Kryeministri, mbledhje jashtë radhe të qeverisë për emergjencën në zonat e bllokuara.
Berisha: Primitivë ata që fërkojnë duart e qëmtojnë vota.
Kryeministri Berisha shpalli mbrëmë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për zonat me reshje të mëdha dëbore. Kreu i qeverisë thirri dje në mbrëmje, në një mbledhje jashtë radhe, kabinetin qeveritar, ku pasi u vlerësua situata e rëndë në disa zona të vendit, ku dëbora ka arritur mbi dy metra, vlerësoi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. “Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, shpall Gjendjen e Emergjencës Civile (fatkeqësisë natyrore), në njësitë e qeverisjes vendore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin e Librazhdit”, u shpreh Kryeministri Berisha. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha shprehu shqetësim për shkak të gjendjes emergjente që paraqitet në zonat verilindore dhe juglindore të vendit dhe shpalli gjendjen e fatkeqësisë në zonat e bllokuara. “Bora me mbi 2.5 metra lartësi përbën një problem real të lëvizjes, furnizimit me ushqime, ndaj dhe duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona, nënkupton ndërmarrjen e përgjegjësive për hapjen e rrugëve në të gjitha komunat e izoluara, si kusht i të gjitha kushteve për shpëtimin e banorëve të kërcënuar. Problem janë ortekët por edhe çatitë, ndaj në emër të qeverisë duke u shprehur solidaritetin më të madh banorëve në zona me probleme të mëdha, u bëj thirrje në mënyrë të programuar se do bëjmë gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim dhe humbje jete, duke shmangur rreziqet më eminente. Dhe një nga rreziqet është shembja e çative nga sasitë e mëdha të dëborës”, shpalli Kryeministri Berisha. Kryeministri nuk la pa sulmuar dhe kreun e opozitës, i cili ironizoi gjatë paradites kreun e qeverisë gjatë takimeve që zhvilloi në qytetin e Kukësit me Shtabin e Emergjencës Civile në këtë qark. Sipas tij, kreu i opozitës po tenton të përfitojë nga fatkeqësia natyrore që ka mbërthyer vendin. “Natyrisht, në këto përpjekje njerëzit e qytetëruar janë të bashkuar, sepse kjo është një forcë madhore natyrore, ndërsa ata që nga strofulla e tyre fërkojnë duart dhe gëzojnë duke vjellë vrer nga mëngjesi deri në darkë me shpresën se do të mund të qëmtojnë vota mbi mundimin dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë të krijuar nga një situatë natyrore e paparë, 45 vjetët e fundit dëshmojnë se jetojnë në shpellën e primitivizmit të tyre”, u shpreh Berisha. Ministrat e qeverisë raportuan mbrëmë për gatishmërinë e sektorëve që mbulojnë. Për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmave, kreu i qeverisë i kërkoi ministrit të Mbrojtjes, Imami, të shohë mundësinë e vënies në shërbim gjatë ditës të aeroportit të Kukësit, nga ku mund të ndahen më lehtë dhe më shpejt ndihmat dhe t’u vihet në ndihmë banorëve të zonave të bllokuara. Kreu i qeverisë falënderoi dhe diplomatët kryesorë në Tiranë për mbështetjen e dhënë. “Dua të falënderoj ambasadorin e SHBA, Aleksandër Arvizu, ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, shefen e misionit të Bankës Botërore, zonjën Kseniya Lvovsky, të cilët me shumë preokupim dhe dashamirësi kanë treguar interesin më të madh për të mbështetur qytetarët shqiptarë në kapërcimin e kësaj situate në Shqipëri”, u shpreh Berisha mbrëmë në mbledhjen e qeverisë.
Emergjencat Emergjenca civile (fatkeqësi natyrore) është situata që shkaktohet nga fenomene natyrore pasojat e të cilave prekin popullatën, pronën, gjënë e gjallë apo mjedisin. në këto kushte, qeveria merr të gjitha masat sipas një plani të detajuar me institucionet e specializuara që të parandalojë, pakësojë apo të riaftësojë nga çdo dëmtim që pëson popullata por dhe prona. përmes kësaj mase arrihet sigurimi i kushteve për funksionimin e institucioneve publike apo private dhe minimizim të humbjeve. Për këtë qëllim vihen në dispozicion të gjitha burimet e shtetit.
Rama: Qeveria s’ka fuqi, arka e shtetit bosh
Kreu i PS akuzon në Twitter Kryeministrin gjatë takimeve në Kukës
“Askush s’është ndihmuar me fonde, shteti është rrënuar në moral”
Kreu i PS, Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi dje qeverinë dhe Kryeministrin Berisha gjatë kohës që ai zhvillonte takime në qytetin e Kukës në Shtabin e Emergjencave. Me mesazhe të njëpasnjëshme të publikuara në adresën e tij në rrjetin social Twitter, Rama kundërshtoi premtimet dhe angazhimet e qeverisë për t’iu gjendur sa më pranë banorëve të zonave të bllokuara të vendit. Sipas Ramës, në Veri nuk ka shkuar asnjë ndihmë, ndërsa shteti fsheh ‘ngricat’ ekonomike. “Deklarimet e Kryeministrit në Veri për fonde për banorët, kopje e premtimeve për Shkodrën e përmbytur: Askush s’është ndihmuar me fonde ende sot!”, u shpreh Rama në reagimin e tij të parë në Twitter ndaj deklaratave të Kryeministrit. Në vijim, kreu i opozitës akuzoi emergjencat civile si inekzistente. “Kjo qeveri s’ka asnjë fuqi për të përballuar emergjenca, arka e shtetit është bosh, kurse shteti është rrënuar në moral e në profesionalizëm!”, u shpreh Rama në rrjetin social, në të cilin reagon pas çdo zhvillimi politik dhe social në vend. Për kreun e PS, dëbora në Veri ka gjunjëzuar shtetin, duke e cilësuar një dështim të qeverisë aktuale. “Kryeministri mund të gënjejë për ngricën që ka bllokuar ekonominë, por s’mund të fshehë dot dëborën që ka bllokuar Veriun e gjunjëzuar tërësisht shtetin”, shprehet Rama. Gjatë takimeve të zhvilluara dje paradite në qytetin e Kukësit, Kryeministri Berisha premtoi se “qeveria është e vendosur të angazhojë të gjitha mundësitë, të gjitha fondet, për të mbështetur e ndihmuar këto familje, por të jemi realistë, kushtet e motit punojnë shumë kundër nesh, punojnë shumë kundër fluturimeve me mjete ajrore, punojnë shumë kundër hapjes së akseve rrugore, sepse i mbyllin ato me shpejtësi”. Kryesocialisti e cilësoi këtë angazhim të Kryeministrit propagandistik dhe mediatik. Në mesazhin e tij të fundit në Twitter, Rama shkruan se “asnjë ndihmë s’ka shkuar në Veri prej dy javësh dhe ndihmat që mund të shkojnë nga sot do jenë thjesht mediatike, sepse shteti ka rënë!”.
Bashkia e Tiranës jep 100 mijë euro për Veriun Bashkia e Tiranës ka akorduar dje një shumë prej 100 mijë eurosh për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga reshjet e shumta të dëborës. Në të njëjtën kohë, kjo Bashki ka vënë në dispozicion të Shtabit të Emergjencës Civile të gjitha burimet e saj njerëzore. “Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të bllokuara nga dëbora, Bashkia e Tiranës ofron një ndihmë financiare prej 100 mijë eurosh. Fondi do t’i vihet në dispozicion Shtabit të Emergjencave Civile. Bashkia e Tiranës vë në dispozicion të Shtabit të Emergjencave Civile edhe burimet e saj njerëzore”, thuhet në njoftimin e shtypit të Bashkisë së Tiranës. Bashkia e kryeqytetit është e para njësi vendore, e cila ka akorduar një shumë si ndihmë financiare për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga reshjet e shumta të dëborës, që i kanë bllokuar ato prej disa ditësh.
Ministria: Numra telefoni për emergjencat “Monitorimi dhe komunikimi me të gjitha rajonet në vështirësi kryhet nëpërmjet kryetarëve të komunave me pikat e kontaktit në çdo shtab prefekture dhe me shtabin qendror të emergjencave në numrat: 2233106, 2233090 dhe 0694110198”. Kështu njoftoi dje Ministria e Brendshme, duke shtuar se Shtabi Qendror i Emergjencës Civile dhe shtabet rajonale në prefektura po vijojnë organizimin dhe drejtimin e operacioneve të ndihmës në të gjithë territorin e zonave në vështirësi në vendin tonë. Nëpërmjet angazhimit të 49 borëpastrueseve, 40 fadromave dhe disa mjeteve me zinxhirë të ushtrisë është bërë e mundur mbajtja hapur për komunikim e të gjitha akseve kombëtare, si dhe pjesa kryesore e rrugëve rurale. Ekipi i helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë ka realizuar 38 fluturime për transportin e emergjencave shëndetësore në rrethet Tropojë, Malësi e Madhe dhe Kukës.
Dëbora dy metra, Kukësi dhe Mirdita të bllokuara Situatë problematike paraqitet në Kukës, në Mirditë, Korçë, Gjirokastër, si dhe në Vlorë në pjesën e Llogorasë. Trashësia e dëborës nga reshjet e vazhdueshme në qytetin e Kukësit arrin në 1.2 m, në Krumë 1.3 m dhe në Bajram Curri 2.2 m. Të gjitha rrugët rurale janë bllokuar. Edhe rrugët nacionale thuajse janë të pakalueshme, përveç “Autostradës së Kombit”, e cila kalohet me vështirësi me zinxhirë. Nga të gjitha zonat e qarkut janë lajmëruar emergjenca shëndetësore, mungesa ushqimesh, bllokime dhe rrezik ortekësh. Sipas njoftimit të dhënë nga Policia e Shtetit, aksi Rubik–Kalimash është i kalueshëm me zinxhirë me një kalim. Madje, policia u kërkon drejtuesve të tonazheve të rënda të mos marrin udhëtime në këtë aks, derisa të normalizohet situata. Edhe zonat e thella nga Rrësheni në drejtim të Lurës janë të pakalueshme. Problematike janë edhe disa zona të Librazhdit. Në Korçë, aksi Kapshticë-Korçë-Qafë/Thanë është i kalueshëm me zinxhirë. Ndërsa zonat turistike në Boboshticë, Dardhë, Voskopojë janë të pakalueshme. Edhe në Gjirokastër, moti ka shkaktuar probleme. Vështirësi në qarkullim paraqiten dhe në aksin Vlorë–Llogora, ku lëvizja kryhet me zinxhirë.
Orteku rrafshon shtëpinë, shpëtojnë 7 veta
Situatë e rëndë edhe në Dibër, banorët në panik nga ortekët. Kryekomunarët: Jemi pa bukë e ilaçe
Ngjarja në Vermosh, fshatrat e Shkodrës e Pukës të izoluara
Makina e bllokuar dje në Dibër
Dhjetëra fshatra në veri dhe juglindje të vendit vijojnë të mbeten të bllokuara, për shkak të dëborës dhe temperaturave disa gradë nën zero. Drejtuesit vendorë të zonave të thella raportojnë situatë mjaft emergjente.Veç izolimit, errësirës e urisë, fshatrat ku trashësia e dëborës i ka kaluar dy metra, japin alarmin se janë të rrezikuar nga ortekët. Në rrethin e Shkodrës, situata më problematike paraqitet në komunat e Dukagjinit. Ndërkaq, rreziku më i madh i banorëve të zonave të izoluara janë ortekët. Orteku i fundit ishte paraditen e djeshme në Vermosh, nga i cili është shembur banesa e Ndue Kolvushaj. Fatmirësisht, 7 familjarët arritën të dilnin në kohë dhe të largoheshin, por tashmë ata kanë mbetur në qiell të hapur. Në Pukë, dëbora brenda në qytet arrin afro 2 metra, ndërsa pesha e rëndë po rrezikon shembjen e çative. Kryetari i Bashkisë, Beqir Arifaj, ka ngritur grupe pune me efektivë të PMNZSH-së për pastrimin e banesave të rrezikuara. Ortekët po shkaktojnë bllokimin e akseve nacionale rrugore, kryesisht të rrethit të Pukës, ku në shumë vende bora ka arritur deri në 3 metra. Të vdekur që mezi varrosen, të gjitha komunat e izoluara, të sëmurë që transportohen me krahë drejt Peshkopisë e Bulqizës, shtëpi që rrezikohen të shemben, frikë nga ortekët që mund të nisin. Kjo është situata në qarkun e Dibrës, ku mijëra banorë janë të izoluar. Kryetarët e 14 komunave të Dibrës, 7 të Bulqizës dhe 2 të Matit raportojnë se situata vazhdon të përkeqësohet. Kryetari i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, tha se “të gjithë fshatrat kanë probleme, por Radomira dhe Shullani janë më keq, pasi rezervat ushqimore po mbarojnë. Nuk kemi shërbim shëndetësor dhe as ilaçe”. Disa familje për të mbajtur frymën gjallë po ziejnë misër. Xhemal Delishi, kryetar i komunës Selishtë në Dibër, raportoi gjithashtu situatë kritike në këtë rajon. Kryekomunari i Zall-Dardhës, Njazi Cani, tha se 1343 banorët e 9 fshatrave janë në gjendje të rëndë, pasi trashësia e borës në disa zona është mbi 2 metra. “Një banesë në Lugje është shembur, ndërkohë që çatitë e banesave të tjera vihen në rrezik. Ndërsa kryetari i Fushë-Bulqizës raportoi se “kërkuam një mjet borëpastrues, pasi kishim një rast vdekjeje. “Është ngritur i gjithë fshati në këmbë për të mundësuar varrimin e tij. Kështu ka ndodhur edhe në Zerqan, ku një i vdekur ka qëndruar dy ditë pa u varrosur”, tha ai. Banorët e Kastriotit i kanë ardhur në ndihmë një gruaje shtatzënë, duke e transportuar drejt maternitetit të Peshkopisë. Disa fshatrave të komunave të izoluara u mungon energjia elektrike, ndërsa në disa të tjera telefonia celulare, pasi antenat janë jashtë funksionit për shkaqe të ndryshme.
PESHKOPI Burrat e fshatit Vrenj në Dibër kanë udhëtuar 5 orë më këmbë, për t’i shpëtuar jetën një 27-vjeçareje shtatzënë. Ata kanë përshkuar disa kilometra rrugë me rreth 1.5 metra borë për ta transportuar me barelë në spitalin e Peshkopisë gruan që rrezikonte jetën e saj dhe të fëmijës. Fatmirësisht, ata mbërritën në kohë dhe 27- vjeçarja lindi fëmijën pa probleme. Burime spitalore bënë të ditur se nëna e re dhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë.
KUKES Një grua në fshatin Pistë të komunës Malizi rrezikon jetën e saj dhe të bebes që pret të lindë. Të afërm të saj në Kukës kanë dhënë alarmin, pasi sipas tyre shtëpia ku ndodhet Valentina Tahiri bashkë me familjarët e saj po shembet. Fëmijët e vegjël janë të sëmurë, ndërkohë që ata s’kanë as ushqime. Një tjetër grua në lindje e sipër është transportuar me shumë vështirësi në spitalin e Kukësit.