Në të njëjtën ditë, Komisioni i Ekonomisë miratoi marrëveshjen për shlyerjen e borxhit me Serbinë në vlerën 8.5 milionë dollarë, ndërkohë që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës firmoi një marrëveshje bashkëpunimi me Kinën. Lidhur me të parën, që është edhe shlyerja e borxhit të mbarur që nga komunizmi, Komisioni ra dakord me marrëveshjen e financave ku parashikohet që ndaj Serbisë të bëhen 10 pagesa të ndara dy herë në vit, njëherë në mars dhe njëherë në shtator. Ndërkaq, përfaqësuesja e Drejtorisë së Borxhit pranë Financave, Desdemona Lamaj, tha gjatë fjalës së saj se me këtë borxh Shqipëria i jep fund shlyerjes së borxheve të mbartura nga komunizmi. Ndërkaq, vende të tilla si Kuba dhe Koreja kanë borxh ndaj Shqipërisë.
Marrëveshja
Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, priti dje zv. ministrin e Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës, Zhong Shan. Gjatë takimit, theksi është vënë mbi mundësinë e investimeve që ofron Shqipëria për investitorët e huaj. Privatizimet strategjike apo sektori energjetik janë përfshirë në listën e potencialeve që ofron vendi ynë për investitorët e huaj. Zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo, i cili nënshkroi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit, u shpreh në fjalën e tij se së bashku me homologun e tij kinez ranë dakord për hartimin e një plani pune intensiv ndërmjet dy vendeve, duke menduar se shkëmbimi i informacionit duhet të jetë me ritëm të lartë, kontaktet e biznesit shqiptar me biznesin kinez duhet të jenë edhe më të shpeshta, organizimi i evenimenteve të përbashkët duhet të njohin një tjetër ritëm. Shembull i kësaj ishte marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik që synon rritjen e marrëdhënieve mes dy shteteve, ndërkohë që Kina ka ofruar një grant prej 10 milionë huanësh apo 1.5 milionë dollarësh për shtetin shqiptar.
8.5 milione dollare
është borxhi që Shqipëria ka ndaj Serbisë, borxh i mbartur nga periudha e para viteve ’90. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në mars dhe në shtator
1.5 milione dollare
ndihmë ka dhënë Kina për shtetin shqiptar, së bashku me marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik që u nënshkrua dje nga Ministria e Ekonomisë











