Shpallen nominimet e Video Fest, favorizohet Dafina Zeqiri në 6 kategori

May 20, 2012 | 13:40

Në një konferencë për shtyp në RTV21, ditën e hënë, janë bërë publike nominimet për festivalin e klipeve ”Video Fest” që çdo vit mbahet në Kosovë, dhe njihet si festivali i vetëm i klipeve atje, për shkak se tashmë ka bërë traditë dhe me jetëgjatësi më të madhe në ekranin televiziv. Edhe këtë vit, bordi i festivalit i përbërë nga Erolld Belegu, Linda Shala, Parta Kelmendi, Labinot Gashi dhe Florent Boshnjaku kanë përzgjedhur klipet, të cilat do të garojnë në 15 kategori. Ajo që është vërejtur pas shpalljes së nominimeve, ishte radhitja në shumë kategori e vetëm disa këngëtarëve, sikur nuk ka klipe të tjera të cilat janë realizuar brenda një viti. Kështu, ndër më të nominuarit apo të themi rekordin këtë vit e mban këngëtarja Dafina Zeqiri, e cila me klipet ”Super nova” & ”My swag” është nominuar në gjashtë kategori, përfshirë këtu edhe kategorinë ”Videoklipi më i mirë” ku në konkurrencë ka këngëtarët Alban Skënderaj, Genc Saliu (fitues i edicionit të kaluar), si dhe grupin “Kaos”. Fituesi i edicionit të kaluar, Genc Saliu, i cili nga një emër i panjohur arriti të fitojë vendin e parë të një festivali të klipit, këtë vit është i nominuar në katër kategori, duke lënë mbrapa edhe shumë emra të njohur të skenës muzikore. Të nominuar në tri kategori janë edhe këngëtarët e njohur Elvana Gjata (Afër & larg), Alban Skënderaj (Mirësevjen në shpirtin tim), Nora Istrefi (S’ki me ikë), si dhe Big Basta (Bounce with the stars) të cilët garojnë me Mc Kreshën, Lirycal Son, Genc Prelvukajn, NRG Band ku këta të fundit janë të nominuar në katër kategori gjithashtu. Me nga dy nominime këtë edicion janë dy këngëtaret e njohura Argjentina Ramosaj dhe Tuna Sejdiu, të cilat garojnë në kategoritë ”Videoklipi më i mirë i zhanrit pop, ”Videoklipi më i mirë në konkurrencë të femrave” me këngët ”Dyshemeja & Si shiu”. Më pak vëmendje edhe këtë vit u është kushtuar këngëtarëve më me zë në trevat shqiptare. Blero, Genta Ismajli & Shpat Kasapi edhe pse brenda një viti kanë pasur shumë suksese, ata janë nominuar vetëm në një kategori, gjë që e bën të vështirë mundësinë që ata të mund të fitojnë ndonjë çmim. Klipe dhe projekte të cilat bënë zhurmë të madhe si ato të Aurela Gaçes, Zajmina Vasjarit, Adelina & Zanfina Ismailit, Flori Mumajesit dhe shumë emrave të njohur të skenës muzikore shqiptare, as që kishin zënë vend në listën e nominimeve.

© Panorama.al

Te lidhura