Shpërthen cisterna me solar, rrezikohet fabrika

Jun 27, 2011 | 10:42
Fabrika e dëmtuar nga zjarri në Maminas

DURRES – Furra e pjekjes rrezikoi të hedhë në erë një fabrikë tulle që ndodhet në anë të autostradës Durrës-Tiranë. Kombinati i madh i firmës “KIDALB” është përfshirë nga flakët rreth mesditës, duke rrezikuar edhe hedhjen në erë të fabrikës e cila kishte jo shumë larg nga mjediset e saj cisterna me karburant. Grupi hetimor, policia dhe disa mjete të shuarjes së zjarrit janë nisur paralelisht nga Tirana e Durrësi për të mbërritur në Maminas sa më parë. Ata bënë të mundur vënien nën kontroll të flakëve, pas një pune intensive prej 20 minutash. Sipas ekspertëve në vendngjarje, zjarri është provokuar nga shpërthimi i një cisterne me solar, e cila përdorej për prodhimin e tullave. Si pasojë e shpërthimit, fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale, pasi është dëmtuar një pjesë e fasadës së godinës prej xhami, si dhe kanë shpërthyer makineritë e furrave gjatë procesit të punës. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit, ku nga të dhënat paraprake thuhet se është provokuar nga një shkëndijë elektrike, çka ka bërë që flakët të përhapen në një sipërfaqe prej 50 metrash katrorë, duke krijuar një situatë alarmi. Ndërkaq, të njëjtat burime saktësojnë se ne vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur punonjës të fabrikës. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në firmën “KIDALB”, që është në zonën e Maminasit, në afërsi të autostradës Durrës-Tiranë. Flaka ka përpirë në fare pak kohë magazinat dhe godinat ngjitur me furrën e pjekjes së tullave, duke vënë në rrezik edhe djegien e godinës së administratës. Dëmet materiale janë të mëdha, pasi ka dalë jashtë funksioni e gjithë linja që kushton rreth 150 mijë dollarë, ndërkohë që edhe kapanonet, mbulesa, magazina me materiale, lënda e parë, mjete transporti etj. janë dëmtuar rëndë.                            l.m

© Panorama.al

Te lidhura