Shkrihet Komisioni i Shërbimit Civil, Komisioner për administratën

May 2, 2012 | 11:16
Komisioni i Ligjeve

Ngritja e gjykatave administrative do të ndryshojë edhe të gjithë strukturën e Komisionit të Shërbimit Civil. Ndonëse qeveria u tërhoq nga ideja e saj fillestare për ta shkrirë KSHC-në dhe të gjitha çështjet të shkonin në gjykatë, me kërkesë të Komisionit Europian, ky institucion do të vazhdojë të qëndrojë, por me strukturë të reduktuar. Komisioni i Ligjeve ka përgatitur një draft me 14 nene, sipas të cilit, KSHC-ja nga një komision me pesë anëtarë të zgjedhur nga Parlamenti kthehet në Komisioner, një status i njëjtë si Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale apo Komisioneri Kundër Diskriminimit. Neni 5 i ligjit ekzistues propozohet të ndryshohet sipas variantit “Komisioneri për Shërbimin Civil është një institucion i pavarur, i ngarkuar me mbikëqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil në të gjitha institucionet që hyjnë në fushën e veprimit të këtij ligji”. Komisioneri do të ketë mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje, ndërkohë që do të raportojë para Kuvendit çdo fund viti, ose kur e kërkon ky i fundit. Me vendim të Kuvendit do të vendoset Komisioneri për Shërbimin Civil, struktura e këtij institucioni dhe klasifikimi i pagës. Kjo zyrë do të ketë buxhetin e saj të financuar nga buxheti i shtetit. “Komisioneri për Shërbimin Civil mbikëqyr menaxhimin e shërbimit civil në të gjitha institucionet që hyjnë në fushën e veprimit të këtij ligji. Kur konstatohen parregullsi, Komisioneri paralajmëron institucionin përkatës duke i dhënë dy muaj kohë për të rregulluar ligjshmërinë dhe në mbarim të këtij afati e çon çështjen në Gjykatë”, thuhet në nenin 8 të ndryshuar. Në rekomandimet e EURALIUS-it thuhet se KSHC-ja duhet të vazhdojë të ketë kompetencat monitoruese dhe shtohet propozimi që ky institucion të ketë të drejtën të japë vendime për statusin e nëpunësit civil deri në konsolidimin e gjykatave administrative. “Ne sugjerojmë që të shmanget referenca shfuqizuese në ligjin për statusin e nëpunësit civil. Në këtë mënyrë, KSHC nuk do të preket direkt nga ligji për gjykatat administrative. Kompetencat monitoruese të Komisionit duhet të mbahen, sepse nuk ka akoma zëvendësim të këtij instrumenti që i jepet Parlamentit për të kontrolluar Ekzekutivin. Kompetencat e ankimimit të vendimeve në lidhje me statusin e nëpunësit civil duhet të mbahen të paktën deri në konsolidimin e gjykatave administrative dhe ndoshta edhe në të ardhmen, për të reduktuar ngarkesën e gjykatave të reja”, thuhet në rekomandimet e EURALIUS-it.

© Panorama.al

Te lidhura