Shpallet i pafajshëm Kasaj

Jul 27, 2012 | 12:50

Armando Kasaj në gjyq

Gjykata: S’ka prova që specialisti i IT-së të ketë qenë në Kryeministri mbrëmjen e 21 janarit.

U akuzua për fshirjen e serverit. Prokuroria: 2 vjet burg.

Gjykata e Tiranës deklaroi të pafajshëm dje Armando Kasajn, specialistin e kompjuterëve në Kryeministri, i akuzuar për fshirjen e pamjeve filmike të demonstratës së 21 janarit. Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtari Gerd Hoxha, nga aktet e paraqitura nga Prokuroria nuk provohej akuza e ngritur për të pandehurin Kasaj, ajo e “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Referuar gjykatës, e vetmja provë e saktë është akt-ekspertimi i kryer nga FBI, por ky akt nuk provon se cili ka qenë personi që ka ndërhyrë në server. Gjyqtari Hoxha u shpreh se rezulton e provuar që vendi ku ndodhej serveri i kamerave të sigurisë së Kryeministrisë ka qenë nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave të Gardës. Në vijim, referuar qelizës së aparatit telefonik të Kasajt, provohet se në kohën kur është fshirë serveri, Kasaj ka qenë në banesën e tij, pranë Frigoriferit në Tiranë. “Përjashtohet në mënyrë kategorike prania e tij pranë ambienteve të Këshillit të Ministrave në këtë orë dhe hidhen dyshime të forta, të bazuara në prova, mbi praninë e tij në orën 00:51 të datës 22 janar 2011, në ambientet e Kryeministrisë, kur është bërë edhe formatimi e fshirja e të dhënave. Sa më sipër, Gjykata çmon se akuza ndaj këtij të pandehuri bazohet vetëm në indice, të cilat nuk janë të sakta, të rëndësishme dhe janë të paharmonizuara nga njëra-tjetra. Është e vërtetë që një vepër penale mund të provohet dhe nga indicet, por këto duhet të jenë të sakta dhe të lidhura në harmoni me njëra-tjetrën”, tha gjyqtari Hoxha. Vetëm pak para shpalljes së vendimit, avokati i Kasajt paraqiti konkluzionet e mbrojtjes, në përfundim të të cilave kërkoi pafajësinë e klientit. Avokati u shpreh se nuk kishte asnjë dëshmi dhe asnjë dokument shkresor që të provonte se Kasaj ka qenë në Kryeministri në kohën kur është bërë fshirja, e aq më pak që ai të ketë bërë fshirjen. Në seancën e parafundit, Prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet burg të Kasajt. Teksa doli nga salla e gjyqit, Kasaj u shpreh për median se do të kërkonte dëmshpërblim në lidhje me akuzat që rënduan mbi të për një vit.

PS: Vendimi absurd, u hodh poshtë FBI
TIRANE – Partia Socialiste reagoi dje pas vendimit të gjykatës për deklarimin e pafajshëm të Armando Kasajt. Përmes një deklarate publike, deputeti i PS, Sajmir Tahiri, e cilësoi vendimin e gjykatës absurd, skandaloz dhe vrasje për herë të dytë. “Partnerët tanë ndërkombëtarë bënë thirrje njëzëri se ekspertiza e FBI dhe autoriteteve amerikane është baza më e mirë dhe solide për hetime të pavarura dhe pa ndikim politik”, tha Tahiri. Në vijim, ai tha se: “Gjykata sot (dje) hodhi poshtë ekspertizën e Prokurorisë, por mbi të gjitha ekspertizën e FBI dhe autoriteteve amerikane, duke lënë pa fajtor e fajësi autorin e fshirjes së filmimeve, ku sigurisht dallohen jo vetëm ata që gjuajtën me armë ndaj protestuesve, por edhe ata që urdhëruan vrasësit brenda gardhit të qeverisë. Vendimi i sotëm është vrasje për herë të dytë”, tha Tahiri. Sipas deputetit Tahiri, vendimi i djeshëm ishte parathënie edhe për gardistët, dhe për vetë komandantin e Gardës, që akuzohen për vrasjen e 4 protestuesve.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura