SHKUP- Grupi i deputetëve të Partisë Demokratik Shqiptare (PDSH) është deklaruar se nuk do ta përkrahë përbërjen e propozuar qeveritare.
Sipas koordinuesit të PDSH-së Imer Aliu, këto dy ditë nuk vendoset për Qeverinë e re, por vazhdohet mandati i së kaluarës, ndërsa BDI-ja nuk ndërmori dhe nuk ofroi asgjë për shqiptarët.
Taktika e funksionimit të kësaj Qeverie, shtoi Aliu per INA është një udhërrëfyes i kapacitetit dhe i përbërjes që është propozuar sot.
Ai akuzoi se nuk ka investime në vendet e banuara me shqiptarë dhe se është e vogël përqindja e subvencioneve të bujqve shqiptarë, si dhe është vonuar interpretimi autentik i Ligjit për amnisti.
Ndërkaq, Ermira Mehmeti-Devaja nga BDI-ja theksoi se programi që duhet ta votojnë është një program i përbashkët, që i mbulon dhe i reflekton interesat e të gjithë qytetarëve, veçanërisht të dy bashkësive më të mëdha në vend.
“Qeveria e re, politikat e saja do t’i bazojë ndaj partneritetit si një formë e bashkëpunimit, si përgjegjësi e qeverisjes dhe si përcaktim për të ardhmen dhe se Qeveria e Maqedonisë e sheh perspektivën e vendit në pjesën e integrimit të brendshëm, të kohezionit etnik dhe integrimit evropian si qëllim i cili duhet të arrihet. Vetë politikat dhe vendimet e Qeverisë të cilat janë rezultat i dialogut ndëretnik të kohezionit janë legjitime për qytetarët në vend”, tha Mehmeti-Devaja.
© Panorama.al











