SHKUP-Deri ne mesdite ka mbërritur në 13 numri i personave që janë liruar pas skadimit të afatit 48 orësh të paraburgimit.
Avokati mbrojtës Naser Raufi ka thene se tashmë kanë mbetur në paraburgim vetëm 3 të akuzuarit e drejtpërdrejt për vrasjen e pesëfishtë si dhe 4 persona të tjerë që dyshohen për vepra bashkëveprim, ndihmë dhe posedim armësh pa leje.
Në mëngjes u liruan 3 veta pas skadimit të paraburgimit 48 orësh dhe 60 vjeçarja Feride Bilalli që dje u lirua, për shkak të problemeve shëndetësore.
Paraburgimi 30 ditor është shqiptuar për 3 të dyshuar që konsiderohen nga policia si vrasës të drejtpërdrejt, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdiu, të cilët janë dërguar në burgun e Manastirit. Masa e paraburgimit është shqiptuar edhe për Afrim Ismailoviq dhe Halil Demiri, që janë në arrati.
Masat e sigurise
Në Gjykatën Penale në Shkup janë shqiptuar masat e gjykatësve hetues ndaj të ndaluarve në operacionin “Monstër” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Masa e paraburgimit 30 ditësh është shqiptuar për pesë të akuzuarit kryesor si kryerës të vrasjes, dy prej të cilëve janë në arrati. Avokati Naser Raufi deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se tre prej tyre janë dërguar në Burgun e Shutkës.
Sipas tij, njëri nga të akuzuarit si kryerës i vrasjes është mbrojtur në heshtje para gjykatësve hetues.
Paraburgim prej 30 ditëve është shqiptuar edhe për katër të tjerë, ndërsa paraburgimi prej 48 orëve është shqiptuar për 10 veta, ku bëjnë pjesë grupi i vajzave dhe grave të ndaluara. Gjykatësit kërkuan masën e tillë me qëllim për të kryer ekspertizën e materialeve dëshmuese dhe armëve të gjetura, ndërsa më pas do të vërtetohet përgjegjësia e tyre.
Feride Bilalli, 60 vjeçarja nga Hotla e Likovës u la e lirë për tu mbrojtur në arrest shtëpiak, për shkak problemeve shëndetësore. Gjykata ka konfiskuar pasaportën e saj.
Gjykata ndaj pesë të akuzuarve kryesor si kryerës të vrasjes së pesëfishtë ka ngritur akuzën për terrorizëm, ndërsa ndaj personave të tjera akuzën për organizim, ndihmë, fshehje të veprës së terrorizmit. (INA)
© Panorama.al











