Shpërthen me molotov makina e ish-të dënuarit

Jul 21, 2011 | 9:54
Makina e djegur e Shpëtim Çiçikut

Makina e një ish- të dënuari është hedhur në erë në orët e para të mëngjesit, vetëm 30 minuta pasi ai kishte zbritur nga makina.Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00, në rrugën “Riza Cerova”, pranë gjimnazit “Partizani”, në Tiranë. Burime nga Policia thanë se automjeti ka shpërthyer pasi mbi të është hedhur një bombë molotov, por më parë ishte spërkatur me benzinë. Makina e shkatërruar pothuajse plotësisht, e markës “Volsvagen Pasat”, me targa angleze, i përket 31-vjeçarit Shpëtim Çiçiku, një person i dënuar dy herë më parë për vepra të ndryshme penale. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe grumbullimi i provave materiale, si dhe shqyrtimi i mekanizmit që ka sjellë shpërthimin në automjet, ka rezultuar se gjithçka është kryer në mënyrë të qëllimshme dhe me paramendim. Sipas të dhënave paraprake hetimore nga Policia e kryeqytetit, rezulton që automjeti është spërkatur fillimisht me benzinë dhe më pas mbi të është hedhur një shishe me benzinë që përgatitet në mënyrë artizanale dhe njihet si bombë molotov. Ngjarja ka ndodhur fare pranë banesën së pronarit të mjetit, Shpëtim Çiçiku, i cili nga të dhënat hetimore rezulton të jetë person me precedentë të mëparshëm penal, por edhe mik i një prej personave të skeduar disa herë nga policia.
SHPERTHIMI
Dhjetëra persona kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm të automjetit me targa anglezë mëngjesin e djeshëm në Tiranë dhe kanë nxituar të lajmërojnë policinë, pasi kanë parë se çfarë kishte ndodhur. Forcat e Policisë së Komisariatit Nr.4, pasi kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur provat e nevojshme që vërtetonin një shpërthim të qëllimshëm të automjetit, kanë marrë në pyetje pronarin Shpëtim Çiçiku. Ai është pyetur nëse ka pasur ndonjë konflikt të mundshëm me ndonjë person, por mësohet se ka mohuar përfshirjen e tij në konflikte. Megjithatë, mësohet se hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e autorëve janë përqendruar në të kaluarën e Çiçikut, i cili rezulton i dënuar dy herë nga Drejtësia. Gjatë deklarimeve që ai ka dhënë në polici, ka shpjeguar se është kthyer në shtëpi vetëm 30 minuta para se të ndodhte shpërthimi, pasi kishte dalë me shoqërinë, mes të cilëve edhe një person i skeduar disa herë nga policia, i cili vetëm disa ditë më parë doli nga burgu. Në momentin që ka ndodhur ngjarja, ai ka treguar se ende nuk ishte shtrirë për të fjetur, kur ka dëgjuar shpërthimin e fuqishëm dhe ka nxitur për të parë çfarë kishte ndodhur.

DY DENIMET

Shpëtim Çiçiku, pronari i makinës që u hodh në erë mëngjesin e djeshëm, rezulton i dënuar dy herë nga Drejtësia shqiptare. Sipas dosjeve të policisë, 31-vjeçari është arrestuar për herë të parë në vitin 2001 dhe është dënuar një vit më vonë me 15 muaj burg, për akuzën e “kanosjes serioze për vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ndërsa herën e dytë ai është arrestuar në vitin 2005, fillimisht i akuzuar për “trafik droge”, por më pas akuza është ndryshuar dhe ai është dënuar vetëm me gjobë për “moskallëzim krimi”.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura