
TIRANE – Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, është në gjyq me Këshillin e Lartë të Drejtësisë në lidhje me shpenzimet për dieta jashtë vendit, që ka bërë kur ka drejtuar këtë institucion. Seanca e radhës pritet të zhvillohet në shtator. KLD-ja ka vendosur që t’i lërë në ngarkim Kreshnik Spahiut një shumë prej 2700 eurosh të shpenzuar me udhëtime jashtë Shqipërisë, ku ka promovuar Aleancën Kuq e Zi, ndërsa Spahiu ka bërë ankim në Gjykatën e Tiranës. Ai ka kërkuar “shfuqizimin e aktit administrativ, urdhrit nr. 799 prot. datë 14 05 2012 për zhdëmtimin e shpenzimeve për udhëtim e dieta jashtë shtetit, si dhe pezullimin e aktit administrativ”. Spahiu i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës që të anulojë aktin e KLD-së, që i lë në ngarkim drejtuesit të Aleancës Kuq e Zi shumat e harxhuara me udhëtime jashtë shtetit. Pas padisë së bërë nga Spahiu në qershor, gjykata ka zhvilluar një seancë në korrik 2012 dhe e ka shtyrë çështjen për në shtator, me qëllim njoftimin e KLD-së për të caktuar përfaqësuesit e saj si palë në proces. Në fillim të gushtit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur caktimin e përfaqësuesit të KLD, në gjykimin e çështjes të ngritur nga z. Kreshnik Spahiu, kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me objekt “shfuqizim akti administrativ”. Përfaqësuesit e KLD do të jenë inspektori Selim Kryeziu dhe përgjegjësi i sektorit të financës në Drejtorinë e Ekonomike, Ngritjes dhe Menaxhimit të Fondeve, Arjan Parruca.











