KLODIANA SPAHIU
Shqiptarët janë mësuar këto vite të shohin pothuajse përditë shfaqjet e z. Kryeministër. Show i radhës që pamë dje, ishte me “aromë” shëndetësie. Skenografia është po ajo; një sallë e madhe e mbushur plot e që ngrihet në këmbë kur z. Kryeministër hyn furishëm, i ndjekur vetëm një hap më pas nga një miksturë drejtuesish të shëndetësisë dhe truprojash me në krye z. ministër të Shëndetësisë, i jep dorën radhës së parë të përbërë nga “menaxherët” e mëdhenj qe drejtojnë sektorët kyçë të sistemit shëndetësor. Siç është bërë e zakonshme këto kohët e fundit për t’i dhënë më shumë peshë, besueshmëri dhe lezet shfaqjeve të tilla, prania në presidium e një zonje me detyrën e drejtoreshës së Zyrës Rajonale për Europën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, znj. Zsuzsanna Jakab, e plotësoi skenarin në mënyrë perfekte.
E para, sa për sqarim, kjo mbledhje ishte emërtuar Konferenca e parë e politikave shëndetësore. Është interesante, por kombinimi aktual Kryeministër–ministër Shëndetësie gjithmonë kanë maninë të jenë të parët për çdo gjë, pra edhe për emërtime. Konferenca për politikat shëndetësore në vendin tonë gjatë këtyre viteve të tranzicionit janë bërë shumë edhe me pjesëmarrje të ekspertëve më të mirë të OBSH, BB, USAID, e institucioneve të tjera të rëndësishme botërore, ku kanë marrë pjesë edhe paraardhësit e z. Jakab, ndaj ky formalitet është i tepërt dhe tregon veçse oreksin e madh për të qenë të parët, sikundër deklarimet pa bazë e infantile të niveleve të vdekshmërisë foshnjore e amtare të krahasueshme me Danimarkën e Belgjikën etj. Vetëm para 2 ditësh u botua raporti vjetor i “Save the Children”, ku Shqipëria vlerësohej në vendet e fundit për kujdesin ndaj fëmijëve dhe nënave.
Nejse, të lëmë formën e të përqendrohemi te përmbajtja, çfarë tha në thelb z. Kryeministër në fjalën e tij…
E para; paradë suksesesh në sistemin shëndetësor me reforma të shkëlqyera dhe ilustrim i vdekshmërisë foshnjore njëshifrore, nivelin e lartë të imunizimit etj., të cilat janë thjesht shprehje e euforisë së përgjithshme të pabazë, që e ka mbërthyer. Sistemi i imunizimit në Shqipëri ka qenë në nivele shumë të larta që në kohën e socializmit dhe kjo, si pasojë e shtrirjes së sistemit shëndetësor në gjithë vendin. Se sa e mirë e bashkëkohore është gjendja e sistemit tonë shëndetësor sot, këtë e shohin dhe e provojnë në lëkurën e tyre ata dhjetëra-mijëra shqiptarë që ndeshen me të kur marrin një shërbim skandaloz shëndetësor, me mungesa të theksuara edhe në ato më elementaret, si barnat, reagjentët e kushtet higjieno– sanitare, e duke e ndier thellë në shpirtin e kuletën e tyre zhvatjen me lloj-lloj pagesash e korrupsioni ekstrem.
E dyta; duke dashur të bëjë prezantimin e tij të besueshëm dhe kritik edhe në sytë e drejtueses së OBSH për Europën, për herë të parë z. Kryeministër foli edhe për përmirësimin e menaxhimit, pasi “vetëm paraja nuk e blen dot shëndetin”. Më së fundi, pas 7 vitesh deklarimi deri në absurd të suksesit të shëndetësisë si pasojë e rritjes së buxhetit të saj, tani z.Kryeministër u kujtua të deklarojë se sistemi ynë shëndetësor çalon në menaxhim ose, me fjalë të tjera, paratë e popullit janë hedhur në ujë. Me të drejtë lind pyetja: kush e ka penguar mirëmenaxhimin e sistemit tonë shëndetësor në këto vite? Përgjigjet janë të qarta:
Së pari jeni ju z. Kryeministër, që me politikat tuaja në mbajtjen me çdo çmim të pushtetit, e keni përdorur postin e ministrit të Shëndetësisë si një plaçkë këmbimi për të siguruar numrat në Parlament. Gjate këtyre 7 viteve të pushtetit tuaj keni ndërruar 4 ministra të Shëndetësisë (Cikuli, Ndoka, Godo, Vasili). Për pasojë, në stilin allashqiptar, kjo është shoqëruar me ndryshimin pothuajse tërësor të së gjithë piramidës së drejtuesve të institucioneve shëndetësore të vendit, duke i zëvendësuar ata pak menaxherë të trajnuar në vite me militantë partiakë sipas ngjyrave të partive që u jepej plaçka e shëndetësisë (blu, blu – e verdhë, blu e bardhë apo e kuqe e thellë). Pasojat e kësaj mynxyre po ndihen sot, por do të ndihen për shumë kohë në sistemin tonë shëndetësor.
Së dyti, janë drejtuesit e sistemit shëndetësor në këto vite të pushtetit tuaj, të cilët, sipas modelit tuaj, në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe primitive kanë përdorur dhe përdorin kritere dhe metoda feudale për punësimin, ruajtjen dhe aftësimin e klasës së menaxherëve të shëndetësisë. Bota e zhvilluar që përfaqëson edhe institucioni që drejton z. Jakab, përdor metoda e kritere shkencore dhe transparente në emërtimin e menaxherëve të shëndetësisë me konkurse, programe, autonomi e vlerësime. Cilat janë kriteret që kanë përdorur vartësit tuaj, z. Kryeministër, në emërtimin e drejtuesve të spitaleve apo institucioneve të tjera shëndetësore në këto vite? Cili është kualifikimi i tyre menaxherial, a analizohet puna e tyre dhe a ka tregues që e matin këtë punë? A ka menaxherë të shëndetësisë të trajnuar edhe jashtë shtetit, që janë të papunë apo punojnë në fusha të tjera, pasi askush nuk i hap derën në sistemin shëndetësor sot?
Po drejtuesit e radhës së parë, ata me kostume të shtrenjta që janë aktualisht menaxherët e sistemit të sotëm shëndetësor, a kanë faj në katandisjen e këtij sistemi në këtë katrahurë? Dëgjoji mirë z. Kryeministër, pasi një pjesë e tyre kanë përvojë shumë të madhe në menaxhimin me sukses të financave të tyre personale.
Dy fjalë edhe për zonjën Zsuzsanna Jakab: E para, OBSH ka financuar e drejtuar në këto vite shumë projekte edhe për menaxhimin shëndetësor në Shqipëri. Dr. Jakab do të bënte mirë të analizonte cila ka qenë eficienca e këtyre projekteve që e ka katandisur menaxhimin e sistemit shëndetësor të këtij vendi në këto nivele, dhe e kishte kollaj pasi mund të pyeste pikërisht njerëzit që kishte në krah në këtë konferencë. E dyta, në lidhje me thënien e saj se “keni fat që keni një Kryeministër si zoti Berisha”. Kjo pa dyshim lidhet me analogjinë që bën kjo zonjë me vendin e saj Hungarinë, shtetasit e së cilës janë shumë krenare për Kryeministrin që kanë aktualisht.











