TIRANE – Policia e kryeqytetit ka nisur procedim penal dhe ka referuar dosjen në Prokurori me akuzën e “vjedhjes nëpërmjet mashtrimit” ndaj një 47-vjeçari që mashtronte prindërit e studentëve, duke u prezantuar si shoferi i Dhori Kules. “Shoferi” i rektorit të Universitetit të Tiranës akuzohet se për të paktën dy raste, të kallëzuara në polici, ka vjedhur me anë të mashtrimit rreth 4 mijë euro. Burime nga Antikrimi Ekonomik në Policinë e Tiranës thanë se Spartak Rexhmata u ka premtuar prindërve të dy vajzave 20-vjeçare që nuk kishin arritur të fitonin konkursin për shkollë të lartë, se do të ndërhynte ai, në mënyrë që vajzat të fillonin studimet. Por, për t’u regjistruar në Universitetin e Tiranës, “fatura” kushtonte 2 mijë euro për secilin rast. Në zyrat e Antikrimit Ekonomik kanë bërë kallëzim më 21 shkurt 2012 prindërit e dëmtuar. Burime nga Policia thanë se fillimisht ka bërë kallëzim Edmond Ramaliu, nga Durrësi dhe banues në Tiranë. Ai ka pretenduar në polici se i ka dhënë shtetasit Spartak Rexhmata, që prezantohej si shoferi i Dhori Kules, shumën prej 2 mijë eurosh, në mënyrë që të ndërhynte për të regjistruar në Universitetin e Tiranës vajzën e tij, O. Ramaliu. Të njëjtën gjë ka premtuar edhe një prind nga Lushnja, Ilija Kote, i cili ka kallëzuar se të njëjtit person, Spartak Rexhmata, i ka dhënë 100 mijë lekë të rinj dhe 1600 euro në mënyrë që t’i regjistronte vajzën, A. Kote, në universitet. Burime nga Policia thanë se të dy prindërit kanë denoncuar se mashtrimi nga ana e “shoferit” të rektorit Kule ka ndodhur tri vite më parë, kur vajzat e tyre sapo kishin përfunduar shkollën e mesme. Pasi kanë parë që emri i vajzave nuk figuronte në asnjë prej listat e fituesve të shkollës së lartë, as me shtesat dhe kuotat dytësore, i kanë kërkuar shpjegime personit që u kishte premtuar. Fillimisht ai i ka mbajtur me shpresa, duke u thënë se për çështje ditësh gjithçka do të zgjidhej, pasi kishte ndodhur një ngatërrese. Por më pas ata kanë humbur çdo kontakt me të. Për këtë arsye kanë vendosur t’i drejtohen policisë, duke denoncuar 47-vjeçarin që i kishte mashtruar dhe vjedhur paratë. Pas verifikimeve të kryera nga policia, ka rezultuar që personi i kallëzuar nuk ka punuar asnjëherë si shofer i rektorit Dhori Kule dhe gjithçka ka qenë mashtrim.











