Shoqata e Hidrokarbureve, letër Berishës: Ndërhyni në Porto-Romano

Aug 19, 2011 | 9:23

Qeveria duhet të ndërhyjë për të zgjidhur situatën e krijuar në portin e Porto-Romanos për të vendosur konkurrencën në tregun e shkarkimit të gazit të lëngshëm. Kjo ka qenë edhe kërkesa që ka bërë Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure në një letër drejtuar kryeministrit Sali Berisha. Sipas kësaj shoqate, koncesionari që ka nën menaxhim portin e Porto-Romanos, ka shkelur rregulloren mbi të cilën është nënshkruar marrëveshja, duke mos lejuar dy kompani importuese të gazit që të shkarkojnë anijet me gaz të lëngshëm dhe, nga ana tjetër, kjo kompani ka kërkuar më shumë dokumentacion sesa ka autoritetin të kërkojë. Precedenti me kompanitë importuese ndodhi në një hark të ngushtë kohor dhe për SHSHH kjo është një shprehje e pastër e ndalimit të konkurrencës. Lidhur me këtë çështje në letrën drejtuar kreut të qeverisë, kjo shoqatë ka renditur edhe një sërë kërkesash. “Në emër të anëtarëve të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, kërkojmë ndërhyrjen tuaj për: marrjen e masave të menjëhershme për rivendosjen e konkurrencës në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm në tregun gjeografik “Porto-Romano”, detyrimin ligjor të koncensionarit “Romano Port” sh.a. të respektojë të drejtën e barazisë për shoqëritë që do të kryejnë shërbime nëpërmjet këtij objekti si dhe eliminimin e monopolit dhe konkurrencës së pandershme në tregun e GLN”, thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit. Kërkesën për ndërhyrjen e qeverisë në situatën e krijuar në Porto-Romano, Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure e mbështet dhe në faktin që tashmë Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim për këtë treg.

© Panorama.al

Te lidhura