
SHKODER – Mungesa e prokurorit ka bërë që seanca gjyqësore në ngarkim të Admir Tafilit të shtyhet për një afat tjetër. Në seancën e ardhshme pritet të jepet dëshmia e pjesëtarëve të familjes Pjetrushi në lidhje me vrasjen e dy të afërmve të tyre në marsin e vitit të kaluar, pikërisht vëllezërve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, vëllezërit e ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi. Në Gjykatën e Rrethit të Shkodrës, më 31 janar ishte caktuar data kur do të zhvillohej procedimi penal në ngarkim të Admir Tafilit. Ka qenë mungesa e prokurorit të çështjes (i cili në ato momente ndodhej në një tjetër seancë gjyqësore), që ka detyruar kreun e trupit gjykues të kësaj Gjykate, Ken Dhima, të marrë vendimin e shtyrjes së kësaj seance në një afat tjetër. Vetë Tafili nuk ka pranuar të jetë i pranishëm në seancë, duke ngarkuar avokatin Alfred Pjetrani që të bëjë përfaqësimin e tij. Fillimisht avokati Pjetrani ka kërkuar që procesi të zhvillohej me gjykim të shkurtuar, por kjo kërkesë e tij është hedhur poshtë nga trupi gjykues. Më pas, avokati ka kërkuar largimin e këtij trupi gjykues nga kjo çështje, por edhe kjo kërkesë i është refuzuar. Përfundimisht, trupi gjykues, i ndodhur para faktit që prokurori i çështjes e ka pasur të pamundur të jetë i pranishëm në seancën e radhës, ka marrë vendim që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër. Në seancën e ardhshme pritet që të japin dëshmitë e tyre të afërmit e dy viktimave, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi në lidhje me ngjarjen e marsit të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, Admir Tafili do të përballet edhe me akuzat e arratisjes, si dhe të armëmbajtjes pa leje, pasi ai ndodhej i burgosur në burgun e Shënkollit në Lezhë, ku po kryente dënimin për plagosjen e ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi. Por më 2 tetor të vitit 2010, pasi kishte marrë leje nga burgu për të parë nënën e tij të sëmurë, ai arratiset nga burgu. Ndërsa qëndroi pesë muaj i fshehur, në mars të vitit 2011 ai ka qëlluar për vdekje dy vëllezërit Nik dhe Gjovalin Pjetrushi. r.d











