Shkup, kuvendi voton qeverinë ‘Gruevski’

Jul 29, 2011 | 9:37

SHKUP- Parlamenti i Maqedonisë votoi mbrëmë para mesnate kabinetin e ri qeveritar të udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Për përbërjen e re të koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE dhe partisë shqiptare BDI votuan 70 deputetë, 47 kundër dhe asnjë abstenim.

Rritja e zhvillimit ekonomik dhe punësimet, integrimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit, mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe investim në arsim, shkencë dhe teknologji informatike, janë pesë prioritetet të cilave do t’u përkushtohet Qeveria e re.

Kabineti i ri qeveritar ka dhënë betimin para deputetëve për mandatin e ri. Në koalicionin e ri qeveritar, BDI udhëheq me 5 ministri dhe 2 poste të zëvendëskryeministrave, ndërsa nga një ministri pa resor do të kenë përfaqësuesit e komunitetit turk dhe rom.

Përbërja zyrtare e Qeverisë është si vijon:

Nikolla Gruevski – Kryeministër

Nikolla Popovski – ministër i  Punëve të Jashtme

Gordana Jankullovska – ministre e Punëve të Brendshme

Zoran Stavrevski – ministër i Financave

Elizabeta Kançevska – Milevska – ministre e Kulturës

Nikolla Todorov – ministër i Shëndetësisë

Spiro  Ristovski – ministër i Punës dhe Politikës Sociale

Pançe Kralev – ministër i Shëndetësisë

Vladimir Peshevski – zëvendëskryeministër për çështje ekonomike

Ivo Ivanovski – ministër për Informatikë dhe Administratë Publike

Mile Janakievski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve

Lupço Dimov – ministër i Bujqësisë

Ministrat nga radhët e BDI-së:

Fatmir Besimi – ministër i Mbrojtjes

Blerim Bexheti – ministër i Drejtësisë

Valon Saraçini – ministër i Ekonomisë

Abdylaqim Ademi – ministër i Ekologjisë

Nevzat Bejta – ministër i Pushtetit Lokal

Musa Xhaferi – zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit

Teuta Arifi – zëvendëskryeministre për Evrointegrime

Votimi i Qeverisë së re pasoi pas dy ditësh debatesh të ashpra midis pozitës dhe opozitës. Nikolla Gruevski është kryeministri i gjashtë pas pavarësimit të vendit, ndërsa ai me këtë po udhëheq me mandatin e tretë për kryeministër të vendit pas fitores në zgjedhjet e vitit 2006 dhe ato të parakohshme të vitit 2008 dhe 2011. (INA)

© Panorama.al

Te lidhura