
Shkrumbohet banesa e bashkë me të edhe një foshnjë 11 muajshe. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 11:00, në fshatin Palvar të Malësisë së Madhe, kur flakët përfshinë banesën trekatëshe të familjes Gjeçaj.Flakët fillimisht kanë rënë në katin e parë të shtëpisë, por amortizimi dhe konstruksionet prej druri të banesës kanë bërë që brenda pak minutash të përfshihet e gjitha nga flakët. Në momentet e rënies së zjarrit në shtëpi ndodhej vetëm foshnja 11 muajshe, Reida Gjeçaj, pasi e ëma e saj kishte dalë në dyqan për të blerë ushqime, ndërsa pjesëtarët e tjerë të rritur të familjes ishin duke punuar tokën. Ndërkohë që dy vëllezërit e tjerë të foshnjës fatkeqe, përkatësisht 4 dhe 6 vjeç, ishin duke luajtur në oborrin e shtëpisë. Kanë qenë fëmijët që luanin ata që kanë pikasur të parët zjarrin. Ata kanë vrapuar për të njoftuar prindërit e gjyshërit e tyre, të cilët ndodheshin vetëm pak minuta larg shtëpisë duke punuar.
Banorët e fshatit, të cilët kanë parë banesën të përfshirë të gjithën nga flakët, janë afruar për të ndihmuar në shuarjen e tyre me mjete rrethanore. Ndërkaq, në vend mbërritën edhe forca të zjarrfikësve. Lajmi se mes flakëve ishte dhe një fëmijë ka bërë që forcat e ndërhyrjes kundër zjarrit të futen në ambientet e brendshme të banesës, por shembja e çatisë së shtëpisë e bëri të pamundur shmangien e tragjedisë. Vajza 11 muajshe ka mbetur brenda duke u djegur e gjallë. Në vendngjarje mbërritën edhe forcat e rendit, përfaqësues të Prefekturës Shkodër dhe Nënprefekturës Malësi e Madhe. Nënprefekti Sytki Ndreca vuri në lëvizje gjithë strukturat shtetërore, përfshi këtu dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile për t’u ofruar ndihmë 13 pjesëtarëve të tjerë të familjes Gjeçaj, e cila u prek nga kjo tragjedi e rëndë. Në banesën trekatëshe jetonin 5 familje (dy prej tyre jetojnë në emigracion) të të njëjtit trung familjar, të cilat, veç tragjedisë së rëndë të humbjes së një pjesëtari të sapoardhur në jetë, mbetën edhe të pastrehë. Një grup i policisë së Shkodrës ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë. Paraprakisht dyshohet se shkak për rënien e zjarrit ka qenë energjia elektrike.
Ngjarja vuri në alarm policinë menjëherë sapo u njoftua, se flakët ishin jashtë kontrollit dhe se brenda ishte një fëmijë. Mjetet e policisë kanë paraprirë duke u hapur rrugën edhe zjarrfikëseve, për shkak se aksi Koplik-Shkodër është mjaft i rënduar në këtë sezon vere. Familjarët e viktimës kanë pohuar për grupin e hetimit se në momentin kur ka rënë zjarri nuk është ndodhur asnjëri prej tyre. Ata kanë qenë duke punuar në arë, ndërsa nëna e foshnjës kishte shkuar në dyqan. Ata kanë mbërritur tepër vonë në vendin e ngjarjes, pasi banesa e drunjtë ishte e tëra në flakë, përfshirë edhe foshnjën.
11 muajshe
ishte foshnja që u dogj e gjallë në rrënojat e banesës trekatëshe. Familjarët e saj pësuan tronditje psikologjike për fëmijën që nuk arriti të bënte as vitin, por gjeti vdekjen në mënyrën më tragjike.
Banesa, ish-magazinë duhani
Banesa trekatëshe e familjes Gjeçaj, para viteve ‘90 kishte qenë magazinë e fermentimit të duhanit. Pas rimarrjes në pronësi nga familja Gjeçaj, godina ishte përshtatur si ndërtesë banimi dhe në të jetonin 5 familje. Aktualisht në këtë banesë jetonin tri familje, ndërsa dy të tjera janë në emigracion prej disa vitesh. Foshnja që dje u dogj e gjallë, Reida Gjeçaj, ishte fëmija i tretë i kësaj familjeje, pasi ata kishin edhe dy djem të tjerë, përkatësisht 4 dhe 6-vjeçarë. Pas kësaj ngjarjeje prindërit e foshnjës kanë përjetuar gjendje të rëndë psikologjike nga momentet e tmerrit që ata përjetuan. Dje në familja Gjeçaj nuk kishte një ambient ku të priste as ngushëllimet e të afërmve dhe bashkëfshatarëve.
Precedenti i 5-vjeçares në Tepelenë
Mbrëmjen e 21 korrikut, një ngjarje e rëndë u shënua në fshatin Salari të Tepelenës. Loja me zjarrin ka rezultuar fatale për një fëmijë 5-vjeçare, që u dogj e gjallë në kasollen që ndodhej pak metra larg banesës së saj. K. Hita gjeti vdekjen, ndërkohë që “zjarrvënësja” ishte e motra e saj një vit më e madhe, e cila fatmirësisht shpëtoi mrekullisht. Dy motrat, 5 dhe 6 vjeç, po luanin me shkrepëse për t’i vënë flakën barit të thatë, por zjarri pushtoi menjëherë të gjithë plevicën, duke rrethuar edhe të miturat. 6-vjeçarja ka mundur të dalë pa pësuar lëndime, ndërsa e vogla nuk ka arritur, duke pësuar vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur prindërit e fëmijëve nuk ndodheshin në shtëpi. Ndonëse fqinjët
ndërhynë disa minuta pasi panë flakët, ata nuk arritën t’i shpëtonin jetën vogëlushes 5 vjeçe.
KOPLIK/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











