Shkollat, prindërit trembin Ministrinë

Jun 11, 2011 | 10:54
Shkolla 9-vjeçare "Ser-vete Maçi"

Pas protestave të prindërve e nxënësve për mbylljen e 3 shkollave 9-vjeçare në Tiranë, tërhiqet Ministria e Arsimit.Zyrtarisht, kreu i MASH, Myqerem Tafaj, ka deleguar drejtorin e Arsimit parauniversitar për të dhënë një përgjigje lidhur me problematikën e krijuar. “Asgjë nuk bën Ministria e Arsimit që nuk merr në konsideratë rritjen e cilësisë së mësimit, plotësimin e kushteve të të gjithë nxënësve për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Nuk është thjesht mendimi im, por edhe i ministrit të Arsimit, që për çdo projekt përpara se të vihet në zbatim, do të merret parasysh mendimi i prindërve”, tha Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit parauniversitar në MASH. Ndërkohë, në konferencën e djeshme nuk u dha asnjë alternative për mënyrën se si do të zgjidhet situata me ngarkesën në gjimnaze. Të pyetur nga gazeta, burime zyrtare pranë MASH theksuan se nga Drejtoria Arsimore nuk u ka ardhur ende një informacion zyrtar lidhur me ngarkesën që kanë gjimnazet. “Presim një plan të detajuar nga Drejtoria Arsimore dhe pastaj do të ofrojmë alternativat e mundshme për të zbutur ngarkesën në gjimnaze”, thanë burime nga MASH. Kjo deklaratë bie në kontradiktë me situatën tashmë të njohur që paraqitet në gjimnaze. Të gjitha në Tiranë bëjnë mësim me dy turne dhe nxënësit detyrohen të qëndrojnë në shkollë deri në orën 21:00 të darkës. Ky ka qenë edhe argumenti i Drejtorisë Arsimore për arsyen pse 3 shkollat 9-vjeçare do të mbylleshin. “E theksoj se ngarkesën maksimale ne e kemi në gjimnaze. Ato janë prioritet i yni për momentin. Kjo është edhe arsyeja pse menduam këtë zgjidhje. E cila nuk ishte definitive, por u hodh për diskutim me prindërit. Nuk mendoj se qëllimi për të ulur ngarkesën në gjimnaze nga ana jonë ishte i pabazuar. Ne nuk ndërtojmë shkolla, e them edhe një herë, janë struktura të tjera që merren me këtë punë. Ne planifikojmë ambientet që kemi”, tha drejtoresha e Drejtorisë Arsimorë, Ariana Bekteshi. Ajo shtoi se ndërtimi i shkollave të reja në Tiranë është domosdoshmëri. Megjithatë, drejtoresha insistoi që prindërit të qetësohen, pasi nuk është vendosur përfundimisht asgjë. Kjo deklaratë është në të njëjtën vijë me atë të MASH.
Protestat në shkolla
Protestat e prindërve duket se kanë trembur institucionet, ndërkohë që duket se edhe për vitin e ardhshëm shkollor gjimnazet do të jenë super të ngarkuara. Pak ditë më parë, Drejtoria Arsimore vuri në dijeni mësuesit se 3 shkolla 9-vjeçare të vjetra të kryeqytetit do të mbylleshin. Bëhet fjalë përkatësisht për shkollën “Hasan Tahsim”, “Konferenca e Pezës” dhe shkollën e muzikës “Servete Maçi”. Nxënësit dhe mësuesit e këtyre shkollave do të transferoheshin në të tjera pranë, ndërsa ambientet e tyre do t’u kalonin 3 gjimnazeve më në zë të kryeqytetit. Argumenti për këtë ndryshim ishte fluksi i madh i nxënësve tek “Sami Frashëri”,”Ismail Qemali” dhe “Qemal Stafa”. Në to, nxënësit bëjnë mësim me dy turne. Numri i nxënësve për secilën kalon të 1700 nxënësit. Fill pasi janë njoftuar për këtë transferim, prindër e nxënës kanë nisur protestat. Fillimisht te “Servete Maçi”, ku nxënësit kanë bojkotuar dhe provimin e fundit të Muzikës dhe më pas te shkollat e tjera. Drejtoria Arsimore është përpjekur të japë arsyet dhe argumentet e saja, duke theksuar se në këto shkolla ka rënë ndjeshëm numri i nxënësve. Por, prindër e nxënës nuk e kanë pranuar këtë logjikë e kanë vijuar me protestat. Dje, te “Konferenca e Pezës” dhe shkolla “Hasan Tasin” nxënësit kanë dalë me pankarta duke kundërshtuar largimin. “E kam sjellë vajzën në klasë të parë kur kishte 31 nxënës, tani ka 40 nxënës në klasë, pra nuk ka ndonjë ulje të numrit po t’u referohesh shifrave. Fëmijët duhet të kalojnë disa herë rrugën për të shkuar në shkollën e re dhe rreziku se mund të na i shtypë makina është gjithmonë prezent”, u shpreh një nga prindërit, që ka fëmijën të regjistruar te “Hasan Tahsim”. Edhe prindërit e nxënësit te “Konferenca e Pezës” kanë kundërshtuar vendimin.

546 nxënës
mësojnë aktualisht te shkolla 9-vjeçare “Konferenca e Pezës”. Edhe kjo shkollë ishte në listë për t’u mbyllur dhe për t’i kaluar gjimnazit “Qemal Stafa”

341 nxënës
ka aktualisht në shkollën “Hasan Tahsim”. Kjo shkollë regjistron numrin më të ulët të nxënësve. Ishte planifikuar për t’i kaluar gjimnazit “Ismail Qemali”

3 shkolla
shumë të vjetra në Tiranë ishin planifikuar të mbylleshin nga Drejtoria Arsimore për t’u kaluar gjimnazeve. Kjo ishte parë si zgjidhje për të ulur ngarkesën

Shkollat

500 nxënës mësojnë aktualisht në shkollën 9-vjeçare artistike “Servete Maçi”. Prej tyre, 150 ndjekin shkollën për Muzikë. Ajo ishte planifikuar
t’i kalonte gjimnazit “Sami Frashëri”

Ambiente te reja per Juridikun e Socialet

Mungesa e infrastrukturës dhe e ambienteve është problem edhe në universitete. Një lajm i mirë vjen nga ai i Tiranës. Tashmë ka përfunduar rikonstruksioni i Kinoklubit të Qytetit Studenti. Ambientet e tij janë përshtatur për auditore mësimi. Aty do të ndjekin studimet studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Drejtësisë. Studentët e këtyre fakulteteve vitin e shkuar akademik ishin shpërndarë, pasi godina ku kryhet mësimi ishte e pamjaftueshme për të përballuar fluksin.

Asnjë masë për të ulur fluksin në gjimnaze

Tre gjimnazet më të mëdha të kryeqytetit, “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali” dhe “Qemal Stafa” kanë më shumë se 1700 nxënës secili. Për rrjedhojë, prej të paktën 3 vitesh, mësimi në to zhvillohet me dy turne. Mësuesit dhe prindërit pranojnë se cilësia ka rënë, ndërsa nxënësve u duhet të rrinë në shkollë deri në 21:00 të darkës. Me kurrikulën e re bëhen edhe lëndët me zgjedhje, ndaj nxënësit i duhet që të rrijë deri në 8 orë në shkollë. Kaq, vetëm njëri turn. Të dy turnet janë 16 orë, çka do të thotë se gjimnazistët janë gjithë kohës jashtë shtëpisë. Pavarësisht nga deklaratat për investime të mëdha në ndërtimin e shkollave të reja nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit, situata paraqitet mjaft problematike. Ndërkohë, nga asnjëri prej këtyre dy institucioneve nuk ka plan konkret se çfarë masash do të ndërmerren për t’u rikthyer gjimnazeve normalitetin. Gjithçka në kurriz e vuajnë vetëm nxënësit e prindërit. Këta të fundit detyrohen të marrin fëmijët nga shkolla në dimër, pasi orari është i vonë dhe i papërshtatshëm.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura