“Gjysmën e pushimeve i përfundova, isha në Dhërmi me shoqen time Erletën, nga fundi i gushtit besoj që do iki prapë diku me pushime të qetësoj trurin, se kam pasur mjaft ngarkesë kohëve të fundit”. Kështu e fillon intervistën e saj për “Panorama plus” këngëtarja dhe aktorja e njohur kosovare, Shota Baraliu, e cila me sinqeritetin dhe temat interesante në projektet muzikore ka bërë për vete shumë publik. Ka bashkëpunuar me Kastron, ndërsa në intervistë rrëfehet mbi këtë projekt, si dhe planet e saj që pas martesës të ndërpresë muzikën dhe t’i përkushtohet aktrimit.
Shota, na trego eksperiencën tënde të bashkëpunimit me Kastron…
Të them të drejtën, Kastron e njoh prej 3 viteshdhe nuk kam pasur vështirësi gjatë punës. Kemi ditur çka duam dhe shumë shpejt kemi përfunduar këngën dhe klipin. Kastro ka qenë një djalë mjaft korrekt dhe profesionist gjatë bashkëpunimit
A mendon që do ketë sukses ky bashkëpunim dhe a është ide e frytshme që të fitosh edhe më shumë popullaritet?
Për mendimin tim, kënga është pritur mjaft mirë nga publiku. Normalisht që më është dashur t’i përshtatem stilit të Kastros, po nuk e kam pasur problem. Nuk kam bërë bashkëpunim me Kastron vetëm e vetëm që të më jepet popullaritet, thjesht çdo njeri ka publikun e vet. Ideja e bashkëpunimit ishte e të dyve dhe shkoi shumë mirë.
Ai një kohë ka jetuar në Kosovë, jeni takuar shpesh për kafe?
Po, ka jetuar 1 vit në Kosovë, jam takuar shumë shpesh, sepse e kam pasur dhe fqinj me banesë. Mund të them lirshëm që e kam shumë shok dhe është një çun fantastik.
Shota, në një intervistë ke deklaruar se je e dashuruar, por nuk je e gatshme të bësh publik emrin, mund të na zbulosh të paktën arsyet pse?
Po, jam e dashuruar, nuk kam dashur ta bëj publike lidhjen, sepse të dashurin dua ta kem për vete e jo për mediat, sepse po fillove të bësh publike çdo gjë, normalisht që do lindin probleme, kështu që tani për tani mirë jam.
Si do e përshkruaje jetën tënde si një femër e martuar? Do vazhdosh me muzikë apo me profesionin tënd si artiste?
Hmm, shpresoj të kem një familje të shëndoshë, ta duam njëri-tjetrin. Sa i përket muzikës, nuk ma merr mendja që do vazhdoj dhe pas martesës, e me aktrim normalisht që do vazhdoj maksimalisht, sepse e kam profesion dhe e dua shumë.











