Herë mbas here, në shtypin e shkruar dhe masmedian shqiptare janë hedhur analiza, komente apo kritika rreth rolit të “shoqërisë civile” apo “sektorit të tretë” dhe destinimit të ndihmës së huaj në mbështetje të këtij sektori. Pa pretenduar për një trajtim shterues të problemit, posaçërisht për shkak të dimensionit shumëplanësh të tij, por me dëshirën që të hedh sadopak dritë mbi marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë civile dhe ndryshimeve që kanë ndodhur në shoqërinë e sotme shqiptare, në vijim po ofroj opinion tim rreth evoluimit të këtyre marrëdhënieve. Qysh në krye të herës dëshiroj të theksoj se në Shqipëri, ashtu si dhe në vendet e tjera ish-socialiste, në mungesë të kulturës së filantropisë, veprimtaria e organizatave të shoqërisë civile ka qenë mbështetur gjerësisht nga donatorët e huaj – kryesisht institucionet dhe agjencitë zhvillimore të vendeve më të fuqishme të botës demokratike, OKB-ja, organizatat bamirëse perëndimore, por nuk kanë munguar edhe kontribute nga palë të treta (kryesisht përmes fondacioneve fetare etj.). Në këtë diversitet apo pleksje interesash të donatorëve dhe individëve të veçantë, grupeve përfituese apo të shoqërisë në tërësi, mund të konkludohet pa hezitim se përgjithësisht mbështetja ka qenë efektive, d.m.th. ka kontribuar në zhvillimin e tregut të ideve, në formësimin e një vizioni më bashkëkohor mbi shoqërinë demokratike dhe ekonominë e tregut të lirë për të cilën vende si yni u përcaktuan qysh në fillimet e ndryshimeve sistemike dy dekada më parë. Gjithashtu janë mbështetur grupe dhe shtresa shoqërore në nevojë, sektorë të rëndësishëm të shërbimeve publike si arsimi, shëndetësia etj. Në këtë mënyrë, veprimtaria e shoqërisë civile, krahas ndihmesës për zgjimin apo emancipimin shoqëror, i ka kontribuar krijimit të një terreni mbështetës për reformat e rëndësishme që janë ndërmarrë në vendin tonë gjatë këtyre dy dekadave që nga shembja e komunizmit. Një arritje e pamohueshme është që gjatë kësaj periudhe, shoqëria shqiptare ka evoluar nga autocensura e individit dhe kontrolli shtetëror në të gjitha fushat; apatia e theksuar qytetare, mentaliteti individualist dhe mungesa e vlerave të komunitetit e atyre fetare etj., në një lloj rikrijimi shumëplanësh të saj që, me gjithë problemet që mbart, është disi normale, gjithnjë brenda kontekstit të kohës kur jetojmë. Në një terren më konkret, janë rritur kapacitetet e individëve dhe të shoqërisë në tërësi “për të mos kapërdirë pa përtypur”, d.m.th. pa atë përpunimin intelektual të nevojshëm që “qytetari mesatar” në shoqëritë moderne bashkëkohore u bën ideve që hidhen në mjedisin shoqëror, politikave që ndjekin qeveritë, zhvillimeve që ndodhin në arenën ndërkombëtare etj. D.m.th. “qytetari mesatar” i sotëm nuk është më aq individualist dhe i painteresuar për “fatet e përbashkëta” në shoqërinë ku jeton, siç ka qenë, p.sh. dhjetë vjet më parë. Natyrisht që në këtë proces, një rol të pazëvendësueshëm ka luajtur dhe luan masmedia, evolucioni cilësor i së cilës ka ngushtuar distancën midis njerëzve dhe ka sjellë njëlloj unifikimi të perceptimit të zhvillimeve që ndodhin përditë në realitetin që na rrethon. E, meqë jemi te ky realitet, në vlerësimin tim, perceptimi rreth tij evidencon dukshëm të paktën tri “Shqipëri” që nuk ngjasojnë aspak njëra me tjetrën. E para është “Shqipëria rozë ose virtuale”, të cilën rreken ta krijojnë disa politikanë në pushtet, analistë, komentatorë politike, mbështetës të paguar në sferat intelektuale etj. E dyta është “Shqipëria që nxin”, e mbushur me përshkrime të shfaqjeve të varfërisë dhe mjerimit ekonomik të vendit (që nuk mungon as edhe në segmente të caktuara të shoqërive më të zhvilluara); me krizën që rrezikon të na gllabërojë të gjithëve (në fakt bota është zhvilluar përmes krizave dhe pamundësia e sistemit të ekonomisë së tregut për planifikimin dhe parandalimin e tyre është një defekt i njohur i tij prej së paku 100 vjetësh); me keqqeverisjen deri në atë masë sa të ngulitet përfytyrimi “se zyrat kryesore të shtetit tonë janë kthyer në zyrat e një organizate mafioze ku vendoset për rrënimin tonë dhe çfarëdo zgjatjeje të sundimit të kastës së sotme drejtuese është zgjatje e agonisë sonë kolektive” etj. Kjo “Shqipëri” e dytë, në mungesë të alternativave zhvillimore, publike, institucionale (të adresuar në Kuvendin e Shqipërisë), krijohet hap pas hapi nga aspirantët për pushtet, pa qenë në gjendje të artikulojnë se çfarë mund të bënin apo duan të bëjnë ndryshe nga ç’bën qeveria e sotme. Ndërkaq, larg e më larg këtyre dy “Shqipërive”, gjendet “Shqipëria reale”, ajo e qytetarëve që në mungesë të shpresës për realizimin e pritshmërive të saj nga qeverisja e radhës (qeverisja është e të gjithë qytetarëve), bëjnë përpjekje sfilitëse për të përmirësuar çdo ditë jetesën e tyre, për të gëzuar të mirat që mundëson sistemi i ekonomisë së tregut dhe shoqërisë demokratike në të cilën jetojnë. Nuk ka dyshim se e shtrirë ndërmjet këtyre tri “Shqipërive” gjendet edhe shoqëria civile shqiptare, në përpjekje për të përmbushur misionin e saj, pa injoruar rrethanat në të cilat gjendet dhe vepron. Më konkretisht, OJF-të shqiptare, si pjesë të shoqërisë civile, kanë pasur dhe kanë të njëjtat probleme si dhe simotrat e tyre në ish-Lindjen komuniste.
Së pari, ato vazhdojnë të jenë “autokratike”, d.m.th. ka pak ose aspak qarkullim figurash drejtuese të tyre, ndonëse kanë shërbyer dhe shërbejnë edhe si “inkubator” për formimin e profileve profesionale, publike dhe në disa raste edhe politike të një numri funksionarësh të qeverisë së sotme dhe të atyre të mëparshme. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe fakti se PD dhe z. Berisha u rikthyen në pushtet në vitin 2005 edhe falë aftësisë për të kuptuar rolin dhe kontributet e domosdoshme në shoqëri të elitave si agjente të ndryshimit, duke përfshirë edhe vetë shoqërinë civile.
Së dyti, OJF-të, si pjesë të shoqërisë civile, janë të krijuara kryesisht “nga lart-poshtë”, d.m.th. kanë ardhur përgjithësisht si imitime të modeleve të suksesshme në vendet perëndimore europiane dhe SHBA, por edhe janë inspiruar deri diku dhe nga paqëndrueshmëria dhe politizimi konstant i administratës publike. Thënë ndryshe, një pjesë e madhe e tyre nuk janë produkte apo derivate të zhvillimeve në komunitet, të rrënjëzuara në të dhe “avokate të interesave të tij”, nuk janë krijuar nisur nga komunitetet ku jetojnë qytetarët. Kjo shpjegon edhe faktin se mbi 80% e organizatave të shoqërisë civile janë të regjistruara dhe veprojnë në kryeqytet, edhe pse pretendojnë të kenë aktivitet në nivel kombëtar. Pa folur pastaj për keqpërdorimin që një pjesë e zyrtarëve të lartë publikë – ligjvënës apo vendimmarrës – u bëjnë posteve publike e politike që mbajnë përmes krijimit apo inkurajimit të padukshëm të rrjeteve të OJF-ve që herë-herë funksionojnë si “xhepa” drejt të cilave devijohen fonde publike e të donatorëve dhe në disa raste të tjera shërbejnë për “zbritje të butë” nga postet që mbajnë. D.m.th. paqëndrueshmëria e administratës dhe institucioneve të larta publike dhe mungesa e konkurrencës në të, si dhe përfshirja e një pjesë të administratës së lartë në konflikt të hapur apo të fshehtë interesi, është ndër shkaqet e deformimit të rolit të shoqërisë civile aty ky shfaqet, deformim i cili nuk mund të mos reflektojë dhe në imazhin publik rreth transparencës së menaxhimit financiar të OJF-ve.
Së treti, OJF-të, si pjesë të shoqërisë civile, ishin dhe vazhdojnë të jenë dukshëm të drejtuara nga donatorët. Ky drejtim apo orientim shfaqet si në fokusin e veprimtarisë së tyre, ashtu edhe në vartësinë e dukshme financiare nga donatorët. Natyrisht, në krijimin e kësaj gjendjeje, sipas mendimit tim, ka ndikuar edhe mungesa e kulturës së filantropisë nga ana klasës së mesme, ndonëse kjo e fundit është fuqizuar, sidomos në periudhën mbas krizës së vitit 1997. Faktor tjetër është edhe mungesa e qëndrueshmërisë në pjesën më të madhe të OJF-ve shqiptare, për rrjedhojë edhe pamundësia për të kërkuar e gjetur burime duke diversifikuar kështu portofolin e burimeve si mjet që rrit pavarësinë e tyre dhe fuqizon zërin në komunitetin ku vepron njëra apo tjetra organizatë.
Së katërti, vitet e fundit vihet re një përkeqësim dhe zbehje e rolit të organizatave të shoqërisë civile, më duket edhe për shkak të rritjes së vartësisë politike ndaj pushtetit të radhës. Kjo për faktin se një numër syresh janë në kushtet e mbijetesës dhe se problemi kryesor për ta është vetë ekzistenca e tyre (sigurimi i pagave të stafit) më shumë se krijimi i përfitimeve për grupin shoqëror të synuar apo komunitetin me të cilin lidhet veprimtaria e tyre. Një ndikim pozitiv në këtë drejtim pritet të japë edhe Agjencia e Mbështetjes së Shoqërisë Civile e ngritur dy vjet me parë, natyrisht nëse do të arrijë të funksionojë në mënyrë legjitime dhe jashtë ndikimeve politike të momentit.
Së fundi, gjatë kësaj dekade, në vendet që janë në një pozicion më të avancuar në procesin e anëtarësimit në BE, vihet re aty-këtu edhe fakti se vendin e OJF-ve si subjekte juridike po e zënë edhe organizatat me bazë komunitare, ndërsa një numër OJF-sh po shndërrohen në shoqëri private konsulence apo mbeten thjesht skematike në fushën e tyre të veprimtarisë. Ky zhvillim është prezent edhe në vendin tonë, ndonëse duhet theksuar se ndër kulmet e njohura sa i takon krijimit dhe veprimit të organizatave që funksionojnë si “grupe presioni” mund të konsiderohet lëvizja “Mjaft!”. Në vlerësimin tim, ndërtimi i besimit të komunitetit përmes nismave të tilla nuk lidhet aq me fondet në dispozicion se sa me përfaqësimin e interesave thelbësore të grupit shoqëror që përfaqëson, me përpjekjet e pareshtura për materializimin e pritshmërive të shpallura – dobisë shoqërore dhe në qëndrimin larg përdorimit tipik politik (siç ishte rasti i kësaj lëvizjeje). Ndërsa përpjekjet e ndërmarra në kuadrin e rrjeteve të organizatave me bazë gjinore, me gjithë inspirimin progresist dhe me dobi shoqërore të padiskutueshme kanë rezultuar pa ndonjë mbështetje publike të gjerë e të qëndrueshme. Në vlerësimin tim, stadi aktual i marrëdhënieve të shoqërisë civile në cilësinë e agjentit të ndryshimit dhe tri “Shqipërive” të përmendura më lart mund të karakterizohet nga një ngërç i madh që nuk përfshin vetëm shoqërinë civile, por edhe aspektet institucionale të vendit dhe ndërveprimin e aktorëve të ndryshëm të përfshirë. Kështu, një shqetësim serioz nuk është dhe nuk mund të jetë as sa thuhet e shkruhet “pushteti i pakufizuar dhe në rritje i Kryeministrit Berisha”, siç artikulon ndonjëra nga “Shqipëritë” e përmendura më lart, por cilësia në rënie e integritetit dhe profilit publik e profesional të individëve që marrin përsipër të drejtojnë institucione të rëndësishme të shtetit; prirja e përzgjedhjes së figurave publike nga nivelet e poshtme të shoqërisë, biznesit etj., dhe katapultimi i tyre në përfaqësimin politik dhe në drejtimin e institucioneve, gjë që paralajmëron vetëm një karrierë të shpejtë personale të bazuar vetëm në “luajalitetin ndaj shefit”, por që nuk mundëson shërbimin apo produktin publik të pritshëm në dobi të taksa-paguesve e votuesve. Madje, përditë e më tepër shihet se në vend të parimit të mirënjohur demokratik “check and balance”, i gjithë shteti ynë që nga një celulë organizate partie (a nuk janë partitë politike elemente kushtuese, pjesë thelbësore të sistemit demokratik) deri në majat më të larta të pushtetit dhe të qeverisjes (këtu bën pjesë edhe opozita) pamja paraqitet e përmbysur: demokracia e drejtpërdrejtë mungon, ndërsa llogaridhënia nuk njihet… Në fund të fundit, duhet të kuptojmë se individët në drejtimin e institucioneve janë shumë të rëndësishëm në funksionimin e tyre, se këta të fundit (institucionet) janë funksionale në shoqëritë perëndimore pikërisht sepse janë ngulitur thellë në mentalitetin e qytetarëve të këtyre vendeve. Pikërisht në këtë mision – në dhënien e kontributit në ndërtimin e besimit publik ndaj shtetit si produkt të votës dhe që mbahet me taksat tona, mund dhe duhet të jetë aktive edhe shoqëria civile shqiptare dhe aktivistët shoqërorë të të gjitha fushave. Kështu bëhet e mundur që tri “Shqipëritë” e përshkuara më lart të shkojnë gradualisht drejt shkrirjes së dallimeve ndërmjet tyre paralelisht me vendosjen e individit – “qytetarit mesatar” me nevojat e tij të ligjshme më në qendër të veprimtarive publike. Kështu, shtetit ynë ligjor (a nuk ishte ligjor edhe sistemi i centralizuar?) bëhet gradualisht edhe shtet i së drejtës, ndërsa qeveria, përveçse legjitime, siç është sot, (zotërimi i jo më pak se 71 votave në favor të zgjedhjes së saj në Kuvendin e Shqipërisë), bëhet edhe më efektive, d.m.th. punon për sendërtimin e pritshmërive të qytetarëve të mishëruara në programin politiko-qeverisës të saj.
Në përfundim, mendoj se roli i shoqërisë civile në Shqipëri është një punë proces, se ky grup shoqëror po zhvillohet në mjedisin shoqëror të vendit dhe mbetet një bartës i rëndësishëm i ndryshimit në të. Çfarëdo qëndrimi nihilist ndaj shoqërisë civile në optikën e ndonjërës nga “Shqipëritë” e përmendura më lart, më shumë se sqaron problemin, cenon besimin publik ndaj “sektorit të tretë” duke minuar kështu edhe rolin transformues të shoqërisë civile në demokraci.
© Panorama.al












