, ku ata po ecnin, shumë pranë kufirit zyrtar. Sipas dëshmive të Policisë Kufitare shqiptare, ai territor ka qenë i minuar në kohën e konfliktit në Kosovë në vitin 1999, nga Policia dhe Ushtria ish-jugosllave e serbe. Ky është dyshimi i parë mbi faktin e vendndodhjes së minës në zonën kufitare. Megjithatë banorë të zonës, të pyetur nga gazeta, hedhin dyshimet se mund të bëhet fjalë dhe për ndonjë predhë të vjetër, që ndoshta i përket kohës së Luftës së Dytë Botërore, e cila është provokuar për shpërthim nga forca shtypëse e mjetit. Ekspertët malazezë po punojnë për të zbardhur origjinën e municionit, nisur nga materialet e gjetura në vendin ku ndodhi shpërthimi. Incidenti ka ndodhur në afërsi të pikëkalimit kufitar të Vranicit, një pikë e legalizuar nga dy qeveritë për lehtësimin e kalimit ndërkufitar, por infrastruktura mungon plotësisht për t’u quajtur e tillë. e.d/j.h
Pistat
1 – mina është vendosur gjatë luftës së nisur në Kosovë nga ushtria serbe, në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi në fund të viteve ‘902 – municioni ushtarak ka mbetur në këtë territor prej Luftës së Dytë Botërore dhe është provokuar shpërthimi si pasojë e goditjes nga makina
Mjekët: Muja, jashtë rrezikut për jetën
Arben Muja është transportuar pasditen e djeshme me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Menjëherë ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për plagët e marra nga shpërthimi i municionit. Mjekët e Spitalit Ushtarak thanë dje se Muja ka pasur plagë në syrin e djathtë, në hundë dhe një frakturë në këmbë, por që gjithsesi gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Pas një ore nga ndërhyrja, ai ka dalë nga salla dhe pritet të qëndrojë nën terapi intensive.











