Shkurtimi i buxhetit dhe blerja e 5 helikopterëve, sot në Kuvend

Jul 14, 2011 | 11:51

Maxhoranca do të miratojë sot e vetme në Kuvend ndryshimet në buxhet nen për nen, duke shkurtuar 18.3 miliardë lekë shpenzime për këtë vit. Njëkohësisht, në axhendën e sotme do të jetë edhe ndryshimi i kontratës për blerjen e 5 helikopterëve ushtarakë shumërolësh nga shoqëria “Eurocopter”, për 78 milionë euro. Opozita nuk do të jetë sot e pranishme. Sot do të bëhet vetëm votimi i buxhetit pa asnjë debat, pasi diskutimet u zhvilluan javën e kaluar ku ai u votua në parim dhe kaloi edhe njëherë nëpër komisione parlamentare. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, “zhvillimet në ekonominë rajonale dhe atë globale, përgjysmimi i pritshmërisë së rritjes së tyre për ekonomitë e vendeve të rajonit tonë, na bën që të jemi më realistë në versionin tonë dhe të shpresojmë që në fund të vitit 2011 të mundësojmë një rritje ekonomike rreth 5%, çka do të ishte përsëri më e larta në rajon dhe në nivel europian”. Sipas tij, në tërësi shpenzimet e buxhetit të shtetit do të shkurtohen në masën 4.5% në krahasim me programin e tyre, që do të thotë se nuk është një shkurtim që do të ndikonte në ekonominë reale dhe as në funksionimin normal të punëve publike, kur dihet se realizimi i tyre është në masën 90%. Nga ana tjetër, ndryshimi i kontratës së blerjes së 5 helikopterëve ka të bëjë me shtyrjen me një afat për dorëzimin e njërit prej tyre. Vit pas viti do të merren në dorëzim nga dy helikopterë, duke filluar nga viti i ardhshëm, ndërsa i fundit do të vijë vitin 2014. Njëkohësisht, qeveria ka dërguar edhe një kontratë për blerjen e një tjetri helikopteri civil prej 5.35 milionë eurosh për personalitetet shtetërore shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura