Shkon të vjedhë bagëtinë, i zoti e vret me armë zjarri

Feb 24, 2012 | 12:28

Gjykata e Fierit

FIER/ Arrestohet 25-vjeçari. Viktima, banor i fshatit ku ndodhi krimi.

Shkon për të vjedhur bagëtinë, i zoti i vathës e vret me armë zjarri. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 22:30 në fshatin Strumë  të Fierit. Policia është sinjalizuar për vrasjen nga banorë të fshatit të cilët u alarmuan pasi dëgjuan të shtënat e armës, e më pas është dhënë edhe konfirmimi se një person i paidentifikuar ishte vrarë. Menjëherë pas sinjalizimit të dhënë, Policia e Fierit u nis drejt fshatit që ndodhet thuajse në kufi me Beratin. Burime të Policisë bënë të ditur se arrestuan autorin e vrasjes, 25-vjecarin Alfred Abedini. Pak minuta më pas, blutë identifikuan edhe viktimën, 53-vjeçarin Muharrem Muskaj, nga fshati ku ndodhi ngjarja. Burime nga Policia bënë të ditur se viktima është vrarë me armë automatike menjëherë sapo është futur në stan. Mësohet se 25-vjeçari nga fshati Kurjan i Fierit kishte ngritur një vathë të madhe në Strumë dhe merrej vetë me ruajtjen e tyre. Ndërsa në fshatin fqinj, Suk, ai kishte një dyqan mishi në të cilën therte dhe tregtonte gjënë e gjallë. Dyshohet se viktima ka shkuar vetë i tretë për të vjedhur bagëtitë e 25-vjeçarit, por dy prej tyre kanë arritur të largohen në kohë. Ndërsa Muharrem Muskaj ka mbetur i vdekur në vend. Policia është njoftuar në sallën operative për ngjarjen dhe u nis menjëherë drejt fshatit të largët. Banorët e fshatit kanë shkuar në vend dhe kanë bërë të mundur identifikimin e viktimës, ndërsa policia i ka vënë prangat të dyshuarit si autor të vrasjes. Grupi i hetimit kreu të gjitha veprimet në vend, ndërsa 25-vjeçari u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Fierit, nga ku është marrë në pyetje për disa orë. Por burimet policore nuk bënë të ditur të dhëna në lidhje me deponimin e tij. Në pyetje janë marrë edhe banorë të fshatit, të cilët i kanë pohuar policisë të dhënat e mësipërme në lidhje me veprimtarinë e të riut nga fshati fqinj.

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura