Shpërdorimi “moral” i një “sforcoje” të dobishme

Jun 22, 2011 | 11:11

BUJAR LESKAJ

Arsimi dhe sistemi edukativ i shkollës sonë, veçanërisht këto vitet e fundit, kanë fituar një status përparësor në programin e qeverisjes së djathtë, ashtu siç i takon traditës së saj identitare e ashtu siç i nevojitej kësaj pjese të rëndësishme të së ardhmes së shoqërisë sonë drejt integrimit në BE. Megjithatë, përtej investimeve infrastrukturore (shkolla të reja, pajisje shkollore e laboratorike, internet) që MASH  dhe aparati i saj ministror ka ditur me aftësi të çojnë përpara, sidomos në dy vitet e fundit, një raport i ri pozitiv është krijuar edhe me politikat arsimore, kulturore-kombëtare, ato që kanë të bëjnë me edukimin e brezit të ri dhe në gjatësi vale me kërkesat e kohës, të tregut dhe destinacionit europian që kërkohet nga të gjithë ne. E, në këtë politikëbërje, investim strukturor, një prioritet vendimtar ka qenë financimi i përvitshëm dhe konsistent i kryer me porosinë dhe shqetësimin personal të Kryeministrit të vendit, Prof. dr. Sali Berisha dhe i sinkronizuar drejt nga ministri i Arsimit, Prof. dr. Myqerem Tafaj, për fondin e pasurimit të bibliotekave të arsimit bazë dhe atij të mesëm. Në përgjigje të një thirrjeje të hedhur në vite nga politikat kulturëformuese të shoqërisë civile, por edhe nga vetë botuesit shqiptarë dhe nevojat e tyre për treg, kjo qeveri ka arritur të krijojë për herë të parë një vijimësi në vite investimesh drejt librit, duke rrokur këtë zë të rëndësishëm që synon kryesisht edukimin, dhe jo vetëm mësimin e brezit tonë të ri.
Në kushtet kur nevoja të tjera mund të kenë ngritur krye, kur mund të ketë dhe ka pasur prirje rialokime fondesh ose dhe vështirësish financiare objektive, ruajtja e vazhdueshmërisë së këtij programi nuk duhet konsideruar si një sakrificë e panevojshme, por si një politikë e rëndësishme edukative kombëtare, ndihmë bujare dhe largpamëse e qeverisë për edukimin dhe librin në përgjithësi.
Por, sa u janë përgjigjur këtyre prioriteteve e “sakrificave” objektive të qeverisë operatorët e lëvrimit të këtij fondi nëpër vite, drejtoritë dhe zyrat arsimore rajonale? Nëse do të shikojmë udhëzimet, orientimet, daljet publike të ministrit te Arsimit dhe manualët e dërguar për organizimin dhe vlerësimin e këtij projekti, do të kuptojmë jo vetëm interesin e thellë, por edhe profesionalizmin ministror për ta kryer këtë proces jo thjesht si një tenderim rutinë, por si një proces të rëndësishëm përmbajtjesor për t’u pasuruar bibliotekat me libra që vërtet nevojiten, e jo vetëm sa për të mbushur raftet. Por, sa shkojnë në një kahje politikat e orientuara drejt Ministrisë me veprimet e drejtorive arsimore në rrethe? Po t’u hedhësh një sy librave të përzgjedhur prej drejtorive arsimore nëpër vite, një pjesë prej tyre jo vetëm që janë rutinorë e të padobishëm për kërkesat e reja që shtron edukimi, por ndonjëherë edhe të dëmshëm për formimin e mëtejshëm europian të të rinjve tanë. Është e natyrshme që Ministria dhe aparati i saj e ka të pamundur të urdhërojë (nga ana procedurale) me një shkresë zyrtare aplikimin e prioriteteve që ajo mund të ketë pasur vit pas viti për një seri të caktuar librash, pasi një kompetencë e tillë u takon drejtorive rajonale. Mirëpo, mediokriteti, indiferenca, paaftësia, mosprofesionalizmi e, pse jo, edhe klientelizmi i tyre në përzgjedhje ose në grupet përzgjedhëse, ka filluar të bëhet jo vetëm shqetësues për botuesit e ndershëm, por deri dhe në nivelin e shpërdorimit “moral” të këtyre fondeve. Vazhdojnë të harxhohen lekë për blerje përrallash e gjëegjëzash apo letërsi të vjetër e të kaluar kohe, që i njeh vetëm brezi i vjetër i mësuesve dhe që i jep peshë më tepër sesa ç’kërkon koha. Vazhdon të përzgjidhet letërsi në përgjithësi, në kurriz të librave të mendimit, shkencës, diturive dhe historisë, edhe pse ato janë më të shumta në listat e librave të përzgjedhur nga Ministria për shkak të një sindrome të vazhdueshme të mosdijes e të moskuptimit të prioritetit se në procesin e edukimit vlejnë po njësoj (në këtë fazë mungese të librave të mendimit nëpër biblioteka, akoma dhe më shumë vlejnë pikërisht këto lloje librash, sesa ato që deri tani janë përzgjedhur). Natyrisht që ka edhe drejtori arsimore të veçanta që i kanë kuptuar dhe thithur këto prioritete, duke e pasuruar e, madje, edhe propaganduar, le ta zëmë serinë e librave historikë, psikologjikë e sociologjikë të shkollave të mesme ose serinë e mendimit shqiptar dhe atij të traditës për arsimin bazë ose në vitin e fundit edhe risinë fortësisht me vlerë të fokusuar në librat për njohjen e historisë dhe mendimit të Europës. Veçse, nëse shikohet në këndvështrimin e përgjithshëm, të gjitha këto prioritete të artikuluara disa herë nga vetë Kryeministri gjatë këtyre viteve e të përfshira edhe në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit apo veprimtarinë pozitive orientuese të Ministrisë së Integrimit, nuk kanë arritur të gjejnë përgjigje në pjesën më të madhe të drejtorive arsimore në rrethe, duke i shndërruar këto në zyra të rëndomta tenderuese e, mbi të gjitha, jotransparente.
Madje, ka dhe autorë, si p.sh. At Zef Valentini, i cili sa vjen e po shfaqet më i plotë në letrat shqipe me korpusin gjigand të veprës së tij, të çmuar nga të gjithë dhe lavdia e një qyteti të tillë të kulturës si Shkodra, që s’gjejnë dot vend në bibliotekat edhe të vetë këtij qyteti, apo Mit’hat Frashëri dhe vepra e tij poliedrike, shkrimtarët e shumtë të letërsisë së ndaluar, e quajtur ndryshe letërsi e burgut, sepse nuk kalojnë mediokritetin apo barrierën e përzgjedhjes. Është e pakuptueshme, por edhe e dëmshme që një proces i tillë, kaq i madh për edukimin, të shikohet nga ana e drejtorive arsimore me indiferencë, si një tenderim i thjeshtë rutinor, dhe të mos shihet në atë fokus politik-arsimor-kombëtar që orienton me përkushtim ministri Tafaj dhe veçanërisht kryeministri Berisha. Për mendimin tim, ky proces në rrethe duhet të udhëhiqet nga vetë drejtori dhe stafi më i lartë profesional i drejtorive arsimore, e jo nga tenderues të rëndomtë që nuk e kuptojnë përgjegjësinë dhe rëndësinë e politikave nga të cilat ka derivuar procesi (pse jo, përzgjedhjen mund ta bëjnë intelektualë të shquar të rretheve përkatëse). Ai duhet të shihet si një pikënisje e një programi më të gjerë, le ta zëmë p.sh. librat e mendimit shqiptar të traditës, pasi të kenë pasuruar bibliotekat e të gjitha shkollave të një drejtorie rajonale, të shërbejnë si bazë për organizimin e orëve të lira diskutuese dhe debatuese, e më pas, edhe në veprimtari të përbashkëta, konkurse të ndryshme midis shkollave, në rang qyteti, rrethi, qarku, rajoni e deri në shkallë kombëtare. Kjo, më tej, duhet të shtrihet dhe në shkallë të dy shteteve shqiptare në rajon, Shqipërisë dhe Kosovës, si pjesë e një procesi kombëtar që po vazhdon të thellohet nga Ministria e Arsimit (për vetë rëndësinë e këtij problemi do të shprehem në shkrim të veçantë). Ky është një shembull që tregon qartë se si mund të konkretizohet me anë të këtij procesi një zë i rëndësishëm i edukimit të nxënësve me bazën tonë kombëtare, por dhe një prioritet i Kartës së Bolonjës. Aq më tepër që bëhet fjalë për një brez të tërë autorësh që janë sjellë para publikut tonë pas një heshtjeje dhe censurimi 50-vjeçar, dhe përbëjnë një risi e prurjet e botimeve më elitare shqiptare të këtyre viteve.
Po njëlloj, gjithnjë për të qenë të përshtatur me kërkesat e kohës të asaj ku duam të shkojmë dhe edukimit, duhet të përdoret p.sh. seria “Të njohim Europën”. Është një gjë me vlerë dhe zbavitës pasurimi i bibliotekave dhe programi i leximit të nxënësve me libra të këtij lloji, që e shoqëruar me konkurse brenda dhe midis drejtorive rajonale, mund të çojë deri dhe në organizimin e ditëve kombëtare të Europës, një traditë tashmë rutinë në arsimin e të gjitha vendeve të Europës. Puna, përpjekjet dhe veprimtaria e deritanishme pozitive e Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Integrimit, duhet të konvergojnë në këtë drejtim, pse jo, mos t’i bashkohen dhe ministri të tjera, si ajo e Kulturës, Inovacionit apo institucione të tjera të larta të shtetit shqiptar.
Megjithatë, për t’u kthyer te qëllimi kryesor i këtij shkrimi modest, solla këta shembuj për të përforcuar akoma dhe më shumë mendimin se procesi i përzgjedhjes së librave të bibliotekave të shkollave duhet të fillojë të orientohet e reformohet për mirë në rëndësi dhe vlerësim, në radhë të parë nga ana e drejtorive, si një mjet apo strukturë ndihmëse dhe e edukimit të ri e krijues, jo shtojcë e padobishme pluhuri raftesh. Së dyti, që prioritetet politikëbërëse që janë hedhur e do të hidhen nga Kryeministri, Ministria e Arsimit dhe shoqëria civile, të gjejnë përgjigjen që meritojnë nga cilësia dhe profesionalizmi i përzgjedhësve, të instruktuar dhe përcaktuar drejt nga drejtoritë arsimore përkatëse. Vetëm kështu nuk do të kemi shpërdorim “moral” të këtyre fondeve, por ato do të trajtohen me dinjitetin e “sforcimit” të madh e të dobishëm që qeveria po i jep arsimit, edukimit dhe editorisë së re e të pafuqizuar ende shqiptare. Vetëm kështu mund të detyrohen apo kornizohen teknokratët e Ministrisë së Financave të jenë të vëmendshëm e të kujdesshëm në përkrahjen financiare të këtij projekti madhor, pse jo, dhe të përgjigjen moralisht e më tej, në rast mospërkrahjeje të këtij projekti dhe kësaj politike të dobishme, të suksesshme, për sot e në të ardhmen, europiano-integruese arsimore.

© Panorama.al

Te lidhura