Vendimi, administrata do kthejë paratë e shpërblimeve

Jul 9, 2011 | 10:11

Arka e buxhetit të shtetit është në ditën më të keqe. Parashikimet e Ministrisë së Financave janë aq të zymta, sa edhe imazhi i vendimit që kërkon të kthejë mbrapsht shpërblimet e dhëna për administratën.Në faqen e Ministrisë së Financave është botuar një vendim i fshehur nga Kryeministria, i cili detyron shkurtimet më të mëdha në shpenzimet e buxhetit. Qeveria, më datë 2 korrik, ka marrë një vendim unik që tregon hapur krizën financiare. Pezullohen të gjitha shpenzimet e reja kapitale dhe detyrohet administrata të kthejë mbrapsht të gjitha paratë e marra si shpërblim për punë të mirë dhe si orë pune shtesë. Gazeta boton të plotë vendimin që qartëson deri në detaje krizën e financave shqiptare. Ndalohen të gjitha investimet, ka para vetëm për tenderët e ushqimeve dhe ilaçeve. Ulja e shpenzimeve me 180 milionë USD në buxhet ishte vetëm maja e ajsbergut, Vendimi Nr. 472 i 2 korrikut tregon se kriza do të zbresë në xhepat e buxhetorëve.
Vendimi
Vendimi që në pikën e parë ka si synim kursimin. Kështu, nuk do të ketë më punësim në administratë. Edhe pse vendet e punës janë të paplotësuara, për to nuk do të merren njerëz të tjerë në punë. Me logjikë kjo do të thotë që puna e personit të munguar do të plotësohet nga personat e tjerë të administratës. Pra do të punohet më shumë. Por edhe puna shtesë nuk do të shpërblehet. Vendimi parashikon që orët shtesë të punës të mos paguhen, por të konvertohen në ditë ose orë pushimi.
Por, vendimi nuk mbaron me kaq. Sipas ligjit, kur një punonjës i administratës nuk kryen pushimin vjetor, pra nuk i merr pushimet, kjo i konvertohet me pagesë. Pra i jepet paga për ditët e pushimit që ka bërë punë. Ky veprim, me vendimin e ri, ndalohet. Por jo vetëm nuk duhet të ndodhë më, por edhe ata persona të administratës që kanë marrë paratë për lejet e pakryera të vitit të kaluar, duhet të kthejnë mbrapsht lekët. Leja e vjetshme, sipas vendimit, do të duhet të kryhet këtë vit. E njëjta gjë ndodh edhe me ata punonjës që kanë marrë shpërblim. Sipas ligjit, për punonjës të caktuar që kryejnë mirë detyrat e tyre, kreu i institucionit përdor fondin e veçantë dhe i shpërblen. Vendimi i Financave thotë që këto para duhet të kthehen mbrapsht nga punonjësi që i ka përfituar. “Çdo shpërblim i dhënë nga fondi i veçantë gjatë kësaj periudhe për rezultate të mira në pune, të kthehet menjëherë në buxhetin e njësisë shpenzuese”. Vendimi parashikon që fondi i veçantë të bllokohet deri më 1 dhjetor të këtij viti. Nga fondi i veçantë varen shpërblimet e fundvitit për administratën. Serioziteti i shkurtimeve për administratën shprehet qartë kur vendimi parashikon kontroll financiar brenda 3 muajve, për të parë nëse paratë janë kthyer mbrapsht. Vendimi ka parashikuar gjithashtu edhe pezullimin e të gjitha specializimeve të administratës jashtë vendit, shpenzimet për dieta të udhëtimeve dhe të tjera si këto. Administrata do të paguhet vetëm për punën 8 orë, të paktën deri në një vendim të dytë.
Investimet
Edhe pse u ulën me rreth 90 milionë USD, investime të tjera për këtë vit nuk do të ketë. Qeveria, në vendimin e fundit ka pezulluar ose bllokuar të gjitha prokurimet. “Të gjitha fondet buxhetore që u nënshtrohen procedurave të prokurimit publik, të cilat deri më datë 1 gusht 2011 rezultojnë të paprokuruara, të bllokohen”. Një vendim i njëjtë u mor edhe një vit më parë, por këtë herë duket se arka e shtetit është vërtet bosh, se përveç investimeve po preken edhe shpërblimet, pushimet, apo dietat dhe specializimet jashtë vendit.

VENDIM Nr. 472, datë 02.07.2011

PER DISIPLINIMIN E PERDORIMIT TE FONDEVE BUXHETORE PER VITIN 2011
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 16 dhe 40, të Ligjit Nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 10, të Ligjit Nr. 10 355, datë 2.12.2010 “Për buxhetin e vitit 2011”, me propozim të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shpenzimet e personelit, të miratuara në buxhetin e vitit 2011, për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme, përbëjnë kufirin maksimal të lejuar për t’u përdorur për çdo njësi shpenzuese, për punonjësit e miratuar me aktet përkatëse, ligjore dhe nënligjore. Për disiplinimin e këtyre shpenzimeve për vitin 2011, zbatohen këto masa:
a) Çdo funksion në administratën publike, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, të ngrijë deri në ristrukturimin e institucioneve, në përputhje me standardet e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Institucionet që kanë miratuar strukturën pas këtij vendimi apo që janë krijuar rishtazi në zbatim të akteve ligjore e nënligjore vazhdojnë normalisht plotësimin e vendeve vakante.
b) Fondi i veçantë i planifikuar të mos përdoret për veprimtari social-kulturore deri më datë 1 dhjetor 2011.
c) Çdo shpërblim i dhënë nga fondi i veçantë gjatë kësaj periudhe për rezultate të mira në punë, me përjashtim të rasteve kur ligji specifik parashikon ndryshe, të kthehet menjëherë në buxhetin e njësisë shpenzuese.
ç) Orët e punës, të kryera mbi kohën normale të punës, për punonjësit e administratës, të konvertohen vetëm në orë/ditë pushimi, ndërsa për punonjësit që marrin pjesë në shërbime operacionale dhe kur nuk është i mundur konvertimi i tyre, në orë/ditë pushimi, të konvertohen me pagesë, në përputhje me aktet në fuqi.
d) Në buxhetin e vitit 2011 nuk do të lejohet asnjë pagesë për ditët e pushimit vjetor të pakryer në vitin 2010. Çdo pagesë e kryer për këtë qëllim të kthehet në buxhetin e njësisë shpenzuese dhe ditët e pushimit vjetor të vitit 2010, të riskedulohen, duke vendosur kryerjen e këtyre pushimeve brenda vitit 2011.
Ngarkohen strukturat përkatëse audituese të njësive të qeverisjes së përgjithshme të verifikojnë shkeljet e rregullave, sipas pikave “c”, “ç”, “d” të pikës 1, dhe të nxjerrin aktet përkatëse për zhdëmtimin e buxhetit dhe marrjen e masave administrative për nëpunësin autorizues e zbatues. Brenda tre muajve nga data e daljes së këtij vendimi, drejtoritë e auditit të ministrive dhe institucioneve qendrore të raportojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Auditit, në Ministrinë e Financave, për zbatimin e masave të mësipërme.
2. Të gjitha fondet buxhetore që u nënshtrohen procedurave të prokurimit publik, të cilat deri më datë 1 gusht 2011 rezultojnë të paprokuruara, të bllokohen. Në kuptim të këtij vendimi, fonde të paprokuruara do të vlerësohen ato fonde për të cilat deri më 1 gusht nuk është lidhur kontratë. Përjashtohen nga ky rregull fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi shpenzuese në të cilat ekziston ky shërbim, fondet për shpenzime kapitale, të cilat nuk janë objekt prokurimi, financimet e huaja dhe fondet përkatëse për kosto lokale dhe detyrime tatimore. Ministri i Financave mund të lejojë vazhdimin e procedurave të prokurimit në raste tepër specifike apo emergjente.
3. Trajnimet jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2011, bllokohen.
4. Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit, për njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të reduktohen duke përfshirë vetëm udhëtime të rëndësisë së veçante dhe vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve të merret miratimi i ministrit/ titullarit të institucionit qendror.
5. Ngarkohen të gjitha institucionet e njësive të qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura