
SHKODER – Qyteti i Shkodrës është tronditur mbrëmë nga shpërthimi i një lënde plasëse. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në afërsi të Katedrales së qytetit rreth mesnatës së dielës, në lagjen “Sarreq”. Sipas Policisë së Shkodrës, lënda plasëse është vendosur në një automjet tip “Audi” me targa AA 522 BA, në pronësi të shtetasit Sokol Çerjani. Mjeti i dëmtuar ishte i parkuar pranë shtëpisë ku banonte pronari i tij. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar në të gjithë qytetin. Për pasojë, mjeti është dëmtuar rëndë në pjesën e përparme të tij. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe, pas hetimeve të para, dyshohet se ka shpërthyer si shkak i vendosjes së lëndës plasëse, lloji i së cilës nuk dihet, në pjesën e përparme të tij, nën parakolp. Nga shpërthimi i fuqishëm mendohet se është vendosur lëndë plasëse nga persona ende të paidentifikuar. Nga marrja në pyetje e pronarit të mjetit mësohet që ai t’u ketë pohuar uniformave blu se nuk ka pasur asnjë konflikt me ndonjë person të mundshëm, që mund të arrinte deri në vendosjen e lëndës plasëse në automjet. Ai ka hedhur pistën e shpërthimit të vetë makinës, pas zëvendësimit të impiantit të karburantit të mjetit nga benzinë në gaz. r.d











