TIRANE – Rreth 650 efektiva të Policisë së Shtetit, të cilët kanë përfituar shpërblim për punë të mirë, do të kthejnë mbrapsht në një mënyrë paratë që kanë marrë nga buxheti i shtetit. Lista që është përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, llogarit rreth 59 milionë lekë të reja, që do të kthehen mbrapsht, në zbatim të VKM Nr.472, datë 2 korrik 2011, “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore”. Në një dokumentet që nuk është bërë publik për median, nënvizohen dy kategori të ndryshme punonjësish policie, të cilëve do t’u mbahen nga rroga paratë që kanë përfituar në formë shpërblimi. Sipas burimeve të rezervuara nga Policia e Shtetit, mësohet se në kategorinë e parë përfshihen 650 punonjës policie, që kanë përfituar shpërblim për punë të mirë, në një vlerë totale rreth 9 milionë lekë të reja. Ndërsa në kategorinë e dytë janë 989 policë, të cilët në këmbim të ditëve të pushimit për vitin e kaluar kanë marrë para në një vlerë totale rreth 50 milionë lekë të reja. Kjo e fundit ende nuk është përfundimtare, pasi do të diskutohet nëse këta punonjës policie do të jenë dakord për t’i konsumuar gjatë këtij viti ditët e pushimit, në mënyrë që të kthejnë paratë e përfituara nga viti 2010. Specialistët e financave të Policisë së Shtetit e kanë argumentuar këtë vendim me faktin që paratë e përllogaritura kanë dalë nga një fond i veçante dhe për këtë arsye janë në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave. Pjesa e VKM, që prek edhe Policinë e Shtetit, janë pika “c” dhe “ç” e këtij vendimi. Në pikën “c” thuhet se “Çdo shpërblim i dhënë nga fondi i veçantë gjatë kësaj periudhe për rezultate të mira në punë, me përjashtim të rasteve kur ligji specifik parashikon ndryshe, të kthehet menjëherë në buxhetin e njësisë shpenzuese. Ndërsa në pikën “ç” të VKM thuhet se “Orët e punës, të kryera mbi kohën normale të punës, për punonjësit e administratës, të konvertohen vetëm në orë/ditë pushimi, ndërsa për punonjësit që marrin pjesë në shërbime operacionale dhe kur nuk është i mundur konvertimi i tyre në orë/ditë pushimi, të konvertohen me pagesë, në përputhje me aktet në fuqi”. Në këto dy argumente është mbështetur edhe vendimi i marrë disa ditë më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ku është përllogaritur shuma e parave që do t’i kthehet buxhetit të shtetit. e.d
59 MLN lekë të reja është shuma e parave të përllogaritura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë që do t’i kthehet buxhetit të shtetit, nga shpërblimet dhe ditët e pushimit që punonjësit e policisë kanë konvertuar me para











